Kush janë emrat kryesorë të kabinetit të Presidentit Trump

Në ditët që vijnë amerikanët do të mësojnë se cili do të jetë ekipi që Donald Trump do të ketë në Uashington, kur mbetën rreth 2 muaj nga përurimi i tij, si president i 45-të i Shteteve të Bashkuara. Në media qarkullojnë shumë emra bashkëpunëtorësh të afërt të tij, por deri tani asgjë nuk është zyrtare.
Ceremonia e përurimit do të jetë pas dy muajsh, por Donald Trump duhet të bëjë zgjedhje që do të krijojnë administratën dhe ndikojnë presidencën e tij.
“Jemi me humor të shkëlqyer. Po punojmë fort për të formuar qeverinë”, thotë Kellyanne Conway, menaxhere e fushatës së zotit Trump.
Nën konsideratë janë ata që njihen si përkrahës të fortë të zotit Trump gjatë fushatës, si senatori Jeff Sessions, ndoshta për postin e Sekretarit të Mbrojtjes. “NATO është e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara”, tha senatori Jeff Sessions.
Ish-kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut përflitet për postin e Prokurorit të Përgjithshëm.
“Çfarë do që do të bëhem do ta diskutoj me presidentin e zgjedhur. Do të marr atë post, ku ai vërtet mendon se ka nevojë për mua”, thotë Rudy Giuliani, ish-kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut”.
“Do të jetë një kabinet i shkëlqyer i mbushur me njerëz të kualifikuar dhe që kuptojnë cilat janë objektivat. Ai i ka bërë shumë të qarta”.
Njeriu kryesor i fushatës së zotit Trump, Kellyanne Conway mendohet të jetë një zgjedhje logjike për postin e zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë. Ajo thotë se shefi i saj do të jetë veçanërisht i fokusuar në rezultatet në punën e tij president.
“S’ka më shfajësime. Kemi një president republikan, një Kongres dhe një Senat republikan. Pra, është një mandat prej publikut për t’i bërë gjërat dhe ai do t’i bëjë”, thotë Kellyanne Conway, menaxhere e fushatës së zotit Trump.
Ndërsa, demonstratat kundër zotit Trump vazhdojnë në mjaft qytete, ligjvënësit demokratë nuk e përjashtojnë mundësinë të punojnë me presidentin e ri mbi disa çështje.
“Ne gjithashtu duam do të shohim zhvillim në infrastrukturë. Kemi nevojë të rindërtojmë gjithçka prej transportit, fibrave optike me bandë të gjerë në zonat rurale dhe ato urbane. Këto janë programe që vlejnë. Por duhet të shohim, nëse ai e ka seriozisht, thotë Keith Ellison, ligjvënës demokrat.
Por demokratët theksojnë se do të kundërshtohen ashpër premtimet e zotit Trump, sikurse deportimi i një numri të madh emigratësh pa dokumenta si dhe nxjerrja e një ligji për uljen më të madhe të taksave në historinë amerikane. Askush nuk e di cila do të jetë lëvizja e parë e zotit Trump si president, por ekipi që ai po mbledh pritet të hedhë dritë mbi këtë çështje në ditët që vijnë.