Einbinder: Asnjë alarm!

Kombëtarja e Izraelit është e përqendruar vetëm te futbolli. Atmosfera në kampin e skuadrës izraelite është pozitive dhe për të larguar zërat mediatikë në vend që e kanë pasqyruar në mënyrë jo korrekte çështjen e sigurisë në Shqipëri, mendon një prej protagonistëve të skuadrës mike. Ai është mesfushori 27-vjeçar i Beitar Jerusalem, Dan Einbinder. Lojtari i kombëtares së Izraelit nuk e dramatizon situatën, madje shkon edhe më tej duke theksuar se skuadra është e përqendruar te stërvitja.
“Natyrisht që lexojmë dhe dëgjojmë çfarë thuhet përditë. Mund të them se për ne është një situatë normale ashtu si në çdo ndeshje sepse lojtarët tanë shoqërohen me masa të mëdha sigurie kudo ku luajnë në Europë. Ne i kemi ndjekur të gjitha këshillat e sigurisë. Gjithsesi, ne jemi të përqendruar tërësisht te futbolli dhe ajo që duam të bëjmë është të marrim një rezultat pozitiv. Çështjet e sigurisë nuk duhet të shërbejnë si justifikim nëse nuk arrijmë të marrim pikë në Shqipëri”, u shpreh Einbinder.
Në vijim të intervistës, mesfushori izraelit përqendrohet te analiza që i bën kombëtares shqiptare. “E kemi studiuar Shqipërinë dhe e dimë shumë mirë se çfarë duhet të bëjmë. Kemi pasur disa ditë në dispozicion për ta përgatitur këtë ndeshje dhe mendoj se jemi gati. Do të ishim të kënaqur edhe me një barazim, por ne luajmë në çdo ndeshje për fitore. Kemi nevojë për sa më shumë pikë edhe pse përballë publikut shqiptar do të jetë shumë e vështirë. Shqipëria është një skuadër e mirë dhe këtë e pamë në Europian ku ata zhvilluan ndeshje pozitive”, tha ai.
Dan Einbinder është një prej emrave më të rinj të grumbulluar nga trajneri Elisha Levy në kombëtaren e Izraelit.