Thiago Silva: Tërhiqem 40 vjeç si Maldini

Thiago Silva kërkon të ndjekë gjurmët e Paolo Maldinit. Të dy mbrojtësit dikur kanë luajtur bashkë për skuadrën e Milanit. Thiago Silva arriti ta kishte vetëm 6 muaj si partner në repartin e prapavijës, legjëndën Paolo Maldini. Ish-kapiteni i kuqezinjve i kishte muajt e tij të fundit si futbollist, sepse më pas i dha lamtumirën fushave të blerta. Pavarësisht kohës së shkurtër që luajtën sëbashku, braziliani tashmë e ka një model dhe ai është pikërisht Paolo Maldini. Misioni i mbrojtësit brazilian është të luajë futboll deri në moshën 40-vjeçare njësoi si legjenda e Milanit Paolo Maldini.
Kapiteni i Paris Saint Germain është shprehur se, momentalisht mosha nuk po ndikon aspak tek ai, madje deklaron se ndihet mjaft energjik. Pavarësisht dëshirës së madhe, kjo mbetet për t’u parë se sa i aftë do të jetë fiziku i brazilianit ta realizojë një gjë të tillë. Në qershor të 2017, Thiago Silva-s i përfundon kontrata me PSG dhe ende nuk ka vendosur në lidhje me të ardhmen e tij. Do të vazhdoj të qëndrojë tek parizienët, do të zgjedhë një rikthim tek ish-skuadra e tij Milani apo një aventurë e re tek Juventusi. Deri sa kjo situatë të marrë një përgjigje, 30-vjeçari ka një objektiv të ndihmojë Brazilin të kualifikohet për në botërorin “Rusi 2018”, ku sigurisht dëshira e tij është të japë edhe ai kontributin për ekipin e Selecaos.