SHBA-Ramës: Kush blen vota të dënohet!

Rekomandimet e bëra nga OSBE për Shqipërinë në lidhje me zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 dhe ato vendore të vitit 2015, duhet të zbatohen para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Kështu është shprehur në një letër drejtuar ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati, ambasadori i SHBA në OSBE, Daniel B. Baer.
“Duke pritur zgjedhjet e ardhshme që parashikohen në vitin 2017, Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje liderëve politikë të vendit të dyfishojnë përpjekjet për të shqyrtuar rekomandimet e bëra nga Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2013, si edhe ato vendore në vitin 2015.
Ashtu siç arriti në përfundim ODIHR-i, duhet bërë më shumë punë për të rritur besimin e publikut në procesin zgjedhor, duke përfshirë garantimin e mosabuzimit të burimeve shtetërore për qëllime fushate, duke rritur transparencën e financimeve të partive politike dhe fushatave zgjedhore dhe duke zbatuar ligje të sakta dhe të qarta kundër blerjes së votës. Këto dhe rekomandime të tjera duhet të zbatohen para zgjedhjeve parlamentare të ardhshme”, theksohet në letër.