Hapja e HEC-it, 3 mijë ha tokë nën ujë në Shkodër dhe Lezhë

Hapja e portave të HEC-it të Vaut të Dejës ka krijuar përmbytje masive në Shkodër dhe në Lezhë. Bëhet e ditur se, si pasojë e vërshimit të ujit janë përmbytur më shumë se 3 mijë hektarë tokë në Shkodër dhe Lezhë. Nga të dhënat zyrtare mësohet se në qytetin e Shkodrës, lagjia Ajasëm vijon të jetë e gjitha nën ujë. Në fshatin Obot dhe Ana e Malit, rruga është e pakalueshme, ndërsa rreth 300 hektarë tokë ndodhen nën ujë. Po ashtu në fshatin Obot 100 shtëpi vazhdojnë të jenë të bllokuara nga prezenca e ujit, ndërsa në Njësinë Administrative Bërdicë numri i shtëpive të rrethuara nga uji është 20. Në Njësinë Administrative Bushat janë përmbytur 140 hektarë, në Bërdicë 30 hektarë; në Ana e Malit, 450 hektarë; në Dajç, 70 hektarë, në Vaun e Dejës, 35 hektarë dhe në Gur i Zi, 285 hektarë. Këto sipërfaqe toke bujqësore janë përmbytje sipërfaqësore, si rezultat i shkarkimit të Hidrocentralit. Nga hidrocentrali i Vaut të Dejës, shkarkimet janë me rreth 1 mijë metër/kub në sek.
Në brendësi të fshatit Obot mbizotëron qetësia dhe në rrugë nuk sheh asnjë banor. Edhe pse do të duhej të ishte një ditë normale e zhvillimit të mësimit, as shkolla 9-vjeçare e fshatit Obot nuk ka hapur dyert të enjten, ndonëse urdhri i ministrisë ka qenë për të zhvilluar normalisht mësim.
Të njëjtën situatë gjen edhe në fshatin Kuç të Njësisë Administrative Gur i Zi. Një banor i zonës thotë se ndikim kanë patur jo vetëm reshjet, por edhe hidrocentralet.
Këto ditë, fshatrat janë përballur edhe me mungesë të energjisë elektrike, për të cilat OSHEE thotë se është ndërhyrë dhe vetëm Ana e Malit ka probleme me furnizimin. Niveli i ujit tek Ura e Bahçallëkut në krahasim me një ditë më parë ka rënë me 1.20 cm. Kjo është reflektuar menjëherë tek Harku i Bërdicës, i cili nuk ka prezencë uji dhe lehtësisht kalohet nga automjetet. Vështirësi të mëdha po paraqiten edhe në zonat malore, ku në Pult dalja e përrenjve ka bllokuar rrugët dhe ka shkatërruar 8 ura. Gjithashtu janë dëmtuar shkollat e Kirit, Planit dhe e Brucajve.

Lezhë, banorët në panik nga argjinatura e Tales
Në rrethin e Lezhës, aktualisht janë nën ujë rreth 1200 ha tokë. 100 hektarë në Bregun e Matit, rreth 50 ha në Barbullojë dhe rreth 250 ha në zonën e Torovicës. Në Tale dhe Alk, të Bregut të Matit janë dëmtuar 3 krerë lopë nga vërshimet e ujit, ndërsa rruga e vjetër Lezhë-Mirditë, drejt fshatit Bërzane është bllokuar për shkak të shëmbjeve dhe rreshkitjeve të tokës.
Problematike mbetet argjinatura e Tales. Banorët e Tales janë shprehur të frikësuar nga përkeqësimi i mëtejshëm i gjendjes, ndërsa thonë se masat ishin të pakta edhe pse dihej se cila do të ishte situata. Banorët thonë se do të qëndrojnë në gatishmëri gjatë gjithë kohës, në rast çarje të tjera të argjinatures së lumit Mat.
Situata më e rënduar është në Bashkinë Kurbin. Në zonat Gjorm dhe Sanxhak, kryesisht, por edhe më gjerë, ka rreth 600 ha nën ujë. Kjo, për shkak të prurjeve në të gjitha drejtimet. Janë në funksion me kapacitet të plotë hidrovoret dhe nuk ka pasur probleme me energjinë elektrike.
600 ha tokë të përmbytura rezultojnë edhe në Kurbin. Në Fushë Gjorm janë 300 ha nën ujë, ndërsa në Fushë Kuqe 90 ha. Lumi Drin është në pikën kritike dhe pritet që të dalë nga shtrati. Situata më e rëndë tek Bregu i Matës, Barbulloj, Balldre, Gocaj, Torovicë, Baqël, Blinisht etj.
Megjithatë situata e shkarkimeve të HEC-ve Ulës dhe Shkopet janë në kuota të larta, ku autoritetet flasin për 2300 m3 ujë në sekondë, gjë e cila vijon të sjellë rritjen e prurjeve në lumin Mat. Rritje të nivelit të ujit në kuota të larta ka po ashtu edhe në lumin Drin, i cili përshkon mes përmes qytetin e Lezhës.
Problem më vetë mbetet edhe mungesa e energjisë elektrike. Mijëra banorë të ish-Komunës Shëngjin, Kallmet, Ungrej apo dhe Zejmen vijon të jenë në errësirë prej tre ditësh.

Rritet me shpejtësi niveli i ujit në Fierzë
Prurjet nga lumenjtë në Kukës janë alarmante. Si dëshmi e abuzimit në to, ky ekskavator pirat që nxjerr rërë e zhavor nga shtrati i lumit, mbeti aty. Lumi Luma ka marrë para çfarë ka gjetur. Me shpejtësi rrufe prurjet janë dhjetëfishuar në 24 orët e fundit. Për pasojë, kjo është reflektuar në rritjen e menjëhershme edhe të nivelit të ujit në Liqenin e Fierzës.
Sinjali i kuq thuajse është ndezur në kaskadën e Drinit. Baseni më i madh ujor në vend po mbushet me shpejtësi. Vetëm gjatë natës, niveli i tij është rritur në 4 metra.
Portat mund të hapen dhe kjo nuk është aspak shenjë e mirë për zonën e Lezhës dhe të NënShkodrës, e cila po përballet me përmbytjet. Niveli i Fierzës shënon 291 metra nga 296 metra e kuotës maksimale. Nëse prurjet vazhdojnë me këtë intensitet, fundjava mund të përcaktojë dhe kuotën maksimale.

Sot reshje të dendura në Veri
Reshjet e shiut do të rikthehen në Veri, duke rritur sërish mundësinë e përmbytjeve. Sinoptikanët kanë parashikuar që sasia e reshjeve në Shkodër, Lezhë, Dibër, Kukës dhe Krujë, të arrijë në 80 milimetra përgjatë të premtes. “Të premten në mbrëmje dhe deri në orët e para të mëngjesit të ditës së shtunë, pritet që i gjithë territori të ketë vranësira dhe shira me intensitet mesatar dhe të lartë. Zonat veriore pritet që të marrin 70-80 milimetra shi, ndërkohë zonat qendrore dhe zonat jugore do të marrin deri në 50 milimetra”, bëjnë të ditur sinoptikanët.  Fundjava do të jetë me shi në të gjitha qytetet e vendit. Ndërsa temperaturat mendohet të zbresin, duke e bërë motin të ftohtë në këtë fund vjeshte.

Përmbytjet, shumë qytete e fshatra prej ditësh pa energji
Si pasojë e motit të keq që ka përfshirë vendin prej tre ditësh, shumë zona vazhdojnë të vuajnë mungesën e energjisë. Kështu në rajonin e Tiranës janë pa energji elektrike: Qyteti i Vorës, lagjja “Siri Kodra” në qytetin e Tiranës, fshatrat: Zall Bastar, Paskuqan, Valias, Shëngjergj, Shkallë dhe Prezë.
Në rajonin e Durrësit, vazhdon problematika në Koxhas. Sipas OSHEE është e pamundur ndërhyrja pas këputjes së përcjellësve në zonën e përmbytur nga dalja e shtratit të lumit Erzen.
Në rajonin e Elbasanit, janë pa energji elektrike fshati Lunik dhe zona e Shezës në Peqin.
Në Rajonin e Beratit, ka mungesë energjie në fshatrat Mbrakull, Bargullas Arrëz, si dhe pjesërisht Potom e Tomorricë, Pularie Mobileri Kushi, Cener Shpk.
Në Rajonin e Korçës, nuk ka energji në Vithkuq dhe pjesërisht në Miras.
Në rajonin e Gjirokastrës, vazhdojnë të jenë pa energji zonat Maricaj, Buz, Vasjar për shkak se fiderat që furnizojnë këto zona janë stakuar për masë sigurie.
Në Rajonin e Burrelit, ka problematikë në Cërrujë si dhe pjesërisht Shupenzë.
Në Rajonin e Lezhës, mungon energjia në zonat turistike Vain dhe Shëngjin.
Të dhënat e mësipërme janë publikuar nga OSHEE, por ka edhe shumë zona të tjera ku raportohen probleme me mungesën e energjisë. Banorët kanë deklaruar në media se ka mungesë energjie edhe në Shkodër, Pukë, Kamëz, Fushë-Krujë, etj. Janë pikërisht fshatrat e përmbytur që kanë edhe mungesë energjie.

Gjendet pas 3 ditësh trupi i të mbyturit
Gjendet trupi i pajetë i 43-vjeçarit, i cili u mbyt tri ditë më parë në lumin e Matit. Mësohet se Xhevahir Ndoji u gjet dje nga disa banorë të rastit, ndërsa ai u mbyt më 8 nëntor në Plan Bardhë. Sipas të dhënave, raportohet se babai i 4 vajzave është gjetur 40 km larg vendit të ngjarjes.
Ka qenë një banor, i cili ka parë rastësisht trupin e një njeriu të vdekur. Menjëherë është njoftuar policia që ka nisur hetimet.
Familjarët e Ndojit kanë bërë edhe identifikimin e viktimës. Trupi i pajetë është gjetur rreth 40 kilometra larg vendit ku u mbyt, në zonën pranë liqenit të Ulzës. Gjatë ditës së djeshme familjarët e Xhevahir Ndojit kërkuan ndihmë për gjetjen e trupit të pajetë të njeriut të tyre.

Prag katastrofe, miniera rrezikon të përmbytet
Miniera e Bulqizës ndodhet në prag të një katastrofe, e cila mund të shkaktojë dëme në njerëz si dhe dëme në natyrë dhe në vetë bizneset që funksionojnë atje. Reshjet e dendura të ditëve të fundit e kanë vështirësuar shumë situatën në minierën e Bulqizës, duke krijuar një situatë shumë të vështirë dhe njëkohësisht të rrezikshme për punonjësit e kësaj miniere.
Ajo që e përkeqëson edhe më shumë situatën është pikërisht mungesa e disiplinimit të ujërave të galerive të subjekteve përreth minierës, që mund të shkaktojë dëme të pallogaritshme.
Miniera e Bulqizës e ka të pamundur për të mbajtur situatën nën kontroll. Duke qenë se situata mund të përkeqësohet në çdo moment bëhet apel për ndërhyrje të menjëhershme të subjekteve që zotërojnë galeritë përreth, të autoriteteve lokale dhe qendrore për të evituar çdo lloj katastrofe apo tragjedie në këto kushte.

Vjosa del nga shtrati, përmbyten disa banesa

Lumi Vjosë ka dalë nga shtrati dhe ujërat kanë vërshuar në disa hektarë tokë, duke shkaktuar dëme të mëdha në zonën e Urës së Mifolit. Si pasojë e vërshimit të lumit, rezulton të jetë përmbytur edhe rruga e Selenicës, në vendin e quajtur Bishti i Malit.
Sipas banorëve, lumi Vjosa doli nga shtrati në mesnatë dhe pati përmbytje në fshatin Fitore të Vlorës pranë urës së Mifolit. Ndërkohë rreth 20 familje që jetojnë në zonën e tregut pranë lumit ishin larguar. Përmbytje pati dhe në Çerven të Fierit. Nuk pati dëme në njerëz, por niveli i ujit në Vjosë në Novoselë arriti 6 m. Prurjet ishin të mëdha dhe parashikoheshin më tepër dëme, por për fat gjendja qëndroi në ato përmasa. Dje në mëngjes, niveli i Vjosës ka qëndruar në pikën kritike, por pa dalë nga shtrati.
Sipas banorëve, disa banesa dhe dhjetëra hektarë tokë bujqësore në Novoselë të Vlorës gjenden nën ujë për shkak të vërshimit të lumit të Vlorës. “Tre banesa janë përmbytur dhe dhjetëra hektarë tokë bujqësore janë nën ujë”, bënë të ditur banorët. Banorët e Novoselës thonë se, nuk kanë pranuar të largohen nga shtëpitë, pasi kanë pasur frikën e vjedhjeve, ndërkohë që qëndrojnë në gatishmëri për të përballuar çdo situatë. “Rrezikohen 60-70 familje. Kemi frikën e vjedhjeve, por kemi dhe bagëti prandaj nuk largohemi nga shtëpitë”, thonë banorët
Vjosa ka përmbytur edhe Selenicën, ku lumi ka vërshuar në aksin nacional që lidh këtë njësi vendore me Vlorën në vendin e njohur si “Bishti i Malës”. Furia e vërshimit të ujit ka shembur edhe një urë në Brataj që izoloi qindra banorë. Ndërkohë, problematike është situata për banorët e Selenicës, ku është shembur ura e Brahajt nga prurjet e shumta të Vjosës.

Përmbytjet në Tiranë, banorët e Shkozës me sytë nga qielli

Dalja nga shtrati e lumit Lana ka përmbytur disa shtëpi të vjetra në zonën e Shkozës. Familja Domi është ndër familjet më të vjetra të Shkozës që është vendosur buzë lumit Lana që në vitin 1970, ku dhe ka ndërtuar një shtëpi një katëshe pa e ditur se pas 46 vitesh lumi do të rriste nivelin deri në atë pikë sa t’i përmbyste shtëpinë.
Nusja e shtëpisë na tregon momentet e panikut të një dite më pare, kur lumi i egërsuar doli nga shtrati dhe pushtoi banesën një katëshe ku ajo ndodhej e vetme me djalin 4-vjeçar. Fat që ka ndërhyrë në kohë policia që ajo dhe fëmija janë evakuuar.
Se cili është shkaku që lumi Lana del sistematikisht nga shtrati sa herë që bie shi e sqarojnë shumë më mirë banorët vendas që kujtojnë atë shumë ndryshe 40 vite më parë. Të njëjtin fat me familjen Domi kanë edhe shtëpitë e “Lagjes së Luleve” në krah të ish-Uzinës së Autotraktorëve ku dhe kalon një degë e lumit Lana.
Banorët autoktonë thonë se janë gati t’i paguajnë vetë shpenzimet e pastrimit të kanalit, duke i kërkuar Bashkisë vetëm të asistojë me punonjësit e saj që të mos lindin konflikte me të ardhurit në këtë lagje pas viteve ’90.
Përmbytjet në Shkozë mund të ishin parandaluar ose të paktën minimizuar, nëse ndërhyrja e organeve kompetente për të pastruar pjesë të shtratit të lumit do të ishte kryer muaj më parë, atëherë kur banorët e Shkozës apeluan për ndihmë.
80 banesa janë përmbytur tek Bregu i Lumit
Rreth 80 banesa përgjatë Bregut të Lumit janë bërë të pajetueshme për shkak të përmbytjeve. Banorët në kryeqytet kërkojnë nga qeveria dhe Bashkia të gjejnë një zgjidhje përfundimtare për strehimin e tyre. 80 shtëpi përgjatë lumit të Tiranës janë të pabanueshme për shkak të përmbytjeve.
Në këto banesa, orenditë dhe gjithçka tjetër ka dalë jashtë përdorimit, ndërsa banorët ankohen se duhet një zgjidhje përfundimtare. “Jam vetë e 7-ta me fëmijë rrugëve. Ku të shkoj nuk kam, nuk jetohet më në këtë shtëpi. Nuk është një vit, por kam 2-3 vjet që përmbytem”, u shpreh një banore. “Njëherë erdhën këtu policia, erdhën dhe e panë dhe nuk erdhën më. Si do rrimë ne, kështu do të rrimë? Duhet ta bëjë një gjë shteti, qeveria”, u shpreh një banor.

Klithma të qytetarëve në zonat e përmbytura
Situata nga përmbytjet vijon të jetë alarmante në vend, ndërsa banorët që ndodhen të rrethuar nga uji thonë se janë braktisur nga qeveria. Një nga zonat më të përmbytura dhe me dëme të mëdha është ajo e Fushë-Krujës. Bëhet fjalë për dy fshatra që preken nga lumenjtë Ishëm dhe Zezë. Banorët në këto zona ndodhen prej katër ditësh nën ujë, ndërsa nuk është dërguar asnjë mjet apo asnjë zyrtar nga qeveria nuk ka shkuar për t’u ardhur në ndihmë.
Për këtë situatë dramatike ka reguar dje edhe ish-Kryeministri Berisha, i cili ka publikuar mesazht e disa qytetarëve që familjet e tyre ndodhen në pushtetitn e ujit. Një qytetar nga Fushë-Kruja dhe një nxënës nga Baldushku i shkruajnë Berishës se, familjet e tyre ndodhen të rrethuar nga uji, ndërsa janë braktisur nga qeveria. “Klithma dhe pamje të qytetarëve të braktisur nga qeveria në zona të përmbytura (Vjosa nën urën e Mifolit dhe në Luz të Fushë Krujës dhe Baldushk). sb”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar edhe disa foto nga përmbytjet.
“Zoti Berisha, kam motrën 4 ditë nën ujë me fëmjë të vogël dhe pa drita. Vështirësia më e madhe për ta është se janë pa ujë të pijshëm për shkak të mungesës së dritave. Ju lutem ngrijeni si problem se janë në situatë të vështrirë. Po ju çoj edhe fotot nga vendi i ngjarjes”, shkruan një banor nga Fushë-Kruja.
“Zoti Berisha, jemi izoluar nëpër shtëpi, kemi braktisur shkollën. Shikoni urën e Vaskisë në Baldushk. Ju lutem publikojeni”, shkruan një nxënës nga Baldushku.

Banorët: Emergjenca s’na përgjigjet
Disa familje prej tri ditësh të rrethuar nga uji kërkojnë që emergjencat t’i evakuojnë. Banorët thanë dje se nuk u ka shkuar askush për ndihmë. Situata është mjaft dramatike tek tre familjet në Luz të Fushë-Krujës. Banesat e tyre janë përmbytur nga uji si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, duke arritur në lartësinë mbi 1 metër.
Duke u ndjerë të rrezikuar, banorët janë ngjitur në katet e dyta të shtëpive, duke pritur t’u vijnë në ndihmë. Por ata thonë se, pavarësisht se kanë telefonuar shërbimin e urgjencave, nuk u është përgjigjur askush. “Jemi tre familje të bllokuara, pasi shtëpitë tona ndodhen në vendin ku bashkohet lumi Zezë dhe Ishëm. Jemi 15 banorë të bllokuar. Askush nuk po na vjen në ndihmë. Morëm emergjencat në telefon, por nuk përgjigjen”, thonë banorët e fshatit Luz, duke bërë apel për ndihmë.
Shtëpitë në këto fshatra përmbyten sa herë ka reshje për shkak se janë ndërtuar në zonën që preken nga ujërat e lumenjve. Ndërkohë, shumë familje aktualisht janë larguar që aty dhe janë strehuar tek të afërmit.

Panik në Krujë
Shkëputja e një masivi shkëmbor pranë Kalasë së Krujës ka rrezikuar disa banesa mbrëmjen e djeshme. Banorët e Krujës janë alarmuar dhe thonë se, masivi shkëmbor u shkëput nga zona pas kalasë, ndërsa frika është aq e madhe sa ata kanë braktisur shtëpitë e tyre për të kaluar natën tek të afërmit e tyre. “Kemi frikë të flemë në banesa”, u shprehën ata.

Përmbytjet nga Erzeni, banorët tri ditë në ujë
Prej tri ditësh 30 shtëpi në Shijak ndodhen nën ujë dhe në baltë. Dalja e lumit Erzen shkaktoi probleme në përmasat e përmbytjeve në muajin janar. Bëhet e ditur se, aty janë përmbytur 30 banesa dhe uji arriti deri në një metër. Të gjitha katet e para u përmbytën. Banorët u larguan dhe u sistemuan tek të afërmit, ndërkohë që dje janë rikthyer të kontrollojnë për dëmet dhe të largojnë baltën.
Banorët thonë se, dëmet janë të mëdha. “Uji ka hyrë komplet brenda në shtëpi. Si herën e parë edhe këtë herë e njëjta situatë është. Unë nuk e mora shtëpinë me e çu në Erzen, Erzeni ka ardhur tek unë. Shijaku historikisht nuk është përmbytur që në 1964-ën”, u shpreh një banor. Gjatë përmbytjeve në janar në këtë zonë u rrethuan nga uji 500 shtëpi.

R.POLISI