Kukan: Shqetësim për zgjedhjet, s’ka datë për hapjen e negociatave

Eurodeputeti për Zgjerimin e BE-së, Eduard Kukan deklaroi për mediat se, nuk ka një datë për hapjen e negociatave, ndërsa bëri të qartë se zgjedhjet janë një test i rëndësishëm për demokracinë dhe se ishte i shqetësuar se asnjë nga kushtet e ODIHR nuk është përmbushur deri tani për procesin zgjedhor.
“Zgjedhjet në çdo vend janë me të vërtetë testi më transparent për demokracinë e vendit: si përgatiten, si zhvillohen në ditën e zgjedhjeve, pranohet rezultati apo jo nga të gjitha partitë politike, janë apo jo të besueshme dhe në mënyrë që të kryeni këtë, ju keni 53 rekomandime nga ODIHR. Unë jam sinqerisht i shqetësuar që nuk i keni zbatuar ato dhe koha po përfundon”, tha Kukan.
Zoti Kukan theksoi rëndësinë e miratimit të Ligjit të Vetingut dhe nisjen e zbatimit të Reformës në Drejtësi si kushtin kryesor për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, ndërsa e konsideroi një të drejtë legjitime ankimimin në Gjykatën Kushtetuese të Ligjit të Vettingut. “Opozita ka të drejtën legjitime për të dërguar këto ligje në Gjykatën Kushtetuese, nuk po shkelin asgjë, është e drejta e tyre e shenjtë dhe Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë nëse Ligji i Vetingut është kushtetues apo jo”, tha Kukan.
Europarlamentari e ka thënë prerë dhe troç se nuk ka një datë për hapjen e negociatave dhe se vendimi lidhet me plotësimin e kushteve të vendosura. “Data ose koha e saktë për të filluar negociatat për anëtarësim është e lidhur me kushtet që përmenden në raport. Theksi është tek zbatimi i Reformës në Drejtësi”, tha Kukan, duke rrëzuar propagandën qeveritare që pretendon se nuk ka kushte për hapjen e negociatave.
“Pa zgjidhur këto probleme, veçanërisht ligjin e rivlerësimit duket se komisioni nuk është gati të rekomandojë një datë për fillimin e negociatave për anëtarësim”, thotë Kukan.
“Nuk mendoj se, komisioni do të presë për zbatimin e të gjithë ligjeve të Reformës në Drejtësi. Zbatimi i të gjithëve mund të kërkojë shumë kohë. Por nëse vetëm njëri zbatohet apo dy prej tyre, kjo do të tregojë se është e mundur për vendin që të zgjidhë këto çështje. Mendoj se në atë kohë, një datë mund t’ju caktohet”, tha europarlamentari.

Kosto e të sëmurit, Greqia do të votojë kundër hapjes së negociatave

Ndërkohë që nuk ka ende një datë për hapjen e negociatave për Shqipërinë në BE, mediat greke referuar në burime të vetat diplomatike raportojnë se, Athina po shqyrton vendosjen e vetos ndaj vendit tonë, shkruan “Panorama”, duke iu referuar mediave greke.
Gazeta greke “Kathimerini” shkruan se nuk ka ende datë për hapjen e negociatave me Shqipërinë, në raportin e fundit të BE-së. Raporti i progresit është shkruar në një stil të kujdesshëm në një mënyrë që lejon në Tiranë optimizëm për të ardhmen e Shqipërisë, por nuk ka datë për negociata. Gjithashtu, ka shumë “njolla gri” për liberalizimin e ekonomisë si dhe mangësi serioze në fushën e krimit të organizuar, të cilat përbëjnë një hap prapa. Marrëdhëniet me Greqinë janë klasifikuar si “përgjithësisht pozitive, me vizita të shpeshta të zyrtarëve të nivelit të lartë”.
Aty theksohet vizita e fundit (qershor) e ministrit të Jashtëm grek Kotzia në Tiranë, ku, siç u përmend, “të dy vendet diskutuan për krijimin e një mekanizmi të përbashkët për trajtimin e çështjeve dypalëshe”. Burimet diplomatike në Athinë raportojnë se, çështjet do të gjykohen në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme (në nivel të ministrave të Jashtëm të BE-së), që do të mbahet në fillim të dhjetorit. Pastaj, këto propozime do të diskutohen disa ditë më vonë në samitin e dhjetorit. Vëzhgues me përvojë kanë theksuar se, axhenda është aq e komplikuar sa është e vështirë për të marrë një vendim për t’i dhënë Shqipërisë datën e negociatave për anëtarësim.
Para marrjes së ndonjë diskutimi të tillë, Athina është e vendosur të vërë në tavolinë një numër çështjesh, kryesisht atë të qëndrimit të qeverisë shqiptare me minoritetin Kombëtar grek në Shqipëri, veçanërisht me rastin e 19 shembjes së banesave të tyre në Himarë. “Në Athinë, perspektiva e vetos nuk është aspak e këndshme, por burime sugjerojnë se, ajo do të vihet nëse kjo është e nevojshme dhe nëse nuk tregohet me vepra vullneti për fqinjësi të mirë”, shkruan gazeta greke.