Farsa politike e Samitit të Diasporës së Edi Ramës

I ashtuquajturi “Samiti i Diasporës” është samiti i Edi Ramës për mbijetesën politike të Edi Ramës. Ai është i tëri Farsë Elektorale e radhës.
Edi Rama kërkon të identifikojë veten me Disaporën dhe të paraqitet si “Babai i Kombit”. Ai është faktori më përçarës midis shqiptarëve sot.  Samitasit e Ramës janë ose bashkëpunëtorë të regjimit komunist që braktisën familjet, ose fëmijët e atyre bashkëpunëtorëve, ose të mashtruar dhe naivë.
Asnjë patriot i vërtetë që u largua nga Shqipëria për shkak të regjimit barbar komunist të grupit të sotëm të Edi Ramës në pushtet nuk merr pjesë në samit.
Të gjithë të afërmit e “armiqve të klasës” së babait të Edi Ramës dhe Ditmir Bushatit në Shqipëri janë përzënë nga administrata shqiptare. A përbëhet Shqipëria vetëm prej komunistëve? Vendin e baballarëve e kanë zënë fëmijët e persekutorëve më të egër komunistë të Europës.
Ka edhe nga “Të arratisurit” samitas – shërbëtorë të komunizmit dje dhe sot. Dje shkatërruan familjet, sot vijnë në samitin e Kristaqit dhe të Sulës. Patriotët e vërtetë shqiptarë nuk mashtrohen nga Edi Rama dhe soji i tij. Ata e duan Shqipërinë sepse atdheu i përket të gjithë shqiptarëve, jo Edi Ramës.
Edi Rama është shtypësi i fjalës së lirë. Ai do të përdorë samitin për monologjet e veta bajate politike. Media e tij do të transmetojë vetëm ato që dëshiron ai. Media e lirë sot është armiku më i madh i Edi Ramës.
Ku janë përfaqësuesit e më shumë se gjysmës së shqiptarëve: Demokratët? Kush i përfaqëson të djathtët në Samit? Djali i Sulës Sekretarit të Parë të Partisë dhe i Kristaq ekzekutorit?
A është Diaspora “Mërgata e Qyqeve” e Ditmir Bushatit, e cituar së voni si e tillë?  Samiti është një tentativë padronizuese e Edi Ramës ndaj shqiptarëve të Kosovës, që i thërret në samitin e tij elektoral, kur ata kanë Ministrinë e tyre të Diasporës(!)
Samiti është një Farsë Politike për mbijetesën politike të Edi Ramës. Ai do përdoret për qëllime elektorale në kushtet kur Rama është kthyer në një figurë të urryer në Shqipëri të ngjashme me atë të Sorrosit në Amerikë.
Ku është simboli i Unitetit Kombëtar i përcaktuar në Kushtetutën e Shqipërisë-Presidenti i Republikës. A është samiti thjeshtë një mbledhje partiake e kanabistit Edi Rama!?

Reagojnë Federatat e Shoqatave Shqiptare në Greqi

Ashtu siç u paralajmërua një ditë më parë, Federata e Shoqatave Shqiptare në Greqi, ka reaguar për maskaradën që po organizohet në Tiranë në të ashtuquajturën Samiti i Parë i Diasporës, por që ndryshe nga se duhet, ishte ku vetë diaspora duhet të përcaktonte përfaqësuesit e saj, ajo që ka ndodhur me diasporën shqiptare në Greqi është skandaloze dhe jo për faj të tyre.
Një ditë më parë, Federata e Shoqatave Shqiptare në Greqi, ka mësuar se diaspora shqiptare në Greqi do të përfaqësohej nga Eda Gemi, e që ata pretendojnë se ajo është kushërira e Kryeministrit Edi Rama dhe nuk ka asnjë lidhje të drejtpërdrejtë me shqetësimet, problematikën apo edhe pretendimet që ka komuniteti shqiptar në Greqi, edhe për faktin se ajo prej kohësh jeton e studion në SHBA.
Në një komunikatë të shpërndarë për shtyp nga dita e djeshme sqarohet se: “Federata e Shoqatave Shqiptare në Greqi, në bashkëpunim me Unionin e Shoqatave Shqiptare, organizatën “Përkrahje – Arogji”, të gjitha shoqatat dhe pjesëmarrësit në Samitin e Parë të Diasporës, përshëndet punimet e Samitit të Parë të Diasporës, por njëkohësisht shpreh indinjatë të thellë për mungesë këshillimi, mos respektim të përfaqësisë së ligjshme të Komunitetit Shqiptar në Greqi (që përfaqësohet nga Federata e Shoqatave Shqiptare në Greqi ligjëruar nga Gjykata e Shkallës së Parë Athinë me nr. vend: 476/2006), për përzgjedhje selektive “me mik” të personave që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me Komunitetin Shqiptar në Greqi”.
Më tej në këtë deklaratë thuhet se, “Federata ka bërë përpjekje vigane në ruajtjen e gjuhës, traditave, zakoneve dhe të drejtave të Komunitetit, duke qenë pjesë negociuese me palën greke. Federata ka përfaqësuar të paktën tri herë në Parlamentin e Greqisë komunitetin shqiptar dhe ka zhvilluar takime me titullarët e instancave më të larta në Greqi dhe në BE”.
Por e gjitha kjo nuk mjafton, sepse nisur nga situata e krijuar nga raportet me Greqinë, krejt për faj të Edi Ramës, duket se ky i fundit nuk ka nerva të dëgjojë kritika apo pretendime shtesë për një diasporë, të cilën ai nuk është në gjendje dhe as ka ndërmend ta ngrejë zërin ndonjëherë, nëse kjo nuk i leverdis për një postim të momentit në rrjetet sociale.