Reali pa Toni Kros deri më 2017

Toni Kros ka qenë i grumbulluar me kombëtaren kur ka njoftuar se ndiente dhembje në këmbë, gjë e cila ka alarmuar Realin e Madridit, i cili është vënë menjëherë në lëvizje. Kjo gjendje solli që mesfushori t’ju nënshtrohej kontrolleve mjekësore gjatë ditës së djeshme.
Diagnoza më optimiste flet për 4-6 javë jashtë fushave të lojës, ndërsa duket se ai nuk ka nevojë për operacion. Megjithatë, situata duhet mbajtur në monitorim vazhdimisht, pasi kërkon riaftësim shumë të kujdesshëm meqë bëhet fjalë për metatarsalin e pestë të këmbës.
Lojtari do të mungojë në ndeshjet shumë të rëndësishme të Realit në fazën e parë të kampionatit, ato kundër Atletikos dhe Barcelonës, si dhe dy sfidat e mbetura në Ligën e Kampioneve që u nevojiten madrilenëve për të siguruar vendin e parë në grup. Ndërkaq, e sigurt është edhe mungesa e tij në Botërorin e Klubeve në dhjetor, pasi kthimi i Kros parashikohet në janarin e vitit 2017.