Gabimet e Juves

Xhani de Biazi është i bindur se Juventusi ka qenë me fat që ka dalë me pikë në sfidën e së mërkurës mbrëma të Ligës së Kampioneve nga “Juventus Stadium”, edhe pse për pjesën më të madhe të ndeshjes ndaj Olimpikut të Lionit ishte në avantazh. “Mendova se mund ta administronin ndeshjen, por fitorja u shpëtoi nga duart”, tha De Biazi për “RSI”. “Kur përballesh me kundërshtarë të fortë nga pikëpamja fizike dhe nga pikëpamja e kundërzbritjeve të shpejta, ndeshesh me vështirësi. Mendoj se gabimi më i madh që është bërë nga Juventusi ishte ai që mendoi se e kishte mbyllur ndeshjen dhe barazimi është fryt i një pakujdesie të tillë. Juventusi duhet të jetë i kënaqur që ka marrë një pikë, pasi rrezikoi të dilte nga stadiumi me një humbje”, u shpreh De Biazi.
De Biazi argumenton se fakti që Juventusi dominon pa problem në Itali, i ka vështirësuar më shumë punën në Europë kësaj skuadre, të cilës nuk i falet asnjë lloj pavëmendje në arenën ndërkombëtare.
“Kur mësohesh të fitosh lehtësisht në kampionat, ke vështirësi në Europë. Duke kujtuar fitoren e 15 ditëve më parë ndaj Lionit, Juventusi po parashikonte një ndeshje më të thjeshtë nga pikëpamja e administrimit të lojës. Në fakt doli shumë më e vështirë se sa ndeshja e parë dhe sipas meje, Juventusi nuk ishte gati të përballonte një ndeshje me sakrificë.
Nëse e vini re, në fillimin e pjesës së dytë dëgjohet zëri i Alegrit që thotë ‘Mos e hidh topin, mos bëj pasime kot’, për të shfrytëzuar mbajtjen e topit dhe hapësirat që kundërshtarët krijonin”, tregoi De Biazi, i cili mendon se mangësitë e dy neteve më parë kanë lidhje edhe me faktin se Miralem Pjaniç nuk ka gjetur ende vendin e duhur në skemat e Alegrit.
“Ai duhet të jetë sugjeruesi për sulmet në treçerekun e fushës. Këtë punë mund ta bëjë edhe Bonuçi dhe Markizio, por nuk është ajo që i kërkohet një fantazisti. Një i tillë është ai që jep pasimet për sulmuesit apo që krijon mundësi për të gjuajtur nga kufiri i zonës së rreptësisë. Sot, këto gjëra Pjaniç nuk i bëri. I bënte kur ishte më i ri dhe ishte pjesë pikërisht e Lionit.
Tani është më shumë një gjysmëmesfushor krahu në rreshtimin 4-3-3 apo në 3-5-2. Ai është një mesfushor i mirë nëse luan në qendrën e majtë, pasi mund të hyjë drejt qendrës dhe të gjuajë me këmbën e preferuar. Sigurisht që duhet të ambientohet ende me rolin, por cilësitë teknike të tij nuk vihen në diskutim”, ishte analiza e trajnerit të kombëtares shqiptare të futbollit.