Bie piramida e parë me bursat online

Easy Invest, një nga bursat e investimeve online, ka mbyllur aktivitetin në Shqipëri, duke marrë me vete investimet e qindra kreditorëve në Shqipëri dhe Kosovë. Lajmi u njoftua nga kreditorët e kompanisë pranë “Monitor”, të cilët janë braktisur që në korrik të këtij viti pa asnjë sqarim.
Easy Invest që funksiononte si një platformë investimi online, në korrik të këtij viti mbylli web-in “www.easyinvest.al” nën shënimin “under construction”. Gjithashtu, adresa fizike e kompanisë në rrugën “Donika Kastrioti”, pallati 14, kati i parë në Tiranë nuk i përket më kësaj kompanie.
Kompania ka shpallur falimentin në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit duke kaluar në pezullim statusin e saj, që në korrik të këtij viti, por pa lajmëruar asnjë nga investitorët, duke lënë pas vetëm humbje.
Frashëri nga Berati, një nga investitorët e Easy Invest, tha se e nisi lojën me 60 euro investim. Paratë u depozituan në llogarinë e Easy në Bankën Kombëtare Tregtare, në numrin e llogarisë “35 35 68”. Frashëri, një ish-mësues me njohuri të admirueshme për bursat online, tha se e nisi investimin më shumë për hobi se sa për fitim. Por teksa njoftoi se kompania është zhdukur, bashkë me kontaktet, tha se ka shumë investitorë të tjerë në Shqipëri dhe Kosovë që kanë humbur shuma të mëdha parash. Frashëri tha se ishte i interesuar për statusin juridik të këtyre subjekteve, por nuk ka gjetur të dhëna të mjaftueshme.
Easy Invest, edhe pse nuk kishte marrë leje nga autoritetet rregullatore në vend (Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare) u regjistrua në QKR më 24 shkurt të këtij viti. Objekti i aktivitetit është për veprimtari financiare me të gjitha format e kredidhënies, faktoring-ut, qirasë financiare, shërbimet e pagesave dhe të transferimit të parave, ofrimin e garancive dhe marrjen e angazhimeve, këmbimin valutor dhe shërbimet këshilluese, ndërmjetësime etj.
Më vonë gjatë muajit prill, po në QKR, Easy Invest ka raportuar se ka marrë lejen nga Banka e Shqipërisë, por kjo e fundit nuk e ka listuar në subjektet e licencuara jo banka.
Kompania kishte aktivitet edhe në Kosovë. Burimet nga kreditorët pohojnë se disa persona kanë humbur mijëra euro, por nuk po denoncojnë në polici për shkak se shpresojnë të marrin paratë.
Bursat online janë një fenomen mjaft i përhapur dy vitet e fundit. Teksa interesat në banka janë ulur ndjeshëm dhe është forcuar procesi i kontrollit të burimit të parave në banka shumë persona kanë zgjedhur bursat online si forma të përshtatshme investimi.
Mirëpo teksa tregu i mbushur plot dhe këto subjekte që as nuk kanë licencë dhe as nuk mbikëqyren, falimentet kanë nisur.