Ballina Sport Dyshime për Roshin

Dyshime për Roshin

Kombëtarja ka zhvilluar dje vetëm një seancë stërvitore, pikërisht atë të pasdites, që nisi në orën 18:00. Në fakt, ishin programuar dy seanca, por ajo e paradites u anulua, nisur edhe nga kushtet e vështira atmosferike. Megjithatë, paraditja nuk shkoi dëm, pasi De Biazi bëri një mbledhje me ekipin, me qëllim studimin e kundërshtarit. Pasdite skuadra u ushtrua për më shumë se 80 minuta. Italiani ka lënë të kuptohet se për të përzgjedhur titullarët do të vendosë vetëm pak orë para përballjes, duke u dhënë të gjithë lojtarëve mundësinë për t’i treguar se vërtet e meritojnë fanellën e titullarit. Gjatë katër seancave të para stërvitore, në kuadër të përgatitjeve për sfidën me Izraelin, italiani e ka organizuar punën në mënyrë të tillë që të gjithë lojtarët të përfshihen në skemat e përgatitura prej tij dhe të tregojnë se vërtet janë në formë.
Kështu ndodhi edhe seancën e djeshme, ku De Biazi nuk la të kuptohej se ka një ide të qartë për 11-shen e parë. Ai ka disa të besuar në të tre repartet dhe do t’u besojë sërish këtë përballje. Pra, emra si Berisha, Hysaj, Mavraj, Agolli, Gjimshiti, Abrashi, Kukeli dhe Balaj e kanë të sigurt vendin në formacion. Ndërsa Roshi, Memushaj, Xhaka, Hyka, Llullaku, Manaj, Veseli dhe Aliji pritet të plotësojnë tri vendet e mbetura. Ky është vetëm një variant paraprak, pasi skuadra do të zhvillojë edhe të paktën tri seanca stërvitore para sfidës me Izraelin. Gjithsesi, nga treshja që ende nuk është përdorur rregullisht gjatë stërvitjeve, sipas të gjitha gjasave, titullarë do të jenë Xhaka, Memushaj dhe Llullaku.
Mesfushori i Terek Groznit, Odise Roshi, ka kryer dje vetëm stërvitje të diferencuar. Lojtari fierak mësohet se ka ardhur i dëmtuar dhe pas konsultës me stafin mjekësor, është vendosur që të mos stërvitet me grupin, deri në një moment, kur të jetë riaftësuar plotësisht. Burime pranë stafit mjekësor bëjnë të ditur se Roshi ka një problem muskulor dhe nuk dihet nëse deri të shtunën do të jetë i gatshëm për De Biazin. Megjithatë, fakt është që mesfushori rrezikon aktivizimin, pasi nuk po stërvitet me grupin.
Trajneri kuqezi ka përdorur dje në vendin e tij Azdren Llullakun. Sulmuesi kosovar, që luan në kampionatin rumun, po kalon një moment të shkëlqyer dhe ka bindur De Biazin për të qenë titullar. Ndërkohë, në rast se Roshi do të jetë gati të shtunën, atëherë Llullaku do të spostohet në të majtë. Në këtë krah, deri më tani duket se do të aktivizohet Memushaj, i cili në fakt është provuar nga De Biazi. Alternativa janë edhe Ermir Lenjani e Jahmir Hyka, por gjasat janë të pakta që të jenë titullarë.

Exit mobile version