Kina dështon edhe me Lipin

Është vendi me numrin më të madh të popullsisë në botë, paguan miliona euro çdo vit për të afruar në klube emra të njohur të futbollit botëror dhe tashmë, ka si trajner të kombëtares Marçelo Lipin. Por Kina përsëri duket se do të mbetet jashtë Kampionatit Botëror të Futbollit.
Lipi u punësua pak javë më parë me një rrogë prej rreth 20 milionë eurosh në vit, me shpresën se ish-Kampioni i Botës me Italinë do të rregullonte disi një ecuri të tmerrshme të përfaqësueses në kualifikueset e Rusi 2018.
Por pavarësisht impenjimit, asgjë nuk ka ndryshuar për sa u përket rezultateve. Kina barazoi sot pa gola ndaj Katarit, dhe pas 5 ndeshjeve të para të zhvilluara, mbyll Grupin A të zonës së Azisë me vetëm 2 pikë të siguruara.
Kualifikimi mbetet një mirazh, pasi vendi i tretë, që çon të paktën në play-off, mbahet nga Uzbekistani, i cili ka 9 pikë, ndërsa Koreja e Jugut dhe Irani janë favorite për të prerë një biletë për në Rusi, duke mbajtur dy vendet e para në grup.