Qeveria sjell në Parlament TEC-in e mbetjeve organike në Korçë

Gjergji GJINKO

Megjithë shpresat dhe përpjekjet e ambientalistëve dhe banorëve të rajonit të Korçës, për anulimin e projektit, qeveria ka insistuar në ndërtimin e termocentralit të torfës në Maliq, termocentral që do të përdorë si lëndë djegëse, mbetjet organike të ish-kënetës së Maliqit!
Sipas axhendës, Parlamentit i kërkohet ta aprovojë projektligjin, brenda 24 nëntorit 2016.
Djegia e torfës për prodhim energjie apo ngrohje siç parashikon projektligji në fjalë, me erën e keqe dhe ndotjen e ajrit, përbën një kërcënim të madh për perspektivën turistike të Korçës, Pogradecit, Prespës, Voskopojë, Dardhës, por edhe për cilësinë e jetës të gjithë banorëve të rajonit.
Nxjerrja e torfës në sipërfaqen prej 288 hektarë tokë bujqësore, që do të shndërrohet në zonë minerare, do të krijojë moçalet kënetore dhe do të shkatërrojë strukturën edhe të qindra hektarëve të tjerë, përreth kësaj zone. Mijëra familje të fshatrave që mbajnë frymën me tokën bujqësore që kanë në pronësi apo përdorim, do të mbartin pasojat direkte negative të kësaj ndërhyrjeje!
Projektligji në fjalë, nuk përmend asnjë raport mjedisor për ndikimin e këtij termocentrali. Për ironi nuk përmend fare, as Ministrinë e Mjedisit.
Ka mungesë transparence në projektligj sepse nuk thuhet asnjë fjalë, se nga do të jetë burimi i financimit të projektit! Nga buxheti dhe paratë e taksapaguesve shqiptarë? Nga investitorë privatë, tashmë me formulën e famshme të PPP? Apo nga donatorë “bujarë” që duan të heqin nga vendi i tyre ndonjë termocentral të fillimit të viteve 1900?
Për arsyet e mësipërme, por edhe të tjera, le të vazhdojmë përpjekjen dhe të shpresojmë se parlamentarët tanë nuk do ta gëlltisin këtë aferë të “ndotur”, nga të gjitha anët!