Ballina Bota & Rajoni Kremlini, kontakte me fushatën e Trump

Kremlini, kontakte me fushatën e Trump

Zyrtarë të qeverisë ruse kanë qenë në kontakt me punonjës të fushatës së Donald Trumpit, para zgjedhjeve të së martës tha zv/ministri i Jashtëm rus, Sergei Riabkov të enjten.
“Ne i njohim shumicën e njerëzve të afërt të zotit Trump”, tha Riabkov për agjencinë e lajmeve “Interfax”. “Ata janë njerëz që kanë qenë në syrin publik në Shtetet e Bashkuara dhe kanë pasur poste të larta. Nuk mund të them se të gjithë ata, por disa prej tyre kanë qenë në kontakt me përfaqësues të qeverisë ruse”.
Zëdhënësja e fushatës së zotit Trump, Hope Hicks e hodhi poshtë këtë deklarim, ashtu siç ka bërë zoti Trump gjatë gjithë fushatës, kur ka deklaruar se nuk ka kontakte me qeverinë ruse.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova tha për grupin mediatik “Bloomberg News” se, përfaqësues të ambasadës ruse janë takuar me përfaqësues të fushatës së zotit Trump. Ajo e quajti takimin një praktikë normale, por shtoi se fushata e zonjës Clinton kishte refuzuar ofertat për takime të ngjashme.
Gjatë fushatës presidenciale, Donald Trump dhe Presidenti rus, Vladimir Putin shkëmbyen në disa raste komplimente dhe shprehën interes për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy vendeve. Presidenti Putin e përgëzoi Donald Trumpin për fitoren në zgjedhje. Përgëzimet e tij u përcollën të mërkurën me duartrokitje në Parlamentin rus.

Exit mobile version