Agjentët belgë dëshmojnë në Gjykatë: Frroku vrasës

Dy oficerë gjyqësorë nga Belgjika kanë dëshmuar në gjyqin ndaj ish-deputetit Mark Frroku, i cili akuzohet për vrasjen e Aleksandër Kurtit në vitin 1999 në Belgjikë. Dëshmitë e dy oficerëve gjyqësorë belgë dhënë përpara Gjykatës së Tiranës, duket se është prova më e fortë e Prokurorisë kundër ish-deputetit Frroku.
Nën masa të rrepta sigurie, shoqëruar nga efektivë speciale të policisë, Steven Van Deneste dhe Josef Overdin, oficerë gjyqësorë pranë Prokurorisë së Mbretit dhe në Bruksel, mbërritën në Gjykatën e Tiranës dhe para trupit gjykues mësohet se ata kanë konfirmuar se, Mark Frroku është i përfshirë në vrasjen e Aleksandër Kurtit.
Dëshmitë e tyre u dëgjuan gjatë një seance me dyer të mbyllura, pasi Gjykata urdhëroi boshatisjen e sallës së gjyqit, me kërkesën e prokurorit Adriatik Cami, i cili tha se, cënohet siguria e jetës së dëshmitarit, Steven Van Deneste, i thirrur në proces me kërkesë të organit të akuzës.
Në seancën që zgjati më shumë se pesë orë, oficerët belgë kanë konfirmuar se, të dhënat për përfshirjen e Mark Frrokut në ngjarjen e rëndë, i kanë grumbulluar nga dëshmitarë. Në fakt, oficeri Steven Van Deneste, edhe më herët ka implikuar ish-deputetin Frroku në krimin e rëndë. Një raport të dhjetorit 2013, të përpiluar nga oficeri Deneste, ky i fundit, informon Prokurorinë se Mark Frroku është zgjedhur deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe është pikërisht ky person i njëjti që rezulton të jetë i përfshirë në ngjarjen ku humbi jetën Aleksandër Kurti. Në raport thuhet se, “ne saktësojmë se nuk ekziston asnjë dyshim se ky i quajtur Mark Frroku dhe i ashtuquajturi Besnik Morina, identifikuar në kuadër të kësaj dosje, identifikuar edhe me emrin Mark Frroku, Dritan Drroku, Piro Sofrani, janë një, dhe i njëjti person”.
Oficeri bën me dije, se identifikimi është bërë nga një foto e publikuar në median shqiptare, ku Frroku është intervistuar si deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe, sipas Desentes, ai është i implikuar në ngjarjen e ndodhur në Bruksel. Autoritetet belge kërkuan ekstradimin e tij vitin e shkuar, çka çoi edhe në arrestimin e Frrokut. Të dy oficerët pritet të dëshmojnë edhe mesditën e sotme në gjyqin ndaj Kristian Marinaj, i dyshuar si bashkëpunëtor i Frrokut në krim.

Vrasja në Belgjikë

Aleksandër Kurti ra në kurthin e “Lumes”, një prostitute shqiptare me inicialet L.A. Ai kishte njohur prostitutën shqiptare me emrin “Jeta”. Kishte shkuar me të një ditë në hotel. Një ditë tjetër i shkon në vendin e punës dhe sheh bashkë me të Lumen, të cilën ai e kishte njohur që në Shqipëri, pasi ishin nga e njëjta zonë. Aleksandër Kurti i thotë Lumes se, “do t’u tregojë familjarëve të saj se ç’punë bënte ajo në Bruksel”. Ky fakt e tremb Lumen. Por situata bëhet më e rëndë, kur ai i gjen numrin e telefonit përmes Jetës dhe i përsërit të njëjtin kërcënim.
Lumja njofton për këtë Nardin, Leonard Frrokun, vëllanë e Mark Frrokut. Ndërsa Nardi njofton Lek Bib Djafën Aleksandër Vukën dhe Hilë Morinën. Këta të tre njoftojnë Alfred Kolën që ka njohje me Aleksandër Kurtin. Por në kurth do ta fuste Lumja. Ajo i telefonon dhe i lë takim në stacionin e trenit. Problemin që kishte shkaktuar Aleksandër Kurti me kërcënimin se do të njoftonte familjarët e Lumes e merr vesh edhe vëllai i tij, Nikolas Kurti. Tre ditë para vrasjes, ai i ka telefonuar motrës së tij dhe i ka kërkuar që “kunati i saj të takojë Benin, Arben Frrokun, pasi në rast të kundërt dikush do të vritej brenda 24 orëve”.
Aleksandër Kurti që mbante dokumente kosovare me emrin Azem Shkreli, në raportin e Prokurorisë thuhet se ka ndërruar jetë ekzaktësisht në orën 18:05. Me vete kishte një biletë treni për në Londër të blerë në orën 17:05. Nisja e trenit bëhej në orën 17:56, ndërsa mendohet se ai e ka ndjerë rrezikun se do ndiqej nga grupi i tutorëve. Më tej nga rrëfimi i vëllait të tij mësohet se viktima kishte konflikte edhe me Arben Frrokun, vëllanë e Markut. Policia e gjeti në agoni në orën 17:45, në stacionin e trenit “Gare de Midi”.

4 akuza ndaj Frokut

Mbi ish-deputetin e mazhorancës, Mark Frroku rëndojnë 4 akuza. Akuza e parë, ajo e vrasjes së shtetasit Aleksandër Kurti të ndodhur në vitin 1999 në Belgjikë. Rezulton që Frroku dhe 3 bashkëpunëtorët e tij ta kenë vrarë Kurtin për shkak të përplasjeve për kontrollin e prostitucionit.
Akuza e dytë është ngritur, pasi Frroku nuk është në gjendje të justifikojë pasurinë e tij prej më shumë se 2 milionë dollarë. E treta ka të bëjë me një akumulim të pajustifikuar të të ardhurave nga ana e tij, i cili në vitin 2002 është dënuar nga autoritetet holandeze me 3 vjet burg për trafik droge. Ndërsa, akuza e katërt ka të bëjë me një ndërtim të Frrokut në rrugën e “Durrësit”, në kryeqytet. Bëhet fjalë për një godinë 4-katëshe, të cilës po i shtohej një kat dhe një shtesë anësore.