Rama: Donald Trump turpi i civilizimit tonë

“Foreign Policy”

Kryeministri shqiptar Edi Rama tha gjatë një interviste se kandidati republikan, sot President i Shteteve të Bashkuara, është duke kërcënuar pozicionin e Amerikës në skenën botërore dhe po shfrytëzon “mungesën e shkollimit”, por të nxitur ndjenja të rrezikshme antimyslimane ndërmjet ndjekësve të tij.
Teksa fliste për “Foreign Policy” gjatë muajit prill, Rama tha se retorika e përdorur nga Trump si pjesë e strategjisë për të siguruar kandidaturën e republikanëve – përfshirë edhe thirrjet për t’i ndaluar myslimanët që të hyjnë në Shtetet e Bashkuara – mund të shkaktojnë tensione të rënda fetare që shteti i tij po përpiqet të shmangë. Vetë Rama është katolik, por është martuar me një grua myslimane.
“Do të doja shumë që ai të kuptonte se ajo që po thotë nuk është mënyra e duhur për ta bërë Amerikën përsëri të jashtëzakonshme, por është mënyra e duhur për të turpëruar Amerikën në sytë e botës dhe në sytë e të gjithë atyre që e shikojnë Amerikën si ‘qyteti i shndritshëm mbi kodër’”, tha ai gjatë intervistës në “Atlantic Council” në Ëashington. “Ai po shfrytëzon mungesën e informacionit, mungesën e shkollimit dhe mungesën e kulturës për fetë dhe besimet fetare”, vijoi Rama.
Mospëlqimi i Kryeministrit shqiptar kundrejt Trumpit dhe politikave të tij nuk është diçka befasuese. Rama është shumë krenar për kohezionin multikulturor të vendit të tij dhe theksoi se Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë që ka pasur më shumë hebrenjë pas Luftës së Dytë Botërore nga sa kishte përpara Holokaustit, sepse popullsia myslimane u tregua e gatshme të strehojë çifutët, duke i fshehur ata nga nazistët. Vendi ka pasur 200 çifutë përpara Luftës së Dytë Botërore dhe mbi 2 mijë pas Holokaustit.
Rama tha se vendi i tij me mazhorancë myslimane ka arritur të frenojë numrin e shqiptarëve që udhëtojnë drejt Irakut dhe Sirisë për të luftuar me Shtetin Islamik, nga 80 në vitin 2014, në zero gjatë vitit të kaluar. Ai tha për “Foreign Policy” se, sistemi i shkollave publike ka ndërmend të implementojë një program pilot të krijuar për t’i mësuar studentëve besimet e tjera fetare në mënyrë që të mos ndihen të detyruar të maten me “ekstremistët radikalë që e quajnë veten luftëtarë myslimanë” apo të simpatizojnë retorikën nativiste dhe antimyslimane të “Donald Trumpit dhe figurave të tjera të ngjashme me të në Evropë, të cilët janë turpi i civilizimit tonë”.
Si një piktor, i cili hyri për herë të parë në politikën shqiptare si ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në vitin 1998, Rama u zgjodh kryetar bashkie i kryeqytetit të Tiranës në vitin 2000. Në këtë post, shërbeu 11 vite dhe u zgjodh Kryeministër në vitin 2013. Si kryetar bashkie, ai mbikëqyri transformimin e Tiranës nga një përmbledhje ndërtesash gri të stilit sovjetik në një nga metropolet më shumëngjyrëshe. Kritikët e tij e akuzuan se është marrë më shumë me aspektin virual të Tiranës dhe ka neglizhuar betejat më të rëndësishme si korrupsioni, varfëria dhe papunësia. Por Rama tha për “Foreign Policy” se, “zbukurimi i qytetit kur qyteti kishte kaq shumë probleme të tjera ishte një mënyrë për t’u hapur me komunitetin dhe për ta bindur komunitetin që të luftonte probleme të tjera”.
“Mendoj se nuk mund të zgjidhësh problemin e varfërisë pa krijuar kushtet ku njerëzit të jetojnë në një hapësirë më të bukur, në një mjedis më të pastër dhe dinjitoz”, tha ai.
Si Kryeministër, Rama i ka vënë vetes qëllime më të mëdha: anëtarësimin e plotë në Bashkimin Europian, i cili do të ishte një avantazh ekonomik dhe politik për vendin e tij me 3 milionë banorë. Shtëpia e Bardhë po përpiqet ta ndihmojë atë ta arrijë këtë, duke shpenzuar 25 milionë dollarë këtë vit në iniciativa të qeverisjes së mirë dhe përforcimit të ligjit, faktorët kryesorë të anëtarësimit në BE. Shqipëria është bërë zyrtarisht kandidate në vitin 2014 dhe Uashingtoni mbështeti me sukses ambiciet e mëparshme të vendit për t’u anëtarësuar në NATO në vitin 2009. Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry vizitoi Shqipërinë për herë të parë në muajin shkurt.
Ndryshe nga vendet fqinje, Shqipëria nuk është kthyer në ndalesë të rrugës së Ballkanit për shumë emigrantë që duan të shkojnë në Austri dhe Gjermani, përpara se Maqedonia, Kroacia dhe Sllovenia të mbyllnin kufijtë gjatë këtij viti. Rama tha se qeveria e tij ka bashkëpunuar ngushtë me policinë italiane për t’u përgatitur në rast se emigrantët e ndryshojnë rrugën e tyre, duke kaluar nga Shqipëria, drejt Italisë përmes detit. Shqipëria ka parë me kujdes si është rritur ndjeshëm retorika antiemigracion në Evropën Perëndimore, përfshirë edhe në Francë, pasi Shteti Islamik vrau 130 persona.
Tani që anëtarësimi në BE shihet si një mundësi reale, Rama ndodhet përpara perspektivës së bashkimit me një entitet të përbërë nga vende ku është rritur ndjeshëm retorika e djathtë dhe ajo antimyslimane dhe ku shumë liderë mbështesin teoritë dhe politikat që ai urren.
“Edhe Europa ka shumë liderë të ngjashëm me Donald Trumpin, të cilët e kanë turpëruar Evropën përpara tij me qëndrimin e tyre për emigrantët, për myslimanët dhe për vetë Bashkimin Evropinan”, tha ai.

Trump, fatëkeqësi për Amerikën

Rama e ka konsideruar Presidentin e ri amerikan si një fatkeqësi për Amerikën dhe një kërcënim për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA.
“Mos e dashtë Zoti që Amerika ta zgjedhë Trump për president”. Kështu është shprehur Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Zonën e Debatit në Klan “Kosova” disa muaj më parë, kur fushata e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara kishte nisur dhe Trump ishte nominuar si i zgjedhuri i Partisë Republikane.
Rama ka treguar se është lutur që kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të mos zgjidhet në këtë post. Ai ka thënë se nëse ndodh që Trump të zgjidhet si i pari i SHBA-së, atëherë do të përkeqësoheshin marrëdhëniet diplomatike.
Rama e ka bërë të qartë se ky nuk ka qenë mendimi i tij si një analist i pavarur, por ka folur si Kryeministër i Shqipërisë, duke rrezikuar realisht tani me qenien në krye të qeverisë marrëdhëniet me partnerin kryesor strategjik të Shqipërisë.
“Trump është një fatkeqësi për Amerikën dhe një kërcënim për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Mos e dhëntë Zoti që ta zgjedhin President se ky do të ishte një kërcënim real për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Unë nuk e ndaj asnjëherë veten nga vetja sot jam edhe Kryeministër”.
Lideri global nga Surreli ka shkuar edhe më tej kur ka thënë se do të ishte i lumtur që deklaratat e tij poshtëruese ndaj Presidentit amerikan të merrnin dhenë. “Do të isha shumë i lumtur që kjo deklaratë të merrte dhenë”, tha Rama në atë intervistë për Klan “Kosova”.

Rama në CNN: Trump cenim për imazhin e SHBA

– Kryeministri i Shqipërisë thotë se zgjedhja e mundshme si president e kandidatit që kryeson garën e republikanëve do të dëmtonte marrëdhëniet amerikane me këtë vend. Pyes Edi Ramën se përse e tha këtë dhe se çfarë nënkupton ekzaktësisht?
SHBA është “një qytet i shndritshëm mbi një kodër” për ne, por perspektivat që po dëgjojmë nga Donald Trump janë me të vërtetë shqetësuese dhe po cenojnë realisht atë çka SHBA është në sytë tanë.

– Ju jeni në dijeni, pa dyshim, që kortezia diplomatike zakonisht nënkupton që liderat e huaj nuk komentojnë mbi zgjedhjet në vende të tjera, por duket qartë se ju keni vendosur që kjo çështje është aq e rëndësishme sa që e tejkalon këtë protokoll…
Nuk komentova mbi zgjedhjet. Unë thjesht thashë diçka që kuptoj, pastaj nuk jam as i pari dhe as i vetmi që e thotë. Udhëheqës të tjerë në Europë kanë shprehur të njëjtat shqetësime, pasi SHBA-të janë vend lider dhe shumë të rëndësishme për të përkitur vetëm vetes së tyre. SHBA është në sytë tanë një lider botëror, që ne e ndjekim si një shembull vërtet frymëzues dhe ky shembull frymëzues është ngritur mbi vlera dhe parime për të cilat Amerika ka luftuar dhe që e kanë bërë Amerikën të madhe.

– Nëse do të ndodhë që Donald Trump të fitojë emërimin e Partisë Republikane, atëherë do të bëhet shumë më e ndërlikuar për të gjithë ata që kanë shprehur këtë frikë?
Larg qoftë! Besoj se do të dëmtonte shumë SHBA-në dhe do të dëmtonte shumë botën demokratike, pasi ai, në fund të ditës do të duhet të bënte disa prej gjërave që po thotë se do të bëjë dhe pa dyshim, kjo do të ishte shumë e dëmshme. Gjithashtu, shpresoj që ndërkohë ai të jetë në gjendje të mësojë më shumë mbi botën, të mësojë më shumë mbi myslimanët, të mësojë më shumë se si ka shumë njerëz, që pavarësisht besimit apo etnisë së tyre, jetojnë me krenari me vlerat që Amerika përfaqëson dhe i mbrojnë këto vlera, edhe përmes sakrifikimit të fëmijëve të tyre, në luftërat që bëjnë përkrah Amerikës.