Shqiptarët e përmbytur, Rama jetë luksi në SHBA

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vizitoi zonat e përmbytura në Lezhë. Së bashku me kryetarin e Bashkisë zotin Fran Frrokaj, lideri i opozitës pa nga afër situatën në Spiten, ku gjendja është kritike dhe në përkeqësim. Banorët janë braktisur në mëshirë të reshjeve që vazhdojnë pa pushim, ndërsa qeveria është zhdukur në drejtim të paditur.
Banor: Me na ndihmue se na jemi në gradën e fundit. Ne nuk kemi çfarë bëjmë tjetër, o me ik, ose me ju lut Zotit se me këtë qeveri që kemi ne nuk kemi pse i lutena. Ai nuk pranon, ai tallet me njerëzit, bë më ardh ai këtu tallet me mue. Si Kryeministër shkarravinë është.
Basha: Ai nuk vjen këtu, ka shku në Amerikë për ekspozitë.
Banor: Është përmbyt tanë Shqipëria, ai shkon atje.
Basha: Ai nuk do me ja ditë as për ju, as për ata që thua ti, të tjerët. As për demokratë, as për socialistë, ai don me ja ditë vetëm për veten e tij. Në kulmin e kësaj situate, kësaj katastrofe ku qindra hektarë janë përmbytur, qindra shtëpi janë përmbytur, ka pasur viktima, ai kërcet dhe ikën për ekspozitat e veta. Kjo është gjendja e jashtëzakonshme. Nuk e shpall gjendjen e jashtëzakonshme, sepse nuk do të dëmshpërblejë dëmet që i janë shkaktuar banorëve nëpër shtëpia, nëpër fusha e kudo tjetër. Situata është shumë e rëndë. Këtu jemi për t’ju thënë që edhe në ditë të vështira bashkë jemi e bashkë do të jemi, nuk ju lëmë vetëm.
Banor: Të lutem shumë kur të vish në qeveri Bordi i Kullimit ose t’i kalojë shtetit, nesër e jotja si qeveri, ose t’i kalojë komplet Bashkisë dhe jo njëri i nënës dhe tjetri i njerkës e të zihena nesër.
Kryebashkiaku Frrokaj tha se, Bashkia Lezhë e ka të pamundur ta përballojë situatën, pasi qeveria i ka dhënë zero fonde. Por fondet nuk kanë as për Bordet e Kullimit, tha Frrokaj, pasi nuk janë prioritet i qeverisë.
Fran Frrokaj: Mesa duket problemi është krejt lart dhe vetëm lart, sepse fondet janë gjithandej shumë të rrezikuara, edhe Bordi i Kullimit po edhe Bashkisë. Sidomos Bashkia është “out” fare, sepse ne kemi kanalet e dyta dhe të treta dhe kanali i parë dhe hidrovori vazhdon të jenë nën varësi të Bordit të Kullimit. Ka një farë diskordance, është edhe problemi i mosfunksionimit të hidrovoreve të energjisë elektrike.
Kreu i opozitës i kërkoi qeverisë të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, të nis shpërndarjen e ndihmave për banorët dhe të zbresë në terren pranë qytetarëve.
Basha: Gjendja është alarmante, flet vetë. Ja shikoni se si përparon njolla e përmbytjes. Asnjë autoritet qeveritar nuk është i pranishëm. Kryeministri ka braktisur njerëzit, ka braktisur të përmbyturit dhe ka shkuar për shtatë palë qejfe të kridhet për lukset e ekspozitave të veta personale. Unë i bëj thirrje autoriteteve; të dislokohen urgjentisht në zonën e përmbytur, të shpallet gjendja e jashtëzakonshme, t’i vihen në ndihmë qindra familjeve që janë të rrethuara nga uji, të mos ndalojnë për asnjë çast hidrovohet, të mos fiken pompat dhe të ndizen vetëm kur vjen kryetari i opozitës, të disolokohen mjetet për të hapur rrugët, të vihen në dispozicion të gjitha kapacitetet e OSHEE-së për vendet ku mungon energjia elektrike dhe të fillojë shpërndarja e ndihmës ushqimore dhe mjeteve të tjera, aty ku përmbytja ka dëmtuar në mënyrë të pariparueshme shtëpitë dhe e ka bërë të pamundur që të kalojnë natën në shtëpitë e tyre.

Banorët e Fushë-Krujës: Kemi 4 ditë nën ujë, askush s’ka ardhur

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vizitoi dje zonën e përmbytur në Fushë-Krujë. Banorët thanë se, askush nuk u ka ardhur në ndihmë, ndërkohë që çarja e argjinaturës së Lumit Zezë rrezikon jetën e mijëra banorëve.
Banor: Është ça argjinatura komplet. Ka katër ditë sot, po të kishte ra shi mbrëmë sot do të ishim përmbytur prapë. Ishalla nesër e ka dhënë kohë e mirë e shpëtojmë ne si popull.
Basha: A ka ardh njeri me e pa.
Banore: Askush fare, fare.
Basha: As bashki, as qeveri?
Banor: Fare, fare asnjë.
Basha: As kryetari i Bashkisë, as Kryeministri?
Banor: Jo, jo, fare asnjë.
Uji i rrëmbyeshëm që vërshoi gjatë të martës ka rrezikuar dhe jetën e banorëve, thonë ata ndërsa tregojnë dëmet e shkaktuara në shtëpi dhe orendi shtëpiake.
Basha: Sa fëmijë ke?
Banore: Unë kam tre fëmijë, burrin s’e kam.
Banore: S’ka as krevate, as dyshekë, asgjë. Po të hysh brenda asi gjë.
Basha: Deri në çfarë niveli shkon uji?
Banore: Ja ku i ke vizat, duket është mbi një metër. Iu shemb rafti i rrobave, kundra bufeja, ranë komplet, porta e shpisë.
Banore: Mbrëmë të gjithë kena dalë, kam hy këtej, kam dalë andej. Kena shku në atë gjendje ku s’ka ku shko më. Tmerr, kalamanjtë një herë.
Banore: Kjo bërtiste hajde më shpëtoni fëmijët.
Basha: Bëhet fjalë për qindra familje nga këtu e deri në Fushë-Krujë, ndërkohë që jemi këtu bashkë me banorët për të parë situatën nga afër. Sigurisht për t’u bërë thirrje të mbrojnë jetët e tyre në radhë të parë dhe për të parë sesi mund t’i ndihmojmë. Asnjë nga Bashkia dhe qeveria nuk është i pranishëm. Sigurisht, Tur Bushi ka hallin e hashashit, Ed Rama ka hallin e pikturave. Hallin e njerëzve këtu nuk e qan askush. Megjithatë ne jemi këtu bashkë me deputetin për të parë gjendjen nga afër, për të parë se çfarë mund të bëjmë me mundësitë tona të kufizuara dhe për t’i bërë thirrje autoriteteve të lënë propagandën, të vijnë këtu, të ndihmojnë njerëzit, t’u vijnë në ndihmë, sepse nuk kanë ku të fusin kokën.
Kreu i opozitës vizitoi dhe disa biznese në këtë zonë, ku përmbytjet u kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme.