Barcelona vihet në ndjekje të Kutinjos

Philipe Kutinjo është objektivi kryesor i Barcelonës në merkato. Mesfushori me tipare sulmuese i skuadrës së Liverpool-it është duke kaluar një formë të shkëlqyer tek “The Reds” dhe nisur nga kjo blaugranat duket se kanë shfaqur interes për të pasur në dispozicion shërbimet e brazilianit. Stili i lojës që ka 24-vjeçari është i ngjashëm me atë të kampionëve të Spanjës, ndërsa një tjetër element që mund të ndikojë për të bindur futbollistin është miqësia e tij me yllin e Barcelonës, brazilianin Neymar. Situata është disi e kompilikuar, pasi tekniku i Liverpool-it, Jurgen Kloop nuk ka ndërmend të heqë dorë prej lojtarit. Gjithashtu një tjetër faktor pengese është dhe kontrata që ka futbollisti me klubin e tij.
Kontratë, e cila skadon në vitin 2020. Për ta bindur Kutinjon të qëndrojë në “Anfield Road”, pritet t’i ofrohet rinovimi, ku do të përfshihet dhe rritja e pagës. 24-vjeçari më herët ka qenë pjesë e Interit, por nuk arriti dot kurrë të përshtatej tek zikaltërit. Më pas u transferua tek Espnayol dhe që nga viti 2013 e deri në ditët e sotme, ai luan për “The Reds”, duke u shndërruar në një futbollistët më të rëndësishëm që ka skuadra angleze. Ende nuk flitet për shifra konkrete, por gjatë merkatos së verës palët do të ulen për të biseduar mbi lojtarin, ku sigurisht fjala e fundit i takon Philipe Kutinjos.