Ballina Aktualitet Vendi nën sundimin e krimit, dy të vrarë në Lezhë e Vlorë

Vendi nën sundimin e krimit, dy të vrarë në Lezhë e Vlorë

Vendi ndodhet nën sundimin e krimit prej kohësh, ku përditë ndodhin vrasje dhe plagosje me armë, grabitje nga maskat dhe shpërthime tritoli. Vetëm ditën e djeshme u kryen dy vrasje, një në Lezhë dhe një në Vlorë. Pronarja e një salloni parukerie u ekzekutua paraditen e djeshme brenda në lokalin e saj në qytetin e Lezhës. Një person është futur me armë në dorë në lokal dhe ka qëlluar dy herë në drejtim të pronares 28-vjeçare Etleva Ndoka dhe është larguar me shpejtësi. 28-vjeçarja ka marrë dy plumba pistolete në zemër dhe është dërguar menjëherë në Spitalin e Lezhës, por megjithë ndërhyrjen e mjekëve, ajo nuk ka mundur të mbijetojë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 11:00 të ditës së djeshme në qendër të qytetit të Lezhës në bulevardin “Gjergj Fishta”. Sipas të dhënave të policisë 28-vjeçarja Etleva Ndoka, nënë e një fëmije është qëlluar me dy plumba pistolete në zemër, nga shtetasi Alfred Nikolli 31 vjeç nga Lezha. Kanë qenë kalimtarë të rastësishëm, të cilët kanë dëgjuar të shtënat dhe kanë shkuar menjëherë për t’i ardhur në ndihmë 28-vjeçares. Kjo e fundit u dërgua me urgjencë në Spitalin e Lezhës, po ndërroi jetë, pasi nuk mundi që t’ju shpëtojë dy plagëve që kishte marrë në gjoks. Në momentin e ngjarjes, brenda sallonit të bukurisë ka qenë dhe një vajzë tjetër, e cila ishte bashkëpunëtore e viktimës. Ajo është marrë në pyetje nga grupi hetimor, për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Viktima ishte nga fshati Spiten i Lezhës e martuar dhe nënë e një fëmije të mitur. Ajo ushtronte profesionin si parukiere prej më shumë se një viti në qytetin e Lezhës, ndërsa dyqanin rezulton ta kishte marrë me qira.
Autori i vrasjes së Etleva Ndokës u arrestua disa orë pas ngjarjes. Ai po lëvizte me makinë në fshatrat e Mirditës, kur një telefonatë sinjalizoi policinë. Alfred Nikolli 31 vjeç nga Rrila e Lezhës dyshohet se kishte lidhje të ngushta me viktimën 28- vjeçare, nënë e një djali. Megjithatë nuk dihet nëse ishte një lidhje shoqërore apo më tepër se aq. Sipas policisë, autori i dyshuar i ngjarjes Alfred Nikolli, 31 vjeç nga Lezha, kohët e fundit kishte konflikte me viktimën.
Policia dhe Prokuroria e Lezhës dyshojnë se kjo ngjarje është krim pasioni. Sipas hetuesve mes autorit dhe viktimës ka patur një lidhje intime. Etleva Ndoka i ka kërkuar që të ndahen, por Alfred Nikolli nuk ka pranuar.
Familjarët e të dy palëve janë marrë në pyetje nga policia, e cila duket se ka mësuar të vërtetën e lidhjes midis çiftit, por për rrethana të tjera nuk publikon detaje. Grupi hetimor ka siguruar si provë deponimet nga dëshmitarë okularë. Vrasja është regjistruar edhe nga disa kamera të sigurisë së parukerisë.

Vrasja në Vlorë

Vetëm pak çaste pas vrasjes së pronares së një dyqani në Lezhë, një tjetër vrasje ka ndodhur këtë radhë në Vlorë. Një 23-vjeçar është vrarë me breshëri automatiku pas një konflikti. Sipas burimeve, 23-vjeçari Mario Ribaj ka shtënë me armë zjarri tip “automatik”, ndaj bashkëmoshatarit të tij Fabjon Veizaj, i cili ka mbetur i vdekur në vend.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Vranisht të Vlorës në orën 12:30, pranë banesës së viktimës Veizaj. I riu ka gjetur vdekjen e menjëhershme, pasi plumbat i kanë prekur organet jetësore. Autori i krimit Mario Ribaj është larguar menjëherë, ndërsa Policia e Vlorës bëri të ditur se është vënë në kërkim të tij.
Viktima dhe autori, sipas dëshmive në fshat, ishin shokë. Të dhënat paraprake tregojnë se krimi ka ndodhur pas një konflikti për shitjen e një makine, për të cilën dy të rinjtë nuk kanë rënë dakord. Policia bën me dije se ka ngritur grupe kontrolli të posaçme në rrugët dalëse të fshatit Vranisht dhe në drejtim të fshatrave të tjerë për të kapur autorin.

R.POLISI

Exit mobile version