Shkodra e Lezha nën ujë, banorët kërkojnë ndihmë

Shkodra dhe Lezha janë zonat më të përmbytura, ndërsa banorët e braktisur nga qeveria kërkojnë ndihmë. Shkodra vazhdon të jetë nën ujë si pasojë e reshjve të shiut dhe shkarkimit të ujërave nga HEC-et. Më shumë se 1 mijë hektarë tokë ndodhen në ujë, ndërsa qindra banesa ndodhen të rrethuara nga uji, sidomos në fshatin Kuç. Nga të dhënat zyrtare mësohet se, në rrethin e Shkodrës, lagjia Ajasëm vijon të jetë e gjitha nën ujë. Në fshatin Obot dhe Ana e Malit, rruga është e pakalueshme, ndërsa rreth 300 hektarë tokë ndodhen nën ujë. Po ashtu në fshatin Obot 100 shtëpi vazhdojnë të jenë të bllokuara nga prezenca e ujit.
Shkarkimet e ujit nga kaskada e Drinit kanë përkeqësuar edhe më tepër situatën. Aktualisht Fierza është pranë kuotës maksimale dhe po vijon shkarkimet me 500 meter kub ujë në sekondë. Po kështu edhe në Koman po shkarkohet me 300 meter kub ujë në sekondë. Ndërsa në Hidrocentralin e Vaut të Dejës po shkarkohet me 790 metër kub ujë në sekondë.
Shkarkimet në hidrocentralin e Komanit shtojnë rrezikun për përmbytje në zonën e Nënshkodrës, pasi reshjet rinisën sërish dendur. Shkarkimet në Fierzë kanë vështirësuar qarkullimin mbi urën e lumit Drin që lidh Pukën me Bajram Currin, ndërsa këshillohet evitimi i lëvizjeve sa kohë shkarkimet të jenë të pranishme.
Në hidrocentralin e Fierzës shkarkimet nisën prej mbrëmjes së të enjtes, teksa prurjet anësore e kaluan shifrën e 1000 metër kub për sekondë. Aktualisht, Fierza ndodhet në kuotën e 293 metrave, kur 296.5 metër është niveli maksimal. Prurjet anësore janë 120 metër kub për sekondë, ndërsa po shkarkohen 800 metër kub ujë në sekondë.

Lezhë, 1200 ha tokë nën ujë
Situata vazhdon që të jetë problematike edhe në Lezhë e Kurbin për shkak të përmbytjeve. Në Lezhë ndodhen në ujë 1200 hektarë tokë. Aktualisht janë nën ujë 300 ha në Torovicë, Zejmen-Shënkoll rreth 180 ha, Barbullojë 100 ha dhe Dajç-Blinisht rreth 35 ha, ndërsa 100 hektarë në Bregun e Matit.
Situata më e rënduar është në Bashkinë Kurbin. Në zonat Gjorm dhe Sanxhak, kryesisht, por edhe më gjerë, ka rreth 600 ha nën ujë. Kjo, për shkak të prurjeve në të gjitha drejtimet. Janë në funksion me kapacitet të plotë hidrovoret dhe nuk ka pasur probleme me energjinë elektrike.
600 ha tokë të përmbytura rezultojnë edhe në Kurbin. Në Fushë Gjorm janë 300 ha nën ujë, ndërsa në Fushë Kuqe 90 ha. Lumi Drin është në pikën kritike dhe pritet që të dalë nga shtrati. Situata më e rëndë tek Bregu i Matës, Barbulloj, Balldre, Gocaj, Torovicë, Baqël, Blinisht etj.
Rritje të nivelit të ujit në kuota të larta ka po ashtu edhe në lumin Drin, i cili përshkon mes përmes qytetin e Lezhës. Problem më vetë mbetet edhe mungesa e energjisë elektrike. Mijëra banorë të ish-Komunës Shëngjin, Kallmet, Ungrej apo dhe Zejmen vijon të jenë në errësirë prej tre ditësh.

Drini i Zi përmbyten dhjetëra banesa
Lumi Drini i Zi ka dalë nga shtrati, duke rrezikuar 15 banesa në fshatin Gjoricë të Bulqizës. Prurjet e Drinit të Zi janë shtuar dhe për shkak se pala maqedonase ka hapur portat e hidrocentralit. Ndërkohë, rrëshkitjet e dherave kanë bllokuar rrugët, duke izoluar disa zona të thella. Situata po monitorohet nga Bashkia Bulqizë, ndërsa deri tani nuk ka patur asnjë ndihmë nga qeveria.
Në Rrugën e “Kombit” ka rënë një masiv dheu, ndërkohë reshjet vijojnë të jenë të dendura. Prurjet e lumit Fan janë të dendura dhe 10 familje janë në rrezik. Në Njësinë Rukaj të Matit është shembur ura nga vërshimi i përroit. Në Klos e Xibër raportohet për 12 ura pasarelë të rrëmbyera. Raportohet për përmbytje tokash dhe rrëshqitje dherash.
Në Qarkun e Dibrës janë shtuar ndjeshëm prurjet e përrenjve malore. Si pasojë e gërryerjeve të përrenjve është vështirësuar qarkullimi në disa fshatra. Më problematike situata është në fshatin Gjoricë, ku një përrua që zbret nga malet rrezikon dëmtimin e argjinaturës së lumit Drin.
Reshjet e dendura të shiut po shkaktojnë probleme në shumë fshatra në Qarkun e Dibrës. Raportohet për disa fshatra të izoluara. Prej dy ditësh është dëmtuar vepra e marrjes së ujësjellësit të Sopanikës, duke lënë pa ujë 6 fshatra të Dibrës. Ndërsa vijojnë pa komunikim me qytetin 4 fshatra të Njësisë Administrative Melan, për shkak se mungon një urë. Kurse gjatë mesditës kanë nisur reshjet e dëborës në malet që ndodhen 800 metra mbi nivelin e detit.
R.POLISI