Të ardhurat faraonike të Cristiano Ronaldos

Cristiano Ronaldo nuk është vetëm një prej futbollistëve më të mëdhenj në histori, por edhe një markë. Përfitimet e yllit portugez arrijnë shifra kolosale dhe vazhdojnë të shtohen. Një prej tyre është firma në zgjatjen e kontratës me Realin e Madridit deri në vitin 2021, nga e cila do të përfitojë 24 milionë euro në sezon. Plot 100 milionë euro për luzitanin në 5 vitet e ardhshëm vetëm nga Reali i Madridit.
Por, sikur kjo të mos mjaftonte, të ardhurave të 31-vjeçarit u shtohen edhe nga kontrata e re e firmosur me “Nike”. Bëhet fjalë për një marrëveshje me vlerë 24 milionë euro në vit edhe me sponsorin teknik, që i rrit në thuajse 50 milionë euro përfitimet sezonale të sulmuesit.
Megjithatë, edhe kjo shifër nuk mund të mjaftojë për Cristiano Ronaldon. Duke qenë një yll i sportit botëror, që ka mbi 250 milionë ndjekës në rrjetet sociale, kompanitë më të mëdha vazhdojnë ta kërkojnë imazhin e portugezit.
Kjo bën që në llogarinë bankare të ylli të Realit të shtohen edhe 40 milionë euro të tjera për 5-vjeçarin e ardhshëm, përpos atyre që i garantohen nga kontrata e përjetshme me “Nike”. Kompania gjigante e pajisjeve sportive firmosi me CR7 një kontratë si ajo e Michael Jordan.
Një rekord përfitimesh i paprecedent, sepse falë arritjeve sportive të dekadës së fundit, luzitani do të përfitojë 24 milionë euro në vit nga “Nike”, me vlerën që sipas përllogaritjeve arrin shifrën e 500 milionë eurove deri në fund të jetës. Përfitime marramendëse për një emër pa rivalë në botën e sportit.