Shpenzojnë qindra miliona në vit

Klubet angleze po shpenzojnë me qindra miliona paund në vit, duke blerë yjet më të mëdhenj të futbollit botëror, por kjo nuk do të thotë se nuk dinë të kursejnë. Rivalët për titull në kampionatin anglez, Çelsi, Mançester Siti dhe Liverpuli, janë bërë së fundmi bashkë për të ndarë shpenzimet e faturës së udhëtimit të lojtarëve që kanë dërguar në Amerikën e Jugut.
Bëhet fjalë për udhëtimin e lojtarëve brazilianë, të cilët ata i presin të kthehen sa më shpejt nga Peruja, ku do të luajnë të martën me “Seleçaon”. Klubet kanë porositur një avion çarter, i cili do të kushtojë 120 mijë paund, faturë e cila do të ndahet mes tre gjigantëve anglezë. Filip Kutinjo dhe Roberto Fimino të Liverpulit, David Luiz dhe Uillian të Çelsit si dhe Fernandinjo i Mançester Sitit do të udhëtojnë me këtë avion drejt Anglisë menjëherë pas ndeshjes për t’u kthyer sa më parë në shërbim të klubeve përkatëse.