Lezha drejt katastrofës, çahen argjinaturat në Rrilë dhe Tale

Situatë dramatike në Qarkun e Lezhës si pasojë e çarjeve të argjinaturave në Rrilë dhe Tale ku rrezikohen 4300 familje. Bëhet e ditur se, argjinatura në Njësinë Shën Koll dhe Rrilë është çarë në dy vende dhe si pasojë rrezikohen banorët. Uji po vërshon drejt qendrave të banuara nga prurjet e mëdha të krijuara nga reshjet e dendura të shiut gjatë gjithë ditës së djeshme. Fatmirësisht, deri tani nuk ka rrezik për banesa, pasi ato janë larg zonës ku ndodhet argjinatura, por situata pritet të përkeqësohet nëse do të ketë reshje në orët në vijim.
Ndërkohë, në orët e vona të ditës së djeshme është çarë edhe argjinatura në Tale, duke e bërë situatën tepër dramatike. Ashtu siç dhe ishte parashikur është çarë në dy pika argjinatura e lumit Mat në Tale të Lezhës. Burimet nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se situata është e rëndë, pasi uji ka vërshuar drejt zonave të banuara. Ndërkohë, vendorët kanë kërkuar ndihmën e ushtrisë për të marrë në kontroll situatën. Ndërkaq, lumi Mat rrezikon të dalë sipër argjinaturës dhe për 5 cm. Shumë pranë argjinaturës ka banesa, të cilat rrezikojnë përmbytjen. Drejtuesit lokalë kaluan në gatishmëri në pritje të gjendjes më të rëndë.
Edhe në qytetin e Lezhës situata ka qenë mjaft e rënduar si pasojë e përmbytjeve. Raportohet për prezencë uji tek “11 Janari”, ndërkohë që gjysma e qytetit dhe disa njësi administrative kanë mbetur edhe pa energji elektrike që prej mëngjesit. Bëhet e ditur se janë dërguar 30 trupa ushtarake në Qarkun e Lezhës, ndërkohë që janë në gatishmëri dhe 6 mjete të kalueshmërisë së lartë. Forcat e ushtrisë e mjetet janë gati për të ndërhyrë sipas kërkesave të Qarkut Lezhë për të evakuuar banorët në zonat e rrezikuara nga përmbytjet.
Efektivët e ushtrisë janë duke punuar tek nënstacioni për të penguar rrjedhjen e ujërave në dy drejtime, në mënyrë që të evitohet përmbytja e qytetit. Ndërkohë që është vendosur një motopompë. Aktualisht, po punohet edhe tek shkolla 9-vjeçare “Kosova”, që ndodhet në qendër të Lezhës si dhe tek Konvikti i Shkollës së Mesme Ekonomike.
Ndërkohë, që situata është problematike dhe në Fushë-Krujë ku janë tre familje në rrezik përmbytjeje, ndërsa janë duke mbërritur forcat e ushtrisë për evakuimin e tyre. Forcat e ushtrisë pritet të ndërhyjnë dhe në Derven pas daljes nga shtati të lumit Zezë dhe në Borizanë. Dy grupe shpëtimi me varka dhe mjete të kalueshmërisë së lartë janë në Fushë-Krujë në ndihmë të banorëve për evakuimin e tyre.

Izolohet zona e Cekajve, Bukmira dhe Kaqinari në Mirditë!
Deputetja e Partisë Demokratike, Albina Deda, ka reaguar për situatën e rënduar në Mirditë dhe ka kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme nga qeveria për t’u ardhur në ndihmë banorëve. Deda shprehet se, Ura Cekajve që lidh Rrëshenin me Cekaj, Bukmirë, Kaqinar është mbuluar nga uji që mbrëmjen e të hënës. “Banorët apelojnë për ndihmë dhe përveç shkakut të reshjeve, fajësojnë pushtetin lokal që devijoi projektin e rrugës, duke nxjerrë urën jashtë projektit, gjithashtu ndikim ka patur dhe diga e HEC-it Reps që ka mbledhë edhe ujin e Fanit të Vogël e duke e bashkuar me Fanin e Madh rriten prurjet, por dhe diga e HEC-it Qafë Mollë disa metra më poshtë urës së Cekajve.
Banorët kanë protestuar shpesh herë për këtë dhe askush nuk përgjigjet apo dhe t’i presë. Edhe unë si deputete i jam bashkuar me median për të bërë të mundur reagimin e pushtetit lokal dhe HEC-ve”, shprehet deputetja Deda.

Lumi Zmea bllokon unazën e qytetit
Reshjet e dendura të shiut që përfshinë gjatë natës, por dhe ditën e djeshme kanë shkaktuar probleme të mëdha edhe në Mirditë, ku është dëmtuar unaza e qytetit pas prurjeve të lumit Zmea. Sipas të dhënave, mësohet se unaza është nxjerrë jashtë funksionit. Bëhet e ditur se fshati Kaçinar është izoluar, pasi është përmbytur ura e Cekave, ndërsa banorët kanë ngelur të izoluar. Probleme me reshjet ka pasur në mbarë vendin, ndërsa problematike gjendja ishte edhe në Tiranë.

Shkodra nën ujë, dhjetëra shtëpi të përmbytura, nxirren varkat në rrugë
Shkodra është mbuluar dhe janë nxjerrë në rrugë varkat për t’iu ardhur në ndihmë banorëve. Më shumë se 60 banesa janë të rrethuara nga uji. Probleme të mëdha ka në qarkullim dhe me energjinë elektrike, pasi në disa zona mungon prej orësh. Disa shkolla raportohet se janë bllokuar nga uji. Strukturat e pushtetit vendor janë vënë në lëvizje për t’iu ardhur në ndihmë banorëve.
Situatë e rëndë është në të gjithë periferinë e Shkodrës. Xhamia e Plumbit është përmbytur. Ndërkohë që te Harku i Bërdicës disa shtëpi janë përmbytur. Vërshimi i ujërave ka ardhur nga reshjet e dendura të shiut, por dyshohet se ka pasur edhe shkarkime gjatë natës nga Vau i Dejës.
Pasojat më të rënda janë ndjerë në fshatin Kuç të Gurit të Zi në Shkodër. 200 shtëpi janë ende të rrethuara nga uji, 20 prej tyre janë përmbytur. Grupet e shpëtimit kanë shkuar për t’u dhënë ndihmën e banorëve, ndërkohë që disa familje janë evakuar.
Hajdarmataj: Situata në Tropojë emergjente, të ndërhyjë ushtria!
Deputetja e PD, Mimoza Hajdarmataj ndodhet në Tropojë pranë zgjedhësve të saj, nga ku jep një tablo të zymtë të situatës nga moti i keq. Ajo deklaron se 15 shtëpi janë dëmtuar, si dhe ambulanca, ura dhe rrugët kryesore. Ajo kërkon ndërhyrjen e ushtrisë.
“Situata në Tropojë është emergjente. Si pasojë e reshjeve të shumta si dhe të erës së fortë, janë dëmtuar rëndë rreth 15 shtëpi banimi, ambulanca, ura dhe rrugë kryesore që lidhin qytetin me njësitë administrative si dhe lidhëse të fshatrave. Fshatra të tërë pa drita dhe rreziku për rrëshkitje tokash vazhdon të jetë permanent. Përrenj të tërbuar si ai i Murataj, Dedaj, Mejdan, Lug i Zi, Shudenicë etj., po rrezikojnë jetën e banorëve të fshatrave përreth. Në terren duhet të zbresin dhe forcat e ushtrisë”, shkruan Hajdarmataj.

R.POLISI