Loja për Vettingun politik të gjyqtarëve

Edmond SPAHO

Edi Rama me një gur dëshiron të vrasë dy zogj, të kapë edhe procesin e hapjes së dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, por njëkohësisht të fusë duart edhe në sistemin e drejtësisë, nëpërmjet kontrollit të lidhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve me të shkuarën komuniste, pra atë që parashikohet në procesin e Vettingut.
Kuvendi i Shqipërisë para disa kohësh ka miratuar ligjin për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, për të cilin do të krijohet një autoritet përgjegjës për hapjen e dosjeve dhe transparencën ndaj publikut dhe të gjithë të interesuarve.
Po kështu, në ligjin e Vettingut, i cili është miratuar para disa muajsh, me kërkesën e Partia Demokratike, u kërkua që të gjithë prokurorët dhe gjykatësit e rinj që do të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë të mund të verifikohen edhe për lidhjet me të shkuarën komuniste për shkak se në sistemin aktual të drejtësisë kemi me dhjetëra dhe me qindra individë, të cilët kanë ushtruar aktivitetin gjatë periudhës së diktaturës dhe kanë dhënë vendime në favor të diktaturës dhe ky takëm nuk është e udhës dhe as e logjikshme të jetë pjesë e sistemit të ri të drejtësisë.
Dy do të jenë strukturat, të cilat do të verifikojnë gjykatësit dhe prokurorët, të cilët do të hyjnë në sistemin e ri të drejtësisë: Verifikimin pasuror që e bën ILDKPI që është nën kontrollin tërësor të Edi Ramës, si dhe verifikimin e lidhjes me të shkuarën komuniste, të cilën do ta bëjë Autoriteti i Hapjes së Dosjeve dhe që do të krijohet dhe do të ketë në përbërje të tij pesë anëtarë, nga të cilët: njëri propozohet nga Këshilli i Ministrave, një kandidat i dytë nga shoqëria civile, një kandidat i tretë nga Shoqata e të Përndjekurve Politikë dhe dy kandidatura jepen nga Kuvendi i Shqipërisë.
Për dy kandidaturat, të cilat do të propozohen nga Kuvendi i Shqipërisë kam kontaktuar me z. Taulant Balla me synimin për të përshpejtuar procesin dhe u ra dakord sikurse është në traditën 25-vjeçare të Kuvendit të Shqipërisë, të sigurohet përfaqësimi i të dy krahëve të spektrit politik të Kuvendit, pra nga të dy kandidaturat një të propozohet nga mazhoranca dhe një të propozohet nga opozita. Veprim, të cilin ne e kryem, e depozituam propozimin tonë me 28 firma të deputetëve, në Kuvend. Çuditërisht ditët e fundit mësova që mazhoranca ka paraqitur dy kandidatura për Autoritetin e Hapjes së Dosjeve dhe synon që me mekanizmin e votës që disponon edhe në Komisionin e Ligjeve, por edhe në seancë plenare, t’i kalojë të dy kandidaturat. Autoriteti do të përbëhet nga tre përfaqësues të mazhorancës, ai i Kryeministrisë dhe dy kandidatura të Kuvendit, dhe një përfaqësues i shoqërisë civile dhe një përfaqësues i shoqatave të të përndjekurve politikë.
Në këtë mënyrë opozita është përjashtuar tërësisht nga autoriteti, gjë që u vërtetua në Komisionin e Ligjeve dje në mbledhjen e radhës, me gjithë insistimin e përfaqësuesve tanë që të respektohet marrëveshja verbale e arritur nëpërmjet meje dhe z. Taulant Balla, si edhe të garantohet përfaqësimi i opozitës në dy procese të rëndësishme, si hapja e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe procesi i verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në lidhje me të shkuarën e tyre komuniste. Pra, opozita është përjashtuar tërësisht nga këto dy procese. Për rrjedhojë me hapin e radhës të ndërmarrë nga Edi Rama, hapjen e dosjeve do ta kryejë mazhoranca, derivatet e Partisë së Punës, të cilët i kemi në këtë mazhorancë dhe për më tepër, verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për sistemin e ri të drejtësisë, gjithashtu do ta bëjnë derivatet e Partisë së Punës duke përjashtuar tërësisht opozitën.