BE shton 6 deputetë rusë në listën e sanksioneve

Bashkimi Evropian ka shtuar edhe gjashtë deputetë të rinj të Dumas ruse – që të gjithë nga Krimea – në listën e sanksioneve, pas aneksimit të paligjshëm të territorit të Ukraninës.
Të gjashtë deputetët e Dumas që gjenden në listën e zezë, i fituan vendet e tyre gjatë zgjedhjeve parlamentare të Rusisë në shtator.
Sanksionet e BE-së u vendosën ndaj individëve dhe grupeve që, sipas Brukselit janë përgjegjës për aksionet kundër integritetit territorial të Ukrainës. Asetet e ngrira dhe ndalimi i vizave janë sanksionet që u vendosën nga BE-ja në muajin mars të vitit 2014, pasi Rusia e aneksoi Krimenë.
Sanksionet ndaj Rusisë u ashpërsuan dhe në shtator të këtij viti u zgjatën edhe për gjashtë muaj të tjerë.
Në listën e të sanksionuarve janë gjithsej 152 individë, përfshirë edhe zëvendëskryeministrin rus, Dmitry Rogozin, si dhe Dmitry Kiselyov, që shumica e konsiderojnë si shefin e propagandës ruse.
Në listën e sanksioneve janë gjetur edhe 37 entitete apo kompani që punojnë në Krime, si dhe njësi ushtarake të kryengritësve në lindje të Ukrainës që i mbështet Rusia.