Ballina Sport 4 skuadrat që po mahnitin Europën

4 skuadrat që po mahnitin Europën

Mrekullia që mban emrin e Leicester City-it mund të përsëritet në të tjerë kampionate të rëndësishme në Europë gjatë këtij sezoni. Ecuria e Dhelprave edicionin e kaluar u ka shërbyer shumë skuadrave të vogla për të kuptuar se, nëse japin maksimumin dhe luajnë me zemër, në futboll gjithçka është e mundur. Nga Nice te Leipzigu për të vazhduar me Istanbul Basaksehir dhe Zulte Waregem, të 4-ta këto skuadra i kanë mundësitë për të bërë atë që realizoi Leicester-i një sezon më parë. Me një lojtar si Mario Balotelli, Nice po shkëlqen në Ligue 1 teksa kryeson kampionatin me 29 pikë pas 12 javëve të para. Humbja ndaj Caen të dielën bëri që Monaco dhe PSG ta ngushtonin në 3 pikë distancën me formacionin e Lucien Favre, por nëse ruan këtë ritëm skuadra nga Jugperëndimi i Francës i ka të gjitha mundësitë për të fituar titullin. Nga Nice te Leipzigu në Bundesligë. Suksesi 3-1 ndaj Mainz-it i 5-ti radhazi për formacionin e drejtuar nga Ralph Hasenhutll e ngjiti Leipzigun në krye të Bundesligës në kuotë të barabartë pikësh me kampionët në fuqi të Bayern-it. Për faktin se ka një sponsor të fuqishëm si Red Bulli, por edhe sepse është një skuadër e Gjermanisë Lindore, Leipzigu duhet të luftojë kundër të gjithëve, pasi urrehet nga pjesa më e madhe e Gjermanisë.
Deri tani ata ja kanë dalë dhe me një skuadër që ka një moshë mesatare më të vogël se 23 vjeç po rivalizojnë me Bayern-in. Transferohemi në Turqi aty ku Istanbul Basaksehir skuadra ku luan Sokol Cikalleshi po i mahnit të gjithë. Fitorja e fundit ndaj Galatasaray-it tregoi se, formacioni i trajnerit Abdullah Avci nuk ndodhet rastësisht në krye të Superligës turke me 2 pikë më shumë se Beshiktashi. E themeluar në vitin 1990, skuadra nga Stambolli po mbështetet te përvoja e madhe e ish-mesfushorit të Interit që është njëkohësisht edhe kapiteni i ekipit Emre Belezoglu,  për të bërë surprizën e madhe në këtë sezon. Nga Turqia në Belgjikë aty ku Zulte Waregem një skuadër që luan në një stadium me një kapitecitet prej 8500 vendesh dhe që në të kaluarën ka fituar vetëm një Kupë të Belgjikës, ka lënë në hije ekipe si Anderlecht, Club Brugge, Gent e Standart Liege. Në 14 javë kampionat, Zulte ka grumbulluar 30 pikë, 5 më shumë se Anderlecht dhe 6 më tepër se Club Brugge. Atë që bëri Leicester-i vështirë se këto skuadra mund ta realizojnë, por të paktën deri tani, Nice, Leipzig, Istanbul Basaksehir dhe Zulte Waregem po e provojnë.

Exit mobile version