Ballina Aktualitet Si i shpëtoi atentatit miku i Elton Çiços nga vrasësi me pagesë

Si i shpëtoi atentatit miku i Elton Çiços nga vrasësi me pagesë

Personi që qëlloi ndaj Andi Mustarafajt, mesditën e 28 tetorit në një lokal në zonën e ish-Ekspozitës, dyshohet të jetë një vrasës me pagesë. Policia nuk ka mundur ta identifikojë atë. Burime nga grupi hetimor thanë se kamerat e sigurisë së lokalit nuk e kanë filmuar momentin kur ai ka qëlluar ndaj 29-vjeçarit. Vetëm njëra prej tyre e ka fiksuar atë nga pas, në momentin që është larguar me vrap pas atentatit.
Ai mbante një kapele në kokë. I është afruar nga anash shënjestrës që ishte i ulur vetëm në tavolinë dhe e ka qëlluar disa herë në trup.
Ka përdorur një pistoletë me silenciator. Dyshohet se 3 deri në 5 plumba e kanë prekur Mustafarajn në stomak, zorrë e mëlçi. Të gjithë plumbat kanë bërë hyrje dhe dalje, ndaj numri i tyre nuk është përcaktuar ende.
Mustafaraj nuk ka mundur ta shohë atentatorin, pasi ai i ka ardhur anash nga rruga dhe i është afruar në një distancë të afërt.
Hetuesit thonë se qëllimi ka qenë eliminimi i Mustafarajt, por atentatorit i ka dalë një pengesë. Ngjitur me shënjestrën kanë qenë dy fëmijë të vegjël dhe ky fakt, sipas hetuesve, ka bërë që ai ta ulë pistoletën për ta qëlluar në bark 29-vjeçarin dhe jo në kokë.
Andi Mustafaraj ruhet në masa të forta sigurie në Spitalin e Traumës, 24 orë me radhë. Ai nuk ka dhënë asnjë detaj të vlefshëm për hetimet, duke thënë se nuk ka mundur ta njohë atenatorin.
Policia tha zyrtarisht se Mustafaraj është mik i ngushtë i Elton Çiços, një person me precedentë kriminalë që u ekzekutua me 2 plumba në kokë mbrëmjen e 1 majit të këtij viti, në një lokal në zonën e ish–Bllokut, ngjarje për të cilën janë shpallur në kërkim Jani Aliaj dhe Renato Milloshi.
Edhe në vrasjen e Çiços, autori mbante një kapele në kokë. Grupi hetimor dyshon se ngjarjet kanë lidhje me njëra-tjetrën dhe po hetohet pista e lidhjes së dy atentateve me plagosjen e Nelgert Patës, në gusht të këtij viti në një lokal pranë Parkut të Autobusëve, në Rrugën e Kavajës. Nelgert Pata njihej si armik i Elton Çiços. Edhe pse u plagos, ai u largua dhe nuk u dorëzua në polici.

Exit mobile version