Shqiptari kapet me 25 kg heroinë e kokainë

Një sasi prej 25 kg heroinë dhe kokainë është sekuestruar nga policia italiane në banesën e një shqiptari. Në pranga përfundoi 25-vjeçari Klodian Hakballa, i cili është arrestuar nga policia në Livorno. I riu me qëndrim të parregullt në Itali, ishte pikasur të hynte dhe të dilte nga një vilë private në Calzabigi. Në momentin e ndalimit, shqiptari kishte me vete një shumë prej 1350 eurosh, çka ngritën dyshime tek policia dhe më pas vendosën të ushtronin kontrolle të mëtejshme në banesën e tij. Lënda narkotike është gjetur në një punishte pranë banesës.
Pas gjetjes së lëndës narkotike, rezultoi se shqiptari kishte mbi 23 kg heroinë dhe 1 kg kokainë, dhe një material tjetër tip gaz lotsjellës. Pjesa më e madhe e drogës ishte fshehur në një qese për mbledhjen e mbeturinave. 25-vjeçari me kombësi shqiptare u arrestua me akuzën e posedimit me qëllim shitjen e lëndëve narkotike.
Po ashtu, mediat italiane shkruajnë për arrestimin e një shqiptari që iu gjetën në shtëpi 5 kg kokainë dhe 15 kg hashash, që kapte në treg vlerën e 1 milionë eurove. Arrestimi është bërë në “Via Monti” të Brescias, ndërsa emri i trafikantit ende nuk është publikuar. Bashkë me të u arrestua edhe bashkëjetuesja rumune. Policia italiane thotë se i riu shqiptar ishte një nga furnizuesit më të mëdhenj të drogës në Itali. Ai e shiste lëndën narkotike në lokalet e natës dhe sheshet e qytetit.