Brazil-Argentinë, sfida e “përjetshme”

Shtatë tituj botëror të fituar së bashku, Pelé dhe Maradona në të kaluarën e lavdishme. Megjithatë, dueli ndërmjet Brazilit dhe Argjentinës, e cilësuar edhe si “sfida e përjetshme”, vendos përballë dy skuadra të brishta në rrugën drejt Botërorit 2018. Dy përfaqësuese që nuk kanë më gëzimin e lojës, por tek të cilat mbizotëron pakënaqësia dhe problemet e brendshme. Të ndërtuara më tepër rreth klaneve, sesa mbi zemrën dhe pasionin.
Megjithatë, përveç Mesit dhe Neymar, që nga Barcelona udhëtuan së bashku, përballja në “Mineirão” të Belo Horizontes mbizotërohet nga rivaliteti i fort. Brazili kthehet në stadiumin ku në vitin 2014 u shpartallua me shifrat 7-1 nga Gjermania në gjysmëfinalen e famshme të Botërorit. Por, me Titen në stol, “seleçao” duket e rilindur dhe kryeson grupin kualifikues drejt Rusi 2018, ndërsa nuk i beson Argjentinës, pavarësisht krizës së rezultateve.
“Argjentina nuk është vetëm Lionel Mesi. Kemi një plan për ta frenuar për të kufizuar impaktin e tij në ndeshje. Megjithatë nuk mund t’i përqendrojmë të gjitha forcat vetëm te një lojtar. Ata kanë disa lojtarë që mund të bëjnë diferencën dhe të vendosin ndeshjen, si Coutinho, Higuain apo Di Maria. Fakti që momentalisht Argjentina është jashtë zonës së kualifikimit nuk është një avantazh. I kemi të qarta vështirësitë e sfidës dhe do të jetë një duel i luftuar”, u shpreh Tite.
Argjentina pozicionohet në vendin e gjashtë në grupin kualifikues dhe nuk fiton prej tre ndeshjesh. Dëshpërimisht në kërkim të suksesit, trajneri Edgardo Bauza nuk i fsheh kartat, duke ia besuar sulmin Higuain, ndërsa Sergio Aguero do të qëndrojë në stol.
“Në sulm do të jenë Mesi e Higuain. Do të jetë një ndeshje mjaft e luftuar në mesfushë. Pikërisht ky do të jetë edhe reparti që do të përcaktojë fituesin e sfidës. Mesi dhe Neymar? Bëhet fjalë për dy yje të futbollit. Aktualisht, Neymar nuk ka një pozicion fiks në fushë dhe për këtë arsye markimi do të jetë zonal. Ndaj tij do të ushtrojmë presion kur të ketë topin, por këtë do të bëjë edhe Brazili me Mesin. Janë dy lojtarë që nuk mund të lihen të pambuluar”, u shpreh Edgardo Bauza.
Një humbje do të komplikonte shanset e “albicelestëve” drejt Kupës së Botës, ndërsa për të parashikuar fituesin e duelit duket thuajse e pamundur. Këtë e konfirmojnë edhe statistikat, me një ekuilibër thuajse perfekt. Në 102 sfida të luajtura, Brazili ka fituar në 39 raste, Argjentina në 37, ndërsa 26 ndeshje janë mbyllur në barazim. I pabesueshëm edhe ekuilibri rreth golave të shënuar, me 159 rrjeta për secilën skuadër. Kjo është sfida e përjetshme.