Ballina Aktualitet Përmbytet autostrada Tiranë-Durrës, kanalet kulluese u mbyllën për palmat

Përmbytet autostrada Tiranë-Durrës, kanalet kulluese u mbyllën për palmat

Autostrada Tiranë-Durrës u përmbyt ditën e djeshme si pasojë e shkatërrimit të kanalizimeve për të mbjellë palma. Pamjet ishin me të vërtetë katastrofike. Qindra makina të bllokuara, ndërsa mijëra njerëz kanë pritur ndërhyrjen e shtetit. Por kjo ndërhyrje ka munguar për shumë orë, deri sa në orët e mesditës është përdorur një ekskavator për të shkatërruar muret anësore të autostradës për të ikur uji. Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar një video në faqen e tij në Facebook, ku shkruan se kjo katastrofë ndodhi edhe sepse kanalet kulluese të autostradës u mbyllën për të mbjellë palma. “Katastrofë në autostradën e “palmave”! Kjo ndodh kur mbyll kanalet për të mbjellë palmat! sb”, shkruan Berisha.
Uji ka hyrë edhe në bizneset anash autostradës. Qytetarët thanë se, situata është kritike dhe se niveli i ujit është afro gjysëm metër. Sipas qytetarëve, dëmet janë të pallogaritshme tek bizneset që gjenden përgjatë autostradës Tiranë-Durrës. Magazina të shumta ndodhen nën pushtetin e ujit, ndërsa pronarët e punonjësit e këtyre bizneseve janë munduar të nxjerrin nga këto ambiente mallrat e tyre. Tepër kritike ka qenë situata në ambientet e një qendre tregtare të gjendur në Kashar. Kati i parë i kësaj qendre mësohet se është i përmbytur krejt. Nga përmbytja e kësaj qendre tregtare janë shkaktuar mjaft dëme në magazinat e bizneseve të ndryshme që gjenden aty.
Situatë dramatike edhe në Durrës si pasojë e përmbytjeve. Qyteti i Durrësit u paralizua që në orët e para të mëngjesit të djeshëm nga rrugët e përmbytura. Si pasojë e reshjeve të shumta të shiut, shumë nga rrugët kryesore të qytetit u bënë të pakalueshme.
Si gjithnjë, kur ka përmbytje në qytet, rrugët më problematike ishin rruga “Aleksandër Goga”, zona te Stacioni i Trenit, lagja nr.15 në Kënetë, lagja nr. 16 te Zjarrfikësja, Shëtitorja “Taulantia”, rruga “Mujo Ulqinaku” pranë stadiumit etj., në të cilat niveli i ujit kalonte mbi 50 cm.
Në një orar kur të gjithë nxitojnë për të shkuar në shkollë e punë, nëpër rrugë u krijua një kaos i vërtetë dhe ku trafiku ishte tejet i rënduar. E vështirë paraqitej situata si për këmbësorët, ashtu edhe për drejtuesit e automjeteve.
Mot i keq dhe erërat e forta kanë sjellë probleme të shumta në Portin e Durrësit dhe atë të Vlorës. Reshjet e shumta dhe moti i keq ka bërë që Porti i Durrësit të pezullojë punën deri në qetësimin e motit. Ndërsa në Vlorë puna e portit është bllokuar. Një prej trageteve që po ankorohej është përplasur me bankinën e portit. Kjo ka bërë që kapiteneria të pezullojë për momentin punën.

Fushë-Krujë qindra shtëpi të përmbytyra
Mjaftuan 2 orë shi që lumi Zezë në Fushë-Krujë të dalë nga shtrati e të rrëmbejë gjithçka që gjente përpara, duke përmbytur qindra familje. Kurse rruga nacione Fushë-Krujë – Thumanë qëndroi për afro 4 orë e bllokuar. Vargu i makinave shkoi në 6 km në Derven.
Vërshimi i ujit shembi edhe muret e banesave pranë. Familja e Ramazan Kasapit është përmbytur për herë të katërt. Por, këtë herë forca e ujit ka shembur derën prej hekuri dhe murin rrethues të shtëpisë. Familjarët kanë treguar se teksa uji ka përfshirë gjithçka, ata kanë menduar vetëm të shpëtojnë fëmijët, sepse për sendet shtëpiake tashmë nuk flitet.
E tillë situata është edhe në familjen Kulla, e cila nuk ka gjetur, një motopompë për të tërhequr ujin, ndërsa ankohen se askush nuk i ka ardhur në ndihmë në të tilla raste. Banorët e Fushë-Krujës kërkojnë sistemimin e këmbëve të urave mbi lumin Zezë, pasi sipas tyre janë bërë pengesë për rrjedhjen e ujit, që për pasojë përbën rrezik serioz për fryrjen dhe daljen e tij nga shtrati.
E njëjta situatë problematike është shënuar edhe në dalje të Milotit, ku disa familje duket se do ta kalojnë këtë dimër në prani të ujit. Edhe më herët, familja Tafa dhe Lleshi, janë ankuar se askush nuk ka marrë masa për t’i ndihmuar, ndërsa reshjet kanë shkaktuar probleme edhe në Shullaz të Kurbinit.

Exit mobile version