Shpërthen revolta: “Rama mos e kruaj me Shkodrën”

Qindra qytetarë shkodranë u hodhën në protestë mesditën e djeshme përpara Drejtorisë së Policisë së Shkodrës kundër terrorit policor ndaj tregtarëve të duhanit. Me parulla në duar; “Rama ik”, “Rama mos e kruaj me Shkodrën”, “Qeveri hajdute”, etj, protestuesit kanë kërkuar largimin e qeverisë. Protesta u organizua nga dega e PD Shkodër pas dhunës së policisë ndaj tregtarëve të duhanit në tregun e ngritur në lagjen “Rus”. Gjatë përplasjes së policisë me tregtarët e duhanit, shefi i Krimit Ekonomik në Polici, Pjerin Lazri, kërcënoi me pistoletë tregtarët e duhanit. Dhuna policore ka krijuar revoltë tek të gjithë banorët e Shkodrës, të cilët kanë paralajmëruar se do të përshkallëzojnë protestat. Te disa shitës duhani ka shkaktuar reagime të ashpra.
Gjatë protestës para Drejtorisë së Policisë, kryetari i PD Shkodër, Ramiz Çobaj deklaroi se, Partia Demokratike dënon me forcë sjelljen e rrezikshme të oficerit të Krimit Ekonomik, i cili u drejtoi armën tregtarëve. Çobaj u shpreh më tej se, Partia Demokratike e Shkodrës kërkon nga organet kompetente zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje si dhe dënon me forcë veprimet e paprecedent të kryera nga punononjës me armë dhe të veshur me pushtet.
“Ata të cilët kanë lejuar që Shqipëria të kthehet në Republikën e Kanabisit, sot nën kërcënimin e armëve po dhunojnë fermerët e Shkodrës, të cilët të vetmen të ardhur për të siguruar bukën e gojës kanë tregtimin e duhanit. Dogana shqiptare për të disatën herë i dhunon, duke iu sekuestruar duhanin, burimin e të ardhurave fermerëve të Shkodrës dhe kësaj here tentoi që këtë ta bëjë përmes dhunës dhe përdorimit të armëve e ndihmuar edhe nga një oficer i Krimit Ekonomik”, u shpreh kreu i PD të Shkodrës.
Çobaj tha më tej se, Partia Demokratike dënon me forcë sjelljen e rrezikshme të oficerit të Krimit Ekonomik, i cili në vend që të luftonte kanabisin në Shkodër, nxjerr armën në mes të turmës së pa armatosur, e cila ka dalë aty për të fituar bukën e gojës. “Dogana shqiptare si një organizatë grabitëse edhe kësaj radhe e ka dëshmuar se është në shërbim të krimit dhe kontrabandës, pasi sulmon si e babëzitur për të disatën herë kultivuesit dhe tregtarët e duhanit. Nga ana tjetër, lejon që në doganat e vendit të zhvillohet lirisht kontrabanda e cigareve dhe mallrave të tjera të akcizës”, deklaroi Çobaj.
Kryetari i PD të Shkodrës tha më tej se, qeveria nuk ka asnjë projekt për t’u ardhur në ndihmë kultivuesve të duhanit, por vetëm ka mbështetur plantacionet e kanabisit në të gjithë vendin. “Asnjë projekt qeveritar nuk kemi parë deri tani, i cili do u vinte në ndihmë kultivuesve të duhanit në Shkodër, pasi kjo qeveri është e angazhuar në mbrojtjen e plantacioneve të kanabisit, të cilat kanë mbuluar vendin. Partia Demokratike e Shkodrës kërkon nga organet kompetente zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje si dhe dënon me forcë veprimet e paprecedent të kryera nga punonjës me armë dhe të veshur me pushtet”, përfundoi kryetari i PD Shkodër, Ramiz Çobaj.
Voltana Ademi: Rama terror politik në Shkodër!
Për ngjarjen e rëndë të Shkodrës, ku shefi i Krimit Ekonomik nxorri pistoletën dhe kërcënoi disa shitës duhani, ka reaguar edhe kryetarja e Bashkisë, Voltana Ademi. Ajo e cilësoi ngjarjen një terror shtetëror. “Ky është terror shtetëror, zoti kryeministër. Ju dhe qeveria juaj po prodhoni terrorizëm politik në Shkodër”, shkruan Voltana Ademi në adresën e saj në Facebook.
Disa orë pas ngjarjes së rëndë, reagoi edhe Policia e Shkodrës, e cila mori në mbrojtje shefin e Krimit Ekonomik, Pjerin Lazri, që nxori pistoletën dhe kërcënoi shitësit e duhanit. Në një deklaratë për shtyp, Policia e Shkodrës ka thënë se, “ishte në mbështetje të doganës me qëllim goditjen e kontrabandës me mallra që paguhet akcizë, kryesisht produktet e duhanit të grirë, të cilët kanë detyrim ligjor të pajisen me pullë fiskale nga Ministria e Financave”. Njëkohësisht në deklaratën e policisë thuhet se, “Drejtoria e Standardeve Profesionale po verifikon edhe veprimet e punonjësve të Policisë gjatë ndërhyrjes”, por nuk thuhet asnjë fjalë për veprimet e paligjshme të Pjerin Lazrit, i cili nxorri armën e shërbimit duke kërcënuar njerëzit.

Shefi i krimit nxjerr pistoletën dhe ua drejton tregtarëve të duhanit

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në qytetin e Shkodrës, ku shefi i krimeve ka nxjerrë pistoletën nga brezi dhe ua ka drejtuar shitësve të duhanit. Policia e Shkodrës dhe punonjësit e doganës së këtij qyteti kishin shkuar në lagjen “Rus”, ku ndodhet tregu i duhanit duke u rrëmbyer tregtarëve duhanin që kishin nxjerrë për të shitur për bukën e gojës. Forcat e policisë u kanë rrëmbyer duhanin tregtarëve dhe e kanë futur në furgonin e policisë, por tregtarët kanë reaguar, duke shkuar tek makina e policisë për të marrë mallin e tyre me të cilin ata siguronin bukën e gojës për fëmijët. Por forcat e policisë kanë reaguar ashpër, duke ushtruar dhunë ndaj tregtarëve, ndërsa shefi i Krimit Ekonomik, në Policinë e Shkodrës, Pjerin Lazri, ka nxjerrë pistoletën dhe ua ka drejtuar tregtarëve. Ky veprim i ka irrituar së tepërmi tregtarët, të cilët e kanë qëlluar me qeset e duhanit që ua kishte marrë policia.
Në një video të shpërndarë menjëherë në rrjetet sociale duket se si shefi i Krimit Ekonomik në Policinë e Shkodrës, Pjerin Lazri, ka nxjerrë pistoletën dhe ka kërcënuar shitësit e duhanit. Lazri shihet në video teksa nxjerr pistoletën, ia drejton njërit prej shitësve dhe më pas e fut sërish në brez. Ky veprim ka acaruar edhe më keq qytetarët, të cilët kanë hapur derën e makinës, kanë nxjerrë jashtë qeset e duhanit dhe kanë qëlluar në drejtim të shefit të Krimit Ekonomik. Nxjerrja e armës nga drejtuesi i policisë është një veprim flagrant dhe në shkelje të ligjit, i cili e ndalon mbajtjen, nxjerrjen apo përdorimin e armëve në grumbullime publike.
Pavarësisht kësaj ngjarjeje të rëndë, tregtarët u shprehën se janë të vendosur për të vijuar punën për të mbajtur fëmijët me bukë. “Na e kanë marrë duhanin pa asnjë dokument. Na e rrëmbyen me dhunë. Ne dalim për të mbajtur fëmijët me bukë, por ata nuk lejojnë shitjen e duhanit, ndërsa plantacioonet me drogë nuk i prekin”, u shpreh një tregtar.
Tregtarët e duhanit vijnë nga zona të ndryshme, kryesisht nga fshatrat e njësisë Guri Zi dhe Postribë, për të shitur duhanin që e kultivojnë vetë dhe më pas e bëjnë gati për treg. Kjo mënyrë sipas Doganave dhe Tatimorëve cilësohet si kontrabandë, ndaj edhe herë pas here janë zhvilluar aksione për sekuestrimin. Tregtarët nuk janë dakord për këto aksione, sepse, sipas tyre, me shitjen e duhanit mbajnë familjet e tyre dhe thonë se nuk kanë të ardhura të tjera. Po ashtu, nuk ka as një treg për ta shitur duhanin, ndërsa atë nuk ia grumbullon shteti, por as ndonjë grumbullues privat për eksport apo përpunim të brendshëm.

Basha: Shteti-bandë i Ramës grabit e kërcënon me armë

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka reaguar për dhunën policore në Shkodër ndaj tregtarëve të duhanit. Në një postim në rrjetin social Facebook, Basha ka paralajmëruar Ramën që të mos luajë me popullin. “Shteti-bandë i Edi Ramës sot në Shkodër, duke grabitur e kërcënuar me armë qytetarët. Ligji është i shenjtë e duhet zbatuar, por kur Edi Rama me bandën e tij është shkelësi më i madh i ligjit në vend, atëherë revolta është zgjidhja. Me popullin nuk luhet. #Shqipëria më mirë pa Edi Ramën”, shkruan Basha.
Policia e Shkodrës ushtroi dhunë dhe u grabiti duhanin tregtarëve të Shkodrës në lagjen “Rus”. Ndërsa shefi i Krimit Ekonomik, në Policinë e Shkodrës, Pjerin Lazri, ka nxjerrë pistoletën dhe ua ka drejtuar tregtarëve. Ky veprim i ka irrituar së tepërmi tregtarët, të cilët e kanë qëlluar me qeset e duhanit që ua kishte marrë policia.

Berisha: Lufta për kafshatën!

Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar për ngjarjen e rëndë të shefit të Policisë së Shkodrës që nxorri armën dhe kërcënoi qytetarët. Në një postim në rrjetin social Facebook, Berisha ka publikuar edhe videon ku duket qartë se si shefi i Krimit Ekonomik në Shkodër, Pjerin Lazri, nxjerr pistoletën nga brezi dhe ua drejton tregtarëve.
“Shefi i Krimit Ekonomik të Shkodrës, Pjerin Lazri, i cili në kundërshtim flagrant me ligjet nxjerr dhe kërcënon me revole fshatarët që shisnin duhan, pasi atyre jua sekuestruan mallin. Fshatarët që luftojnë për kafshatën e gojës të fëmijëve të tyre shpërthejnë në revoltë, linçojnë shefin e krimeve dhe marrin mallin e tyre. Të gjitha këto duken qartë në videon e mëposhtme! sb”, shkruan Berisha. Videoja e bërë publike në rrjetet sociale, tregon sesi Shefin i Krimit Ekonomik në Policinë e Shkodrës, Pjeri Lazri, me veshje civile, kërcënon me armë tregtarët.

Reagon PD e Shkodrës

Partia Demokratike e Shkodrës ka reaguar ashpër për dhunën policore ndaj tregtarëve të duhanit dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të denoncojnë dhe të bëjnë publik çdo rast të ngjashëm. Nënkryetarja e PD-së së Degës së Shkodrës, Greta Bardeli, tha gjatë një komunikimi me mediat se, sjellja e të pangopurve, e falangave të dhunës së qeverisë që provokojnë qytetarët në hallin e tyre, është e papranueshme dhe e dënueshme.
“Të dashur qytetarë të Shkodrës, mbarë opinioni publik është njohur me një nga shfaqjet më brutale të individëve të veshur me pushtetin e qeverisë ndaj disa qytetarëve që merren me tregti për të mbajtur me bukë fëmijët e tyre, e për të mbijetuar në këtë kohë dramatike për ekonominë dhe qytetarët e Shkodrës. Sjellja e të pangopurve, e falangave të dhunës së qeverisë që provokojnë qytetarët në hallin e tyre, është e papranueshme dhe e dënueshme për ne të gjithë si qytetarë”, thuhet në deklaratën për shtyp të nënkryetares së PD Shkodër.
Në deklaratën e nënkryetares së PD të Shkodrës thuhet më tej se, Partia Demokratike i bën thirrje qytetarëve të denoncojnë dhe të bëjnë publik çdo rast të tillë dhe të gjithë si shoqëri të dënojmë me forcë akte të tilla. “Qetësia, respekti, dinjiteti qytetar janë të shenjta dhe inspektorët e qeverisë mos të guxojnë të ngrenë dorën dhe armët ndaj grave, burrave. Mos të guxojnë të provokojnë qytetarët e Shkodrës. Të mbështetemi në vlerat tona qytetare dhe të përbuzim së bashku dhunën”, përfundon deklarata e nënkryetares së Degës së PD Shkodër.

R.POLISI