Kushtetuesja shfuqizon tre pika të ligjit për pronat

Gjykata Kushtetuese rrëzoi dy pika të nenit 6 të Ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronave” dhe la në fuqi pjesën tjetër të tij që kishte të bënte me mënyrën e përllogaritjes së kompensimit. Kjo formulë ishte pranuar edhe nga Komisioni i Venecias.
E vënë në lëvizje nga shoqatat e ish-pronarëve, Gjykata Kushtetuese la në fuqi nenin, i cili e përllogariste pronën për kompensimin sipas vlerës që ajo ka pasur në momentin e shpronësimit; ndërkohë që rrëzoi pikat 3 dhe 5 të nenit 6.
Në rastet kur prona është e lirë, pavarësisht vlerës dhe statusit që ka pasur në kohën e shpronësim, ajo kthehet e plotë. Po ashtu, Gjykata Kushtetuese rrëzoi pikën që lidhej me sigurinë juridike për vendimet e dhëna më parë.
Kjo pikë parashikonte që në rastet kur një subjekt kishte përfituar vendime kthimi apo kompensimi sipas ligjeve të mëparshme, diferencat që krijoheshin pas rillogaritjes me formulën e re të zbriteshin në vlerësimin për vendime të reja.
Ligji i pronave u ankimua në Gjykatën Kushtetuese më 29 shkurt të këtij viti nga Partia Demokratike, ndërkohë që ankimimi është bërë edhe nga Presidenti, Partia Republikane, Shoqata “Pronësi me Drejtësi”, Avokati i Popullit, si dhe një sërë organizmash të tjerë.
Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë, pretendon se ky ligj mundëson mbylljen e procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave brenda 10 viteve të ardhshme.
Vendimi
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë shqyrtoi kërkesat në çështjen me palë:
Kërkues: Presidenti i Republikës, një grup deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë, jo më pak se 1/5 e anëtarëve të Kuvendit, Avokati i Popullit, Partia Republikane e Shqipërisë, Shoqata “Pronësi me Drejtësi”, Shoqata “Krahina Jonë”, Shoqata “Bregdeti”, Shoqata e Pronarëve Legjitimë “Shqiptarët”.
Subjekte të interesuara: Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli i Ministrave, Agjencia e Trajtimit të Pronave.
Objekti: Shfuqizimi, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, i Ligjit nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”.
Pasi u analizuan pretendimet e ngritura nga kërkuesit, si dhe prapësimet e paraqitura nga subjektet e interesuara, Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli i Ministrave, Agjencia e Trajtimit të Pronave, bazuar në nenin 131 dhe 134 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe në Ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”:
Vendosi:
– Pranimin pjesërisht të kërkesës.
– Shfuqizimin si antikushtetues të nenit 6, pika 3 dhe pika 5 të Ligjit nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”.
– Refuzimin e kërkesës për shfuqizimin e nenit 6, pika 1, shkronja “b” dhe nenit 7 pika 2 shkronja “a” dhe “b” të ligjit të mësipërm.
– Rrëzimin e kërkesës për pjesën tjetër.