Cikalleshi, në minimumin historik

Një vit më parë në këtë periudhë, ai ishte sulmuesi i momentit në kombëtaren shqiptare dhe shkëlqente sa herë zbriste në fushë me skuadrën e tij Istanbul Basaksehir. Por sa shumë gjëra kanë ndryshuar në këto 12 muaj për Sokol Cikalleshin. Nga alternativa e parë në zgjedhjet e De Biasit për sulmin, 26-vjeçari kavajas ka humbur terren duke u parakaluar në hierarkinë e trajnerit nga Sadiku e Balaj. Por më shumë sesa në kombëtare periudhën më të keqe Cikalleshi po e kalon te klubi i tij Istanbul Basaksehir. Sezonin e kaluar ish-lojtari i Kukësit dhe Rnk Splitit realizoi në total 13 gola me skuadrën e tij aktuale mes Superligës turke dhe Kupës së Turqisë.
Ndryshe nga një vit më parë këtë sezon gjithçka po i shkon ters bomberit të kombëtares kuqezi. Trajneri Abdullah Avci ka humbur besimin te 26-vjeçari dhe e ka aktivizuar në vetëm 2 ndeshje Cikalleshin në këtë sezon të kampionatit turk për një total prej vetëm 64 minutash. Në mungesë të sulmuesit tjetër Batdal, Cikalleshi humbi shumë pikë në sytë e trajnerit të Istanbulit, Abdullah Avci gjatë muajit gusht kur ky i fundit e aktivizoi në sfidën e turit të tretë ndaj Rijekës dhe në 2 takimet play off ndaj Shakthar Donetsk bomberin kavajas. Në ato 3 sfida Cikalleshi jo vetëm që nuk spikati me formën e tij, por në ndeshjen e parë ndaj Shaktahar-it shënoi një autogol. Dhe që nga ajo periudhë trajneri Avci e ka aktivizuar për fare pak minuta 26-vjeçarin, i cili papritur është kthyer në një lojtar që ngroh stolin te Istanbul Basaksehir.
Momenti jo i miri Cikalleshit nisi që në muajin maj kur lojtari në përgatitjet me Shqipërinë për Europianin Francë 2016-të, humbi vendin në formacionin titullar të kombëtares kuqezi me Giani de Biasin që i besoi Armando Sadikut, i cili ishte në një formë të shkëlqyer. Vetëm pak minuta për Cikalleshin në sfidën e parë ndaj Zvicrës në Lens dhe asnjë mundësi tjetër në Euro 2016-të. Edhe në eliminatoret e Botërorit 2018, Cikalleshi është aktivizuar në total vetëm 21 minuta me Shqipërinë në 3 sfidat e para, pikërisht në duelin e Vaduzit ndaj Lihtenshtejnit.
Minimumi historik në karrierën e 26-vjeçarit në nivel klubesh, përbën njëkohësisht një problem edhe për kombëtaren shqiptare që ka nevojë për Cikalleshin e dikurshëm, atë që krijonte volum, bënte repart i vetëm e shënonte. Tani i duhet të shfrytëzojë çdo shans, çdo minutë të vetme për t’i bindur të gjithë se klasi nuk bëhet ujë, ku i dihet, ndoshta që nga ndeshja me Izraelin.