Ballina Sport Juventusi sfumon ëndrra Tiago Silva

Juventusi sfumon ëndrra Tiago Silva

Kanë mbërritur lajme të këqija për tentativën e Juventusit për të marrë Tiago Silvën. Menaxheri i futbollistit brazilian ka zbuluar se, lojtari i tij nuk është në fund të kontratës. “Është e vërtetë që kemi një kontratë të firmosur deri në qershor 2017, por do të rinovohet automatikisht nëse PSG do të shkojë në Ligën e Kampionëve. Kjo klauzolë, të cilën e dimë të gjithë, bën që kontrata me Parisin të skadojë në vitin 2018, ka shpjeguar Paulo Tonieto. Është normale që një futbollist si Tiago Silva t’u pëlqejë shumë klubeve, por unë nuk kam folur kurrë me Juventusin. Kam pasur kontakte me disa skuadra të tjera, jo italiane”.
Plani i drejtuesit të Juventusit, Xhuzepe Marota, ishte të merrte Tiago Silvën me parametër zero. Me PSG që e ka thuajse të sigurt praninë në Ligën e Kampionëve gjatë sezonit të ardhshëm, kontrata e ish-mbrojtësit të Milanit do të rinovohej automatikisht në bazë të një klauzole që përbën problem për Juventusin, por edhe për klubet e tjera të mëdha që kishin nisur të interesoheshin për brazilianin.
“Për momentin nuk kemi diskutuar temën e rinovimit të kontratës, shpjegon menaxheri i brazilianit. Do të flasim në fund të dhjetorit dhe do të vendosim, nëse do të rinovojë apo do të shohim ofertat e tjera. Fjalën e parë do ta ketë PSG-ja”.
Përveç Juventusit, futbollisti brazilian ndiqej me shumë interes edhe nga Milani, i cili me presidencën e re kineze mund t’i mundësojë një kontratë të rëndësishme lojtarit, por edhe klubi i Barcelonës, që e ka ndjekur Tiago Silvën prej disa vitesh. Sakaq, edhe menaxheri i Mançester Junajtid, Hoze Murinjo, nuk e ka fshehur kurrë interesin e tij për futbollistin, që për sezone me radhë konsiderohej mbrojtësi më i fortë në botë.
Ndërkohë, Xhixhi Bufon kërkon portiern i Milanit, Xhanluixhi Donaruma. Interesimi i Mançester Sitit për portierin e Milanit, Xhanluixhi Donarumën, mund ta bëjë këtë të fundit të mendojë një transferim drejt Anglisë. Por portieri i kombëtares italiane dhe Juventusit, Xhanluixhi Bufon, si dhe ish-portieri i Milanit, Kristian Abiati, e kanë këshilluar talentin e ri kuqezi që të qëndrojë në skuadrën e drejtuar nga Montela.
“Unë mund t’i jap një këshillim Mançester Sitit, duke i thënë se Donaruma është një investim i sigurt dhe mund të bëjë një karrierë të rëndësishme. Ndërsa, Xhixhos mund t’i them vetëm se luan në një klub të lavdishëm si Milani dhe po ndërton një karrierë të rëndësishme me kuqezinjtë. Atij do i flisja në vesh disa fjalë, siç i flet vëllai i madh të voglit”, tha Bufon.

Exit mobile version