2 miliardë lekë tendera për mobilim zyrash dhe zyra me kuzhinë e Çelës

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka hapur thirrjen për dy tendera në një hark kohor prej 72 orësh. Tenderi i parë ka të bëjë me sigurimin e jetës së 2600 punonjësve të OSHEE, ndërsa tenderi i dytë do të jetë për mobilimin e zyrave të godinës së re të këtij institucioni që po ndërtohet në Tiranë.
OSHEE rezulton të jetë një nga institucionet që zhvillon më tepër tendera në vend me shifra tepër të larta, por Boldnews.al ju sjell vetëm dy tenderat e fundit që kalojnë shifrën e 2 miliardë lekëve.

Tenderi për sigurimin e punonjësve

Data 5 dhjetor 2016 është afati i fundit për dorëzimin e ofertave për tenderin me objekt “Sigurimi i aksidenteve në punë i punonjësve”. Sipas dokumentave që disponon Boldnews.al, bëhet fjalë për sigurimin e jetës për 2600 punonjës të OSHEE, me një fond limit prej 89.656.666 lekë (të reja).
Aksidentet gjatë punës në OSHEE kanë qenë të shpeshta kohët e fundit, ku më i fundit ishte ai i datës 4 tetor në qytetin e Vlorës, me pasojë humbje e jetës së një elektriçisti. Me këtë tender, OSHEE kërkon që të parandalojë familjarët e viktimave që të nisin proceset gjyqësore ndaj këtij institucioni në rastet e aksidenteve në punë.
Në tender, OSHEE deklaron se për çdo aksident me pasojë jetën apo humbjen totale të aftësisë në punë, kompania e sigurimit do të japë një shpërblim prej 30 milionë lekësh (të vjetra). Por kjo shumë modeste jo vetëm që nuk kthen mbrapsht jetën e njerëzve, por as nuk plotëson nevojat e një familjeje që mund të ketë fatin e keq që të humbasë kryefamiljarin.
Ndërkohë, shifra prej 896 milionë lekësh për 2600 punonjës është tepër e fryrë, ndërsa ngrihen dyshime se me këtë tender po favorizohen oligarkët e kompanive të sigurimit. Kjo për shkak se primi në këtë tender është llogaritur rreth 300 mijë lekë në vit për person.
Por nëse i hedhim një sy çmimeve të kompanive të sigurimit për aksidentet në punë, me një shifër mesatare primi prej 100 euro në vit, ke të mbuluara të gjitha shpenzimet deri në 30 mijë euro. Pra, shihet qartë që OSHEE ka vënë më tepër para në dispozicion të taksapaguesve shqiptarë për këtë tender, ndërsa kërkon një shërbim më të vogël.
Njoftimi për këtë tender në Agjencinë e Prokurimit Publik është bërë në datën 11 nëntor 2016.

Tenderi për mobilje luksi

Ndërkohë tenderi tjetër i OSHEE është edhe më i kushtueshëm për xhepat e shqiptarëve dhe më pak i nevojshëm. Bëhet fjalë për kompletimin e zyrave të reja të këtij institucioni me tavolina luksi, rafte moderne, stola të rehatshëm, kolltuqe vip e deri tek pajisja me kuzhinë për të gatuar.
Fondi limit i këtij tenderi është 129.827.000 lekë (të reja), ndërsa afati i fundit për dorëzimin e ofertave është data 6 dhjetor 2016.
Në fakt është e padëgjuar më parë që një institucion, i cili punon me orar zyrtar 08:00-17:00, duhet të pajiset me 7 kuzhina dhe ku shumica prej tyre do të jenë në zyrat e drejtuesve të mëdhenj.
Sipas dokumentave që disponon Boldnews.al, ne kemi arritur të mësojmë sesi do të pajiset edhe zyra e Administratorit të OSHEE, Ardian Çela. Sipas porosisë që pritet të kryhet, Çela do të ketë një kuzhinë në zyrën e tij, disa poltrona modernë, një tavolinë mesi me xham të akullt, një tavolinë personale, por që të jetë e rangut drejtues, një panel për izolim akustik si dhe një superkarrige drejtuesi.
I gjithë ky luks i shfrenuar me taksat e qytetarëve shqiptarë nuk justifikon lodhjen e drejtuesve, të cilët kanë rrogë edhe më të lartë se Presidenti i Shqipërisë. Mediat kanë denoncuar pagën e Administratorit të OSHEE Ardian Çela shkon deri në 3 milionë lekë në muaj kurse sekretarja e tij paguhet 800 mijë në muaj.
Ky shpenzim marramendës ishte krejtësisht i panevojshëm po t’i shtosh edhe 5 milionë euro që u harxhuan për ndërtimin e godinës së re të OSHEE nga një kompani që është pranë qeverisë, EUROCOL.
Zyrat e mëparshme të OSHEE ishin pozicionuar në mes të ish-Blloku-t, të kompletuara dhe në një ambient tepër bashkëkohor.
Njoftimi për këtë tender në Agjencinë e Prokurimit Publik është bërë në datën 14 nëntor 2016. Pra në harkun e 3 ditëve OSHEE vendosi të shpenzoj rreth 2.1 miliardë lekë, ku me siguri fituesit e tenderave do të jenë të paracaktuar.