Hahn: Rekomandojmë hapjen e negociatave me kusht

Komisioni Europian diskutoi në Bruksel paketën e zgjerimit 2016. Gjatë fjalës së tij, komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, tha se Shqipëria do të hapë procesin e negociatave me Bashkimin Europian.
Gjatë fjalës së tij, komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn, tha se: “Shqipëria ka vazhduar të bëjë progres në përmbushjen e pesë prioriteteve për hapjen e negociatave. Ndryshimet kushtetuese u miratuan unanimisht në korrik 2016, duke prezantuar një reformë të madhe në sistemin e drejtësisë.
Reforma në administratën publike po vazhdon të zbatohet në mënyrë konstante. Po punohet në drejtim të rekordeve pozitive të hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimin e të implikuarve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Puna duhet të thellohet.
Si rrjedhojë e këtij progresi, Komisioni rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë.
Sidoqoftë: ky është subjekt i progresit të besueshëm dhe të prekshëm në zbatimin e Reformës në Drejtësi, në veçanti në lidhje me rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve (e ashtuquajtura ‘Vetting’). Ta themi thjesht: Ne duhet të shohim shumë qartë dhe në mënyrë të besueshme se për këtë po punohet në terren. Vetëm rezultatet kanë rëndësi”.
Sa i përket Malit të Zi, komisioneri Hahn tha se vendi ka bërë progres në procesin e përafrimit, por duhet të japë më shumë prova për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Serbia gjithashtu ka bërë progres, por hapja e negociatave do të varet nga bisedimet me Kosovën dhe roli i saj konstruktiv me vendet e tjera në rajon. Reformat në ekonomi po ecin mirë.
Maqedonia, tha komisioneri Hahn, nuk ka dalë ende nga kriza politike, ndërsa po bëhen përpjekje për të gjetur zgjidhjet e mundshme. Vendi ka dhënë kontribut dhe rol në krizën emigratore.
Sa i përket Kosovës janë bërë hapa drejt procesit të integrimit, por heqja e regjimit të vizave do të kërkojë hapa konkretë në çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, por edhe me bisedimet me Serbinë.
Komisioneri Hahn tha se të gjithë duhet të tregojmë se ky është një proces strategjik me rezultatet që priten. “Është procedurë e gjatë dhe komplekse, vendet duhet të transformohen. Një tjetër çështje është se duhet të nxisim procesin, por ne nuk jemi ‘pronarë’, na duhet bashkëpunimi.
Është në interesin e të gjithëve që t’u jepet prioritet reformave të duhura dhe të drejta”, tha komisioneri për Zgjerimin.