Japim maksimumin

Klas, finesë, dëshirë, grintë dhe shpirt i lartë gare, falë këtyre karakteristikave Ledian Memushaj ka fituar respektin e të gjithëve në Serinë A italiane. Ai është kapiteni i Pescarës dhe një nga futbollistët më të rëndësishëm të kombëtares shqiptare. Italia, por mbi të gjitha Izreali janë dy kundërshtarët direktë të Shqipërisë në grupin G, por më shumë sesa për ndeshjen ndaj të Kaltërve, vëmendja e mesfushorit vlonjat është e gjitha te dueli i të shtunës në “Elbasan Arena” ndaj Izraelit.
“S’e kam menduar diçka të tillë, sepse aktualisht për momentin gjëja më e rëndësishme është ndeshja ndaj Izraelit, kemi kohë për të menduar për Italinë. Në Itali të them të drejtën kanë shumë respekt për Shqipërinë si kombëtare, madje na kanë edhe pak frikë, pasi e dinë që jemi një ekip i mirë, por për momentin ne duhet të mendojmë vetëm për Izraelin”, u shpreh Memushaj.
Edhe pse ishte një nga lojtarët që spikati më shumë në Europianin francez, në ndeshjet e fundit me Shqipërinë, Memushaj nuk është aktivizuar shumë, ndërkohë që te Pescara luan rregullisht, por pavarësisht kësaj 29-vjeçari nga Vlora nuk i vendos asnjëherë në diskutim zgjedhjet e trajnerit De Biasi, duke theksuar se te Shqipëria konkurenca është shumë e madhe.
“Unë do të kërkoj të jap maksimumin edhe në stërvitje, pastaj këto janë zgjedhje që i bën trajneri. Me ekipin tim nuk është se gjërat po na shkojnë shumë mirë, është një periudhë negative për ne. Por kampionati sapo ka filluar dhe kemi akoma shumë ndeshje për të rikuperuar terren. Këtu në kombëtare ka shumë konkurencë jemi shumë lojtarë, dhe janë të gjithë futbollistë që aktivizohen te klubet e tyre. Kjo është diçka pozitive, sepse tregon edhe faktin që jemi rritur shumë si ekip, prandaj edhe trajneri ka shumë zgjedhje”, tha ai.
Humbja ndaj Spanjës nuk është harruar ende, por sipas Ledian Memushajt, Shqipëria është paraqitur mirë deri tani në eliminatoret e Botërorit, dhe nuk ka arsye për ta kthyer kokën pas. “E vetmja ndeshje që kemi gabuar në këto eliminatore është ajo me Spanjën, por besoj se nuk mund të bënim dot më shumë, sepse Spanja është një skuadër e një tjetër niveli dhe është superiore krahasuar me të gjitha ekipet e tjera të grupit tonë”, përfundoi Memushaj.