Zhgënjejnë Real Madrid dhe Juventus

Në sfidat e mbetura të raundit të pestë të ndeshjeve në grupet e Champios League, rezultati më befasues u arrit në sfidën mes Legias së Varshavës dhe Realit të Madridit, që përfundoi në barazim 3-3 me madrilenët që humbën mundësinë për të siguruar kualifikimin, çka e bëri Borussia e Dortmundit pas suksesit 1-0 me Sportingun e Lisbonës. Në Varshavë dy golat e shpejtë të shënuar nga Gareth Bale dhe Karim Benzema dhanë përshtypjen e një fitoreje të thjeshtë të Los Blankos, por çuditërisht Legia arriti të përmbyste shifrat me Odjidja-Ofoe në fund të fraksionit të parë dhe me Radoviç dhe Mullin në pjesën e dytë. Goli i Mateo Kovaçiç 5 minuta para përfundimit të kohës së rregullt shpëtoi nderin e Realit në këtë transfertë.
Në Grupin H, Juventusi e shtyu për më vonë festën e kualifikimit, pasi barazoi 1-1 në Torino me Lyonin. Kampionët e Italisë shpërdoruan avantazhin e arritur që në minutën e 13 me Gonzalo Higuan nga pika e bardhë e penalltisë, pasi në minutën e 85 Tolisso bëri të heshtte “Juventus Stadium”. Ndërkohë Sevilla iu imponua me shifrat 4-0 Dinamos së Zagrebit në Sanzhez Pijszuaz, ku fillimisht shënoi Vietto në minutën e 31-të, ndërsa në pjesën e dytë Escudero realizoi golin e sigurisë për andaluzianët. Në minutat e fundit Nzonzi dhe Ben Yeder vulosën shifrat në 4-0. Sevilla kryeson grupin me 10 pikë, badhezinjtë kanë grumbulluar 8 pikë, ndërsa mbyllin klasifikimin Lyoni dhe Dinamo e Zagrebit me 4 dhe zero pikë.
Në Grupin G, Leicester City hodhi një tjetër hap të rëndësishëm drejt kualifikimit duke barazuar pa gola në fushën e Kopenhagenit, ndërsa rikthehet tek suksesi Porto, që fitoi në transfertë me Klub Brugge me gol të Andre Silvas. Në këtë grup Leicesteri ka grumbulluar 10 pikë, Porto 7, Kopenhagen 5, ndërsa mbyll tabelën Klub Brugge me zero pikë.
Mbetet gjithçka e hapur në Grupin E, ku vazhdon të kryesojë Monaco pas fitores së thellë 3-0 me CSKA e Mokës. Valeire Germmain dhe dy herë Radamel Falcao i mjaftuan skuadrës nga Principata për ta nxjerrë jashtë loje skuadrën moskovite që në pjesën e parë.
Fiton edhe Bayer Leverkusen ndaj Totenhamit në transfertë me gol të Kampl, me “Aspirinat” që parakalojnë në renditje pikërisht “Gjelat” e Londrës.