Vendi i përmbytur, i Sëmuri hap ekspozitë

Pasioni i tij për vizatimin është shumë i madh! Aq i madh sa mund të lërë qytetarët që e kanë zgjedhur në mes të përmbytjes që shkaktoi tre viktima, mund të braktisë një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të thirrur nga Presidenti i Republikës për drogën me arsyetimin se “ka një arsye madhore”, apo mos thotë asnjë gjysëm fjale për 1 viktimë dhe katër të plagosur në rafinerinë e aferave të tij. Eshtë fjala për atë që duhet të ishte kryeministri i këtij vendi por së fundmi ka zbuluar një pasion të hershëm, pikturën! U nis më datë 10 në drejtim të Neë Yorkut, në një ekspozitë të organizuar nga miku i tij i hershëm i pazareve Anri Sala. Rrugëtimi i tij këtë herë ishte i pa bujë, jo siç ka bërë rëndom kur ka kapërcyer oqeanin. Në fakt ishte projektuar që ai të shfaqej atje si triumfator pas deklaratave kundër Presidentit të zgjedhur Trump, që sërish tregojnë se në papërgjegshmërinë e tij dhe luftën për karrierë personale kryeministri nuk ka të dytë.

Situata në vend

Rama do hapë një galeri që do zgjasë për më shumë se një muaj në Marion Goodman Gallery, e cila ndodhet mes rrugës 5 dhe 6 në Manhattan, vetëm 7 blloqe larg Rockfeler Center. Galeria është njoftuar në datat 11 deri më 23 dhjetor, pra për plot  42 ditë në qendër të Neë York-ut dhe duke pasur parasysh çmimet e çmendura atje, duhet një shpjegim për publikun se nga vijnë këto të ardhura? Rama ka zgjedhur kohën më të papërshtatshme për punët e tij si kryeministër për t’u marrë me art. Ditën e djeshme Presidenti i Republikës, thirri Mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, që do të diskutojë për hashashin, por Rama preferoi që t’ia delegonte pjesëmarrjen Niko Peleshit, zëvendësit të tij. Në letërkëmbimin me Presidencën, sipas burimeve qeveritare mësojmë se stafi i Ramës, e ka arsyetuar mungesën e tij në këtë mbledhje tejet të rëndësishme “për asye madhore”. Dhe jo vetëm kaq! Rama niset nëpër në Amerikë, në një kohë kur gjysma e vendit ndodhet nën ujë ku si pasojë humbën jetën tre qytetarë të këtij vendi. Qindra njerëz e kalojnë natën jashtë ndërkohë që priten të tjera reshje që mund të sjellin sërish pamjet e disa ditëve më parë. Ai që duhet të bëjë kryeministrin niset në Neë York, në një kohë që në rafinerinë e Ballshit, dje u vra një tjetër qytetar dhe u plagosën katër të tjerë. Asnjë ngushëllim, asnjë “meakulpa” nga ana, sepse ishte ky dhe ministri i tij që shpejtuan të hapin jashtë çdo kriteri rafinerinë, që me sa duket i shërben aferave të dyshimta të Ramës dhe miqve të tij! Dhe jo vetëm kaq,  sot është dhe ndeshja me Izraelin dhe nga ana e shërbimeve sekrete të këtij vendi, kanë ardhur njoftime për sulme terroriste, gjë që cënon sigurinë kombëtare. Katër persona janë arrestuar për këtë çështje, ndërkohë që janë bllokuar rrugët e kryeqytetit, por sërish Rama mban leksione pikture. Ah që mos harrojmë, shqetësimi i tij më i madh dje ishte që Gjykata Kushtetuese të mos pengojë Vettingun, dhe këtë e kishte postuar në rrjetin e tij social Facebook. Këtë herë kish preferuar të mos flasë vetë, siç bën rëndom por se ç’kish gjetur një karagjozllëk të animuar për ta postuar atje.

Papërgjegjshmëria

Nuk është hera e parë që kryeministri jonë sillet në këtë mënyrë me qytetarët e tij. Kush e kujton janarin e vjetshëm, kur vendi përmbytej dhe njerëzit flinin jashtë në të ftohtë, Rama preferonte rrezet e ngrohta të Majemit, ku kish shkuar me bashkëshorten në një “qokë dasme” e cila me sa duket ishte shumë e rëndësishme për fatet e vendit. Rama dita ditës tregon me veprimet e tij,  se është një njeri i cili postin e kryeministrit e sheh si benefit personal. Në asnjë vend të botës, nuk ndodh që një kryeministër të cilit i shpërthejnë rafineritë, i përmbyten njerëzit, i vihet vendi i tij në shënjestër të terrorizimit, apo ku çdo pëllëmbë tokë të jetë mbjellë me drogë, dhe ai të cilësojë si arsye madhore hapjen e ekspozitës së tij si aspirant në pikturë. Ndoshta atij vetë do i shkonte më shumë përshtat shprehja që ai e ka fort përzemër, por që e përdori në vendin e gabuar “Një turp për Shqipërinë dhe shqiptarët”

Andi ZOTAJ