Gjykata lë të lirë 4 tregtarët e duhanit, pezullon shefin e krimit

Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër i ka dhënë detyrim paraqitje 4 tregtarëve të duhanit të arrestuar pas përplasjes që ata patën në aksionin e antikontrabandës dhe krimit ekonomik për sekuestrimin e duhanit në lagjen “Rus”. Ka qenë kërkesa e Prokurorisë që për Arjan Halilin, Marjan Palalejn, Denis Zefin dhe Astrit Muçajn të caktohej kjo masë sigurie.
Mbi këta shtetas ishte ngritur akuza e kundërshtimit të personave që kryejnë funksione publike, vetëm për rastin e doganierëve. Ndërsa për goditjen e shefit të Krimit Ekonomik, Pjerin Lazri, nuk është ngritur akuza, pasi ky i fundit në operacion nuk ka patur shenjë dalluese që ishte punonjës i policisë.
Jashtë mjediseve të Gjykatës së Shkodrës, ndërsa zhvillohej gjyqi me dyer të mbyllura i kryesuar nga gjyqtari Sokol Shehu, qëndronin kolegët e 4 tregtarëve. Ata shprehen se ndonëse ndaj 4 tregtarëve u mor kjo masë dhe disa herë janë përballur me të tilla aksione sekuestrimi, sërish do të vijojnë të shesin duhanin e kultivuar në tokat e tyre, pasi nuk kanë të ardhura të tjera.
Shteti duhet të gjejë një zgjidhje sipas tyre që të mos ketë më të tilla sekuestrime, që tregtarët i quajnë grabitje, pasi nuk plotësohet asnjë dokument kur u merret malli.
Prokuroria Shkodër pritet të vlerësojë veprimet e doganierëve për të saktësuar nëse ata duhet të ushtrojnë  kontrolle në trotuare.
Brenda një viti ka patur më shume se 5 aksione të tilla, ku tregtarëve u është marrë e gjithë sasia e duhanit. Nga ana tjetër, Gjykata e Shkodrës ka vendosur të pezullojë nga detyra edhe shefin e Krimit Ekonomik, Pjerin Lazri, pasi dyshohet se nuk ka respektuar ligjin.
Forcat e policia kanë ushtruar dhunë ndaj tregtarëve, ndërsa shefi i Krimit Ekonomik, Pjerin Lazri, nxori pistoletën dhe ua drejtoi tregtarëve. Ky veprim i ka irrituar së tepërmi tregtarët, të cilët e kanë qëlluar me qeset e duhanit që ua kishte marrë policia.