Balaj sërish në 11-shën më të mirë të javës në Rusi

Bekim Balaj sërish në formacionin më të mirë të javës në Premier Leaguen ruse. Për herë të tretë rresht, sulmuesi shqiptar është përzgjedhur në 11-shen më të mirë, tregues ky i formës së shkëlqyer që po kalon bomberi shkodran. Në javën e 13-të të kampionatit rus, Balaj me një dygolësh i dha fitoren me shifrat 2-1 Terek Grozny-it ndaj Zenitit të Shën Petersburgut, duke i shkaktuar humbjen e parë sezonale skuadrës së Mircea Lucescut.
Balaj është padiskutim njeriu i momentit në Premier League ruse, pasi në 3 javët e fundit të kampionatit ka arritur ta gjejë në 5 raste rrugën e rrjetës. Aktualisht, bomberi shkodran kryeson listën e golashënuesve në Rusi me 8 finalizime aq sa edhe sulmuesi i Krasnodarit Fedor Smolov. Terek Grozny është ngjitur në vendin e 3-të dhe për këtë një meritë të jashtëzakonshme e ka pikërisht 25-vjeçari nga Shkodra. Në sfidën ndaj Zenitit, Balaj me dy golat e tij përmbysi avantazhin provizor të skuadrës nga Shën Petersburgu. Tashmë objektivi i Bekim Balajt është të realizojë për Shqipërinë në sfidën kualifikuese të Botërorit Rusi ndaj Izraelit.