Mos u çudisni që Trump fitoi zgjedhjet!

Heather Saul

Donald Trump, një burrë pa eksperiencë të mëparshme politike, një burrë që dikur mburrej se i kapte femrat si të donte, një burrë që nxit tensionet raciale në të gjithë Amerikën dhe përhapte komente mbi emigracionin që shkaktonin revoltime, një burrë, i cili sugjeroi që myslimanët duhen ndaluar për të hyrë në Shtetet e Bashkuara, një burrë që ka shfrytëzuar unitetin për të shkaktuar përçarje është tani presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara.
Për këdo që është befasuar nga suksesi i kandidatit republikan mëngjesin e djeshëm, duhet bërë një pyetje. Vërtet fitorja e tij ishte një befasi kaq e madhe? Rezultati është produkti i një faktori kyç: Donald Trump është ndryshe nga çdo person tjetër që ka kandiduar për president në historinë e Amerikës.

Fliste të njëjtën gjuhë me ata që e mbështesnin
Donald Trump i fliste bazës së tij të mbështetjes me fjalë që ata arrinin t’i kuptonin. Gjuha e tij e thjeshtë u tall shumë herë nga mediat dhe elita politike pasi ekspozonte një mungesë të theksuar njohurish të politikës së jashtme, por në fakt ishte gjuha dhe zhargoni që publiku po kërkonte nga politika.

Komunikonte direkt me shtypin, më shumë se kushdo tjetër
Trump kritikonte ashpër çdo gazetë që sfidonte apo nxirrte në pah sjelljen e tij, duke i quajtur “të çmendur” dhe “budallenj” të gjithë reporterët që kritikonin aktivitetet e tij dhe i kërcënonte se do t’u hiqte kredencialet. Megjithatë, ai arrinte përsëri të komunikonte me gazetat dhe lejonte disa gazetarë të zyrat e tij. 70-vjeçari gjithmonë ndalonte për të folur me mediat, qoftë në rrugë apo në një shfaqje publike, një qëndrim që e ndihmoi dukshëm në zgjedhje.
Donald Trump ka shfrytëzuar çdo mundësi për ta shfaqur veten si “shpëtimtar” i Amerikës dhe i botës. Përgjigjja e tij kur gazetarët e pyetën përse kishte shkuar papritur në kampionatin e golfit për femra në Skoci ishte: “Sepse bota më kërkoi të ndodhesha këtu”.
Kudogjendja e tij e bëri një figurë më të kapshme nga elektorati, i cili u çmend pas mënyrës se si Trumpi shfrytëzonte edhe mbulimin negativ të fushatës së tij në media. Ai e portretizoi veten si viktimë dhe martir, një person i gatshëm për të vuajtur edhe sulme kaq të egra personale vetëm për të përmbushur misionin që i ishte caktuar: të ndihmonte popullin amerikan. “Nëse media e neveritshme dhe e korruptuar do ta mbulonte me sinqeritet fushatën time dhe nuk do t’i vendoste interpretime falso fjalëve të mia, unë do ta mundja Clintonin me 20 për qind”, shkroi ai në Twitter pas një raportimi të “New York Times”.
Mesazhi i tij ishte i qartë: është faji i tyre, jo i imi, por unë nuk do të rresht së luftuari për ju. “Lufta” ishte një fjalë e përsërituar aq shpesh nëpër postimet e tij në Twitter kur flitej për marrëdhënien e tij me mediat. “Nuk po luftoj vetëm kundër Hillary-t”, shkroi ai në një tjetër rast, “po luftoj edhe kundër medias së pandershme dhe të korruptuar. Njerëzit e kuptojnë këtë!”.
Trumpi vlerësoi zemërimin në pjesë të ndryshme të Amerikës që në fillim dhe e shfrytëzoi atë, duke përhapur një agresion të paparë në zgjedhjet e dekadave të fundit. Eventet e tij elektorale karakterizoheshin nga shpërthime grindjesh. Gazetarët që raportonin në terren shaheshin dhe fishkëlleheshin nga protestuesit teksa Trumpi nxiste narrativën e medias së varur që e kishin vënë nën shënjestër.
“Dua t’ia fus me grusht në fytyrë”, i tha ai turmës teksa një demonstrues shoqërohej jashtë. Në fakt, gjatë eventeve të tij janë nxjerrë jashtë shumë demonstrues për çështje sigurie. Trump është akuzuar se ka nxitur dhunë kundër Hillary Clintonit me pretendimin se mbronte Amendamentin e Dytë, duke i bërë thirrje rojeve të saj të sigurisë që të çarmatosej “për të parë se ç’do të ndodhte”. Ai kërcënoi se do ta fuste në burg kundërshtaren e tij kur të ngjitej në pushtet, një kërcënim që tregonte tendenca diktatoriale.
Në kontrast të dukshëm nga fushata elektrizuese e Obamës, karakterizuar nga brohoritjet “Gati për të fituar!” që i siguruan atij karrigen e Shtëpisë së Bardhë për herë të parë, eventet elektorale të Trumpit ishin të mbushura me brohoritje mllefi: “Paul Ryan ta shpif!”, “‘CNN’-i ta shpif!”, “Ajo është djalli!”, “Futeni në burg!” dhe “Ndërtoni atë mur!”. Mllefi u përhap shumë shpejt duke thithur gjithnjë e më shumë mbështetje nga ata që u ndjenë të harruar në Amerikë.