Ballina Kulturë Turqia me Trumpin

Turqia me Trumpin

“Daily Sabah”
Donald Trump doli fitimtar i garës më të çuditshme presidenciale të historisë së Shteteve të Bashkuara, duke i bërë për budallenj shumë analistë dhe ekspertë gjatë procesit. Fakti që Trump u bë Presidenti i 45-të pas një fushate që u ndoq me kujdes nga shumë në Turqi, nuk ishte aspak befasues për ne. Në Turqi, kur mbështetja për Trumpin filloi të rritej gjithnjë e më shumë me avancimin e fushatës, zgjedhja e një biznesmeni pa eksperiencë politike në vend të një politikaneje që shfaqej si simboli i sistemit politik, dukej si një recetë e marrë nga doktori.
Shkalla në të cilën janë agravuar tensionet ndërmjet Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara gjatë dy viteve të fundit, veçanërisht për shkak të krizës së Sirisë, ka qenë e paprecedent. Negativiteti publik i shfaqur kundrejt Turqisë nga diplomatët amerikanë dhe politikanët apo komentet e publikuara çdo ditë në mediat amerikane që sulmonin Turqinë, e kanë detytuar publikun turk që të kalojnë më shumë kohë duke ndjekur politikën amerikane dhe politikën e saj të jashtme për të kuptuar këtë fenomen.
Arsyeja përse turqit e konsiderojnë fitoren e Trumpit një shenjë inkurajuese është për shkak të shpresës se, Presidenti i ri mund të sjellë një frymë të re për marrëdhëniet dypalëshe. Edhe pse qëndrimi islamofobik, antiemigrant, fanatik dhe misogjinik i tij kundrejt jetës nuk bie shumë dakord me vlerat e shoqërisë turke me rrënjë të thella në historinë multikulturaliste, Trumpi përsëri sjell shpresë në Turqi se sistemi politik i kalbur dhe zhgënjyes i Shteteve të Bashkuara do të zëvendësohet nga diçka më e mirë.
Dështimi i administratës Obama për të mbajtur premtimet e dhëna, tendenca e Shteteve të Bashkuara për të financuar luftëra për llogari të tyre përmes grupeve terroriste në vend që të bashkëpunojnë me aleatët e tyre historikë në rajon, politikat e hutuara dhe vijat e kuqe të vizatuara me bojë që zhduken shumë shpejt, i kanë shkaktuar shoqërisë turke një sfilitje të vërtetë për këtë aleat strategjik.
Injoranca e sistemit politik të Washingtonit rreth botës që e rrethon përtej interesave të tij të ngushta, si dhe mungesa e vullnetit për të marrë në konsideratë këshillat e aleatëve, i kanë detyruar shumë partnerë strategjikë që t’i kthejnë kurrizin. Rezultatet e zgjedhjeve të së martës në Shtetet e Bashkuara treguan se, politikat e brendshme të sistemit politik të Washingtonit nuk ishin shumë të ndryshme nga ato të jashtmet dhe publiku vendosi me shumicë t’i refuzojë ato të gjitha së bashku.
Fitorja e Trumpit është një reflektim i thellë i falimentimit të elitës amerikane. Votuesve amerikanë i ka ardhur në majë të hundës me politikat që teorikisht sigurojnë interesat e tyre, por në praktikë u shkaktojnë vetëm vuajtje. Rritja e nacionalizmit të së djathtës së largët nëpër botë është vetëm një tjetër shenjë se, elektorati është vazhdimisht dhe thellësisht i zhgënjyer nga elita mashtruese politike.
Kjo është pikërisht arsyeja përse amerikanët vendosën të votonin për Trumpin, i cili u zotua të ndërtonte mure, në vend të Hillary Clintonit, një simbol i sistemit politik që premtoi se do të ndërtonte ura. Sistemi politik flet për të drejta dhe liri, multikulturalizëm, globalizim, por në praktikë arrin të mbrojë vetëm sistemin e padrejtë që favorizon të privilegjuarit.
Amerikanët zgjodhën një fanatik sepse ishin të uritur për ndershmëri dhe e panë ndershmërinë të materializuar tek Donald Trumpi, sado të patolerueshme dhe të neveritshme ishin deklaratat e tij. Publiku amerikan është i ndërgjegjshëm se elokuenca e Obamës ishte vetëm një fasadë dhe fshihte vetëm mirëqenien e grupeve të interesit të mirënjohura.
Fatkeqësisht për Clintonin, ajo nuk arriti ta distancojë veten nga perceptimi se administrata e saj nuk do të ishte asgjë tjetër përveç se një mandat i tretë i Obamës. E-mail-et e saj vërtetuan se ajo dhe familja e saj ishin çelësi që të fuste brenda sistemit politik. Mediat amerikane, nga ana tjetër, dështuan të gjitha sepse nuk arritën të kuptonin atë që po ndodhte.
Në vend që të sulmonin vazhdimisht Turqinë, shtypi amerikan, veçanërisht “New York Times”, duhet të heqë dorë nga qëndrimi përkrahës dhe të hetojë si ka mundësi që nuk ka arritur të parashikojë një tërmet të tillë politik dhe si arriti ta lexojë kaq gabim publikun.
Trumpi, i cili ishte i pari nga liderët botërorë që dënoi grushtin e përgjakshëm të shtetit më 15 korrik, duhet të marrë masa kundër liderit të Grupit Terrorist gulenist (FETÖ) dhe ta ekstradojë atë drejt Turqisë sa më parë. Do të kishte qenë e vështirë, madje e pamundur t’i kërkoje të njëjtën gjë Hillary Clintonit, duke qenë se ajo ka qenë një nga përfitueset e donacioneve politike të FETÖ-s në Shtetet e Bashkuara.
“Daily Sabah” shpreson që zgjedhja e Donald Trumpit do të sjellë edhe ndryshimin e politikës së Shteteve të Bashkuara për ta çuar atë drejt bashkëpunimit me aleatët në vend të grupeve terroriste. Ne gjithashtu ndajmë shqetësimin e myslimanëve amerikanë për rritjen e islamofobisë në Shtetet e Bashkuara, çështje të cilën zgjedhja e Trumpit ka pak gjasa të adresojë. Mund të shpresojmë vetëm që retorika përçarëse e Trumpit është thënë vetëm në zjarrin e fushatës dhe nuk do të reflektojë politikat e administratës amerikane gjatë katër viteve të ardhshme.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Exit mobile version