Ballina Aktualitet Vjosa në pikën kritike, rrezikohet Novosela

Vjosa në pikën kritike, rrezikohet Novosela

Reshjet e shumta kanë rritur ndjeshëm nivelin e ujit dhe si pasojë lumi Vjosa i është afruar pikës kritike. Bëhet e ditur se, niveli i lumit në Vjosë në orët e fundit është rritur ndjeshëm, ndërsa edhe prurjet janë të shumta, duke rrezikuar përmbytje në Fier dhe Vlorë. “Vjosa është duke dalë nga shtrati dhe si pasojë banorët janë përfshirë nga paniku”, bënë të ditur burimet nga Vlora. Rreshjet e dy ditëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje në sera dhe ferma bujqësore në Fier. Ndërsa pritet që situata të përkeqësohet si pasojë e fryrjes së lumit Vjosa.
Niveli i lumit është në rritje bazuar nga informacionet e marra nga zona e Gjirokastrës dhe Tepelenës për reshjet e shiut, të cilat vazhdojnë. Parashikohet që në 12 orët e ardhshme, priten prurje të mëdha të këtij lumi. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve dhe bizneseve pranë brigjeve të lumit Vjosa që të largohen prej andej.
Zonat më të rrezikuara janë Memaliaj, Novosela dhe Pish Poro. Niveli i ujërave të Vjosës ka arritur deri në 6.6 m, pikërisht në Memaliaj. Pika e moskthimit është kur ujërat në Memaliaj kalojnë mbi 7 metra, çka do të thotë se ka dalje të lumit nga shtrati. Prurjet që do të vijnë nga Jugu i vendit dhe ato nga malet e Pindit në Greqi do të jenë vendimtare për daljen ose jo të lumit. Shtabet e Emergjencave në Fier dhe Vlorë janë në gatishmëri, ndërkohë që sipas burimeve dy lumenjtë e tjerë, Semani dhe Gjanica nuk paraqesin rrezik daljeje nga shtrati. Nga moti i keq në Fier pati dëme materiale, kryesisht në sera dhe ferma bujqësore.
Më të frikësuar janë banorët në rrethin e Vlorës, ku niveli i Vjosës rritet çdo orë me 50 centimetra. Autoritetet u kanë kërkuar banorëve të Novoselës që të largohen nga banesat. Prefektja e Qarkut i ka bërë thirrje të gjithë banorëve që të marrin masa, pasi nëse vijon të rritet niveli i lumit do të nisë evakuimi.
Edhe së Selenicë rrezikohen të përmbyten tokat bujqësore. Në Qarkun e Vlorës situata është e vështirë për shkak të përmbytjeve. Në fshatin Brataj Bashkia Selenicë është shembur ura Silorakut, si pasojë kanë ngelur të bllokuar disa fshatra, si: Vranisht, Kallarat, Kuç etj.
Ministri i Bujqësisë, Panariti, iu kërkoi familjeve dhe bizneseve në zonën e shtratit të Lumit të Vjosës, që të largohen, me qëllim që jetët e njerëzve të mos rrezikohen, derisa situata meteorologjike të përmirësohet. “Në 12 orët e ardhshme pritet rritje e madhe e prurjeve të lumit Vjosa, ndaj iu bëj thirrje të gjithë banorëve të zonës dhe atyre që kanë biznese këtu, që të largohen për orët në vazhdim”, deklaroi Panariti, duke shtuar se, “angazhimi është maksimal i të gjitha strukturave, të cilat janë në gatishmëri të plotë dhe të mirëkoordinuara dhe të gjithë bashkë,  dhe në radhë të parë, ne të gjithë duhet të mbrojmë e shpëtojmë jetë njerëzish, padyshim edhe ekonomitë familjare”, tha ai.
Edhe kreu i Bashkisë së Vlorës, Leli, ka apeluar për marrjen e masave nga banorët e zonës si në bagëti dhe banesa dhe të jenë të përgatitur për çdo situatë. Ai tha se, deti në disa ballë ndikon akoma më shumë në përkeqësimin dhe rrezikun e daljes së lumit nga shtrati, ndërkohë që ka vënë në gatishmëri gjithë strukturën e Bashkisë dhe ish-komunës për çdo situatë emergjente që mund të krijohet.
Bllokohet rruga e Kurveleshit, izolohen disa fshatra
Reshjet e dendura të shiut kanë përfshirë edhe zonën e Tepelenës. Si pasojë është bllokuar rruga e Kurveleshit, ndërsa për shkak të rrëshkitjes së dherave janë izoluar disa fshatra. Situata është problematike në disa komuna të qarkut, pasi lumi Vjosë ka prurje maksimale, çka ka sjellë edhe gërryerjen masive të tokave. Prefektura e Gjirokastrës ka mbledhur Shtabin e Emergjencave për të përballuar këtë situatë, e cila sa vjen edhe vështirësohet, pasi rreshjet e shiut vijojnë.
Në rrugën Tepelenë-Gjirokastër në vendin e quajtur karburant “Targa”, ka pasur rrëshkitje të dherave dhe qarkullimi bëhet vetëm me një kalim. Në Bashkinë Memaliaj është bllokuar rruga e Damsit.

Përmbytjet në Tiranë, fshati Kasallë i izoluar

Për shkak të përmbytjeve në Tiranë, 140 familje të Njësisë Administrative Paskuqan, Kamëz janë evakuar. Banorët bëjnë thirrje për ushqim dhe veshje, pasi, sipas tyre gjithçka që kanë patur në banesë i ka marrë lumi. 140 familje janë evakuar në njësitë administrave Paskuqan dhe Kamëz. Pjesa më e madhe e banorëve i përket zonës së Bregut të Lumit, familje të komuniteti rom, barakat e të cilëve janë përmbytur nga dalja e shtratit të lumit të Tiranës një ditë më parë. Disa nga familjarët u shprehën se mungon ushqimi dhe nuk kanë veshmbathje.
Në Kasallë, fshat pranë Njësisë Administrative Kamëz, banorët ngritën si shqetësim se prej 2 ditëve janë të bllokuar për shkak të shembjes së urës nga vërshimi i lumit Tirana. Fshatrat Çerkez, Kasall, Kallnet, Morinë dhe Qinam, ndodhen të izoluara prej dy ditësh. Shkak është bërë mbifryrja e lumit Tërkuz, i cili ka marrë përpara dy ura që lidhnin fshatrat me pjesën tjetër të zonës.

Përmbytjet në Kamëz, Mziu: Qeveria zero fonde dhe mjete

Prej dy ditësh kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu, administrata e bashkisë dhe ndërmarrjeve vartëse kanë qenë në terren në ndihmë të banorëve. Situata e vështirë meteorologjike, si në të gjithë territorin e vendit, edhe në Bashkinë Kamëz shkaktoi përmbytje, si dhe dëme të konsiderueshme në infrastrukturë, objekte private (banesa dhe lokale tregtare). Kryebashkiaku Xhelal Mziu mblodhi menjëherë Shtabin e Emergjencave Civile pranë Bashkisë Kamëz, duke dhënë orientime konkrete si dhe detyra të qarta për të monitoruar situatën në të gjithë territorin e Bashkisë dhe për të marrë të gjitha masat e duhura, që jo vetëm kjo situatë të mos rëndohet, por të parandalohet dhe përmirësohet në vazhdim. Për këtë, ai kërkoi që e gjithë administrata e Bashkisë të jetë në gatishmëri dhe gjithsecili do të japë kontributin e tij të drejtpërdrejtë në dobi të përmirësimit të situatës.
Në gatishmëri në Kamëz janë edhe dy ndërmarrjet e shërbimit që administrohen nga Bashkia, përfshirë të gjithë strukturën e tyre, por edhe kapacitetet e mjeteve që kanë në dispozicion ato. Kryebashkiaku Mziu u bëri thirrje strukturave të Bashkisë që të gjejnë mënyrat e bashkëpunimit me sipërmarrjet private për të siguruar mjetet e domosdoshme për të ndërhyrë, me qëllim që të kontrollohet dhe të ndërhyhet atje ku janë situatat e paraqitura më të vështira. Ai i orientoi strukturat përgjegjëse që të ndihmojnë subjektet për çdo rast me karburant dhe çdo element tjetër për të cilën është përgjegjëse Bashkia.
Gjithashtu, Mziu dha shembullin që institucioni i Bashkisë po bën të gjitha përpjekjet për të gjetur mjetet dhe instrumentet e nevojshme në funksion të stabilizimit të kësaj situate të krijuar. Situata e krijuar sjell edhe një herë përpara qytetarëve të Kamzës indiferencën e qeverisë, pasi në situata të tilla edhe në vazhdim, edhe pse është kërkuar për kompetencat nga ana e Bashkisë, asnjë nga këto nuk janë përfillur nga qeveria qendrore. Asnjë pajisje nga shërbimi i zjarrfikëses në dobi të situatës së krijuar, asnjë pajisje për pastrimin e kolektorëve (ekskavator), edhe pse pas reformës territoriale u shpërndanë për çdo bashki dhe vetëm Bashkia Kamëz nuk përfitoi. Asnjë fond i planifikuar për shërbimin e sistemeve të kullimit dhe punime në argjinatura mbrojtëse dhe shumë e shumë hallka të tjera për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të Kamzës. Përballë kësaj situate ngrejmë zërin për të reaguar ndaj kësaj indiference qeveritare dhe strukturave të ndërvarura të saj.

Dëme nga përmbytjet në banesa dhe biznese në Dibër

Përmbytjet kanë shkaktuar dëme ekonomike të shumta edhe në Dibër. Toka bujqësore, ura dhe argjinatura lumenjsh janë dëmtuar, por edhe shumë biznese, përfshi një fermë peshku në brigjet e lumit Seta, në fshatin Arras. Fermeri akuzon pronarët e dy HEC-ve në Gur Lurë, të cilët sipas tij, kanë hapur kanale të mëdha, duke shkaktuar dëme në lumë. Ai tregon se ka ndërtuar rreth 800 metra kub prita dhe gjatë 3 ditëve të reshjeve ka mbajtur në punë një fadromë, duke shpëtuar jo vetëm vaskat, por edhe dhjetëra shtëpi bashkë me zyrat e komunës. Ky fermer, si shumë të tjerë në zonat e përmbytura, kërkon ndihmë nga shteti për të shpëtuar nga falimentimi.
Në Njësinë Administrative Peshkopi, përroi i Llixhave nga intensiteti i madh i prurjeve ka devijuar nga shtrati. Në Njësinë Administrative Kastriot, në fshatin Kishavec, ka dalë nga shtrati përroi i Kishavecit dhe ka dëmtuar tre shtëpi banimi. Rruga Selishtë-Bufull, është e bllokuar nga rrëshkitjet masive të dherave.
Në Njësinë Administrative Luzni, në fshatin Hotesh është dëmtuar ura mbi përroin Kapi. Në Njësinë Administrative Maqellarë në fshatin Portgorcë është dëmtuar argjinatura mbrojtëse e Drinit të Zi. Në Njësinë Administrative Gjoricë, problem vijon të jetë argjinatura e dëmtuar. Në Bashkinë Mat prurjet e lumenjve dhe përrenjve kanë dëmtuar 10 ura që lidhin fshatrat e zonës. Në Njësinë Administrative Derjan, është dëmtuar rruga që lidh qendrën e njësisë me fshatin Gjoçaj.
Në Bashkinë Bulqizë në Njësinë Administrative Gjoricë, ka rritje të nivelit të prurjeve të lumit Drini i Zi. Prurjet kanë sjellë dëmtimin e argjinaturës së lumit në një segment rreth 500 m. Kjo rrezikon të sjellë përmbytjen e tokave bujqësore përgjatë lumit Drin, në Njësinë Administrative Gjoricë dhe Luzni, gjithashtu rrezikon edhe disa shtëpi banimi e jetë njerëzish. Përfaqësues të Emergjencave Civile po monitorojnë nga afër situatën dhe po marrin masa për të shmangur pasojat.
Në Bashkinë Mat në fshatin German, të Njësisë Administrative Komsi, është dëmtuar dhe rrezikon të shembet ura që lidh disa fshatra të kësaj zone. Edhe në fshatin Storjan, janë dëmtuar dy ura druri pasarelë.
Në Njësinë Administrative Derjan, në fshatin Barbullenj, ka patur rrëshkitje masive dherash në një segment rruge, të cilën e ka bërë të pa kalueshme. Kjo rrugë lidh Njësinë Administrative Derjan dhe Lis. Bashkia Mat, ka organizuar punonjës të saj, për të hapur me mjete këto segmente problematike.

R.POLISI

Exit mobile version