Ballina Kryesore Naftëtarët vriten, dy muaj pa rroga

Naftëtarët vriten, dy muaj pa rroga

Një shpërthim masiv ka ndodhur të enjten në mbrëmje në uzinën e përpunimit të naftës në Ballsh rreth orës 22:30, ndërsa 1 person ka humbur jetën dhe shumë të tjerë janë plagosur. Tragjedia e rëndë ka ndodhur kur punëtorët kanë qenë në kushte të rënda të sigurisë në punë dhe të keqtrajtimit. Punëtori që ka humbur jetën, si dhe të plagosurit e tjerë kanë pasur të paktën dy muaj pa u paguar duke u trajtuar kështu si skllevër.
Në Repartin nr. 3, në seksionin 92, të uzinës ka ndodhur shpërthimi i një valvule të pompës së hidrogjenit e shoqëruar me flakë të mëdha. Po sipas policisë, nga shpërthimi ka humbur jeten Shkëlqim Muça, 40 vjeç nga Ballshi, ndërsa 1 person është në gjendje të rëndë dhe 4 të tjerë janë jashtë rrezikut për jetën.
Në momentin e shpërthimit në repartin e 3-it kanë qenë 10 persona në turn, ndërsa në gjithë uzinën 130 persona. Reparti ku ka ndodhur shpërthimi ka qenë në mes të uzinës.
Punëtorët e plagosur janë dërguar drejt Tiranës për të marrë trajtim më të specializuar. Një nga zjarrfikësit që bënë të mundur shuarjen e flakëve në uzinën e Ballshit ka mbetur i asfiksuar si pasojë e tymit dhe flakëve. Gramoz Fejzo është shtruar në Spitalin e Fierit për të marrë trajtimin mjekësor.
Kryetari i Bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj tha se nga shpërthimi fatkeqësisht ka humbur jetën një punëtor.
Kapllanaj shtoi se zjarrfikësit kanë mundur të neutralizojnë flakët dhe se nuk kishte rrezik për ndonjë shpërthim tjetër në uzinë. Sipas tij dyshohet se shpërthimi ndodhi nga një valvul. “Aty ka pasur shumë punëtorë, është reparti i 3-it, aty del nafta”, sqaroi Kapllanaj.

Janë 6 të plagosur

Drejtori i Spitalit në Ballsh, Pajtim Ismaili konfirmoi se nga shpërthimi janë plagosur 6 persona, 4 prej të cilëve pak më rëndë.
“Për momentin kemi 2 të plagosur këtu në Ballsh. 4 vetë janë nisur për në Fier, janë në një gjendje pak më të rëndë, duan ndihmë të specializuar. Janë 6 të plagosur”.
Shpërthimi ka shkaktuar një zjarr me përmasa të mëdha. Banorët kanë dëgjuar shpërthimin dhe kanë njoftuar policinë, e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes. Si pasojë e zjarrit rrezikohej sektori i reaktorëve, ndërsa është bërë thirrje për ndihmë.
Sipas raportimeve të para shpërthimi ka ndodhur në sektorin e fundit të hallkës së përpunimit të naftës, pranë reaktorëve kimikë. Në vendin e ngjarjes kishte shumë ambulanca, si dhe forca policie.

Inspektimi në vendin e shpërthimit: Nuk u zbatuan rregullat

Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ka reaguar për shpëthimin në rafinerinë e Ballshit, ku humbi jetën një person dhe u plagosën disa të tjerë.
Sipas ISHTI-së, ngjarja ndodhi gjatë vënies në punë të impiantit të hidropastrimit të karburanteve, pasi nuk ishin respektuar rregullat teknike të shfrytëzimit.
“Ngjarja në impiantin e hidropastrimit të karburanteve për shkak të mosrespektimit të rregullave teknike të shfrytëzimit. Ngjarja gjatë procesit të manovrimit për vënien në punë të separatorit të presionit të ulët. Ngjarja ka ndodhur gjatë vënies në punë të impiantit të hidropastrimit. U rrit presioni me hidrogjen 3 herë mbi normalen. Presioni i punës së pajisjes u rrit në mënyrë të menjëhershme dhe nuk funksionoi valvula e sigurimit të pajisjes që bën mbrojtjen e saj. Konkluzionet e ISHTI-t për ngjarjen do t’i vihen në dispozicion Prokurorisë për kryerjen e hetimeve prej saj. Do të jetë Prokuroria ajo, e cila përmes hetimeve do të zbardhë plotësisht ngjarjen”, pohohet në reagimin e ISHTI-së.

Dëshmitari: Shpërthimi si tërmet

Një qytetar që banon afër uzinës tha se shpërthimi ka qenë aq i fuqishëm sa të ngjante me një tërmet. Ai flet për viktima dhe të plagosur. “Dëgjuam një shpërthim të fuqishëm. U tund vendi si tërmet. Na thonë që ka të plagosur dhe viktima, xhaxhai im që është doktor u thirr menjëherë në vendngjarje. Infermieri që punon atje ka folur edhe për të vdekur”, dëshmon ai.
Mësohet se shpërthimi ka ndodhur në sektorin e fundit të hallkës së përpunimit të naftës, ndërsa ka shkaktuar një zjarr të madh nga i cili rrezikohej edhe sektori i reaktorëve me përmbajtje kimike.

Një valvul shkaktoi katastrofën

I tronditur nga shpërthimi, shoku i viktimës Shkëlqim Muça ka rrëfyer disa momente nga një bisedë e konsumuar me të dje në mëngjes. Ai ka thënë se shpërthimi ka ardhur për shkak të një valvule në objektin 3 dhe pikërisht problemin e kësaj valvule e ka diskutuar me viktimën.
Çfarë ka ndodhur realisht?
“Shpërthimi ka ndodhur në objektin 3 ku përpunohet nafta me sa kam marrë vesh. Viktima ishte shoku im, konsumuam një bisedë në mëngjes për problematikën. Ka pasur një valvul, diskutohej se nuk ka qenë në proces të saktë pune. Uzina ka pasur problem nga ndalimi i dritave. Gjithë reparti, objekt me presion të lartë. Tek repartet e tjera do të ishte më fatal shpërthimi. Ka ndodhur në zonën me presion më të ulët. Nuk po flas dot, nuk po mbledh dot veten. Jam akoma…”.

Dëshmia: Pashë një njeri të shkrumbuar

– A mund të na shpjegoni se çfarë ka ndodhur?
Kemi qenë në shtëpi kur ka ndodhur shpërthimi. Menduam se ishte tërmet, por nuk ishte. Një ndriçim i madh. Dolëm jashtë dhe pamë flakët që vinin nga uzina. Flitet për shumë viktima. Nga ajo që pamë në Spitalin e Ballshit, njëri i shkrumbuar plotësisht.

– Çfarë keni parë?
Qytetarët e Ballshit kanë dalë në ndihmë. Nuk pamë asnjë ambulancë në fillim, po transportoheshin me makinat e tyre. Ka qenë ora 9 e 30 kur ka ndodhur shpërthimi.

Si ndodhi shpërthimi?

Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial(ISHTI) ka hartuar një raport paraprak për ngjarjen në rafinerinë e naftës në Ballsh.
Në këtë raport jepen detaje në lidhje me shkaqet që sollën këtë ngjarje të rëndë. Sipas inspektimit impianti i hidropastrimit është një nga repartet kryesore të rafinerisë së naftës në Ballsh, i cili ka si qëllim pastrimin e squfurit nga nënproduktet e naftës.
“Në datën 10.11.2016, rreth orës 22:42, në separatorin e presionit të ulët të impiantit të hidropastrimit në rafinerinë e naftës – Ballsh, ndodhi një shpërthim i fuqishëm dhe u shfaq një vatër zjarri me përmasa të konsiderueshme që si rezultat solli ndërprerjen e veprimtarisë të këtij sektori.
Rrethanat
Reparti i Hidropastrimit në rafinerinë e naftës – Ballsh ishte në procesin e lëshimit për vënien në punë.
Rreth orës 22.42 të datës 10.11.201, në seperatorin e presionit të ulët si rezultat i tejkalimit të menjëhershëm të presionit të punës të pajisjes, ndodhi një shpërthim i fuqishëm në seperatorin R-201, duke krijuar një vatër zjarri të konsiderueshme.
Presioni i llogaritur i pajisjes që shpërtheu sipas projektit është 15 atm, ndërsa presioni në punë normale 6-9 atm.
Mbajtja e presionit të pajisjes sipas projektit rregullohet nga një valvul pneumatike automatike, e cila për shkak defekti ishte jashtë funksioni.
Përdorimi i linjave direkte midis seperatorit të presionit të lartë dhe seperatorit të ulët bëri që presioni të tejkalojë vlerat e lejuara rreth 3 herë. Nga verifikimi paraprak i dokumentacionit teknik të pajisjes rezulton se seperatori i presionit të ulët R-202 është inspektuar nga shoqëria e licencuar “ALBA ENERG” sh.p.k, e cila me raport inspektimi 00197 A, datë 22.11.2015 ka siguruar se pajisja garanton sigurinë e punës.
Shkaqet
Nga sa më sipër, shkaku i shpërthimit dhe i shfaqjes të kësaj vatre të madhe zjarri ishte mosfunksionimi i valvulës të sigurimit të pajisjes dhe mosrespektimi i regulloreve të shfrytëzimit duke përdorur linjat direkte.
Pasojat
Nga ky shpërthim dhe zjarr:
a. Humbi jetën një punonjës i repartit të hidropastrimit dhe u plagosën disa të tjerë.
b. Impianti u ndal plotësisht.
Konkluzionet përfundimtare do të dalin pas hetimit të plotë të avarisë nga Prokuroria.

Exit mobile version