Tensionohet Mesi

Leo Mesin e tradhtojnë sërish nervat. Pas përplasjes me tifozët e Valencias para dy javësh, ylli i Barcelonës mbrëmjen e së martës është përfshirë në një incident me lojtarët e Mançester Sitit. Fill pas përfundimit të ndeshjes së humbur 3-1, argjentinasi pati një situatë të pakëndshme në tunelin e stadiumit “Etihad”.
Sipas mediave spanjolle, “Pleshti” e humbi qetësinë pasi u ofendua me fjalë nga një (ose disa) futbollistë vendas. Lojtari, emri i të cilit nuk dihet, i ka thënë 29-vjeçarit diçka fyese teksa i drejtoheshin tunelit, me argjentinasin që u përgjigj: “Hajvan, hajde këtu e më trego surratin!”. Më pas, së bashku me delegatin e Barcelonës, Karles Naval, shkoi në zhveshtoren e Sitit në përpjekje për ta gjetur futbollistin që e ofendoi. Mësohet se u desh ndërhyrja e Serxho Agueros për ta qetësuar Mesin. “Dëgjova diçka dhe pashë që Leo ishte i nxehur, por isha i fundit që lashë fushën dhe nuk e di mirë çfarë ndodhi”, tha sulmuesi argjentinas i Mançester Sitit.
Mançester Siti dhe Pep Guardiola hakmerren për atë humbje turpëruese në “Camp Nou” duke i kthyer reston Barcelonës. 3-1 fituan “Citizens” në “Etihad Stadium” pas një 90 minutëshi plot ritëm dhe me shumë raste nga të dyja krahët. Ishte Lionel Mesi ai që kaloi në avantazh katalanasit që në minutën e 21, por Gundogan barazoi shifrat në të 39-ën. Gjatë fraksionit të dytë, Siti realizoi edhe dy gola me De Bruyne e Gundogan, duke arritur një fitore të rëndësishme që e ngjit në vendin e dytë të Grupit C pas barazimit 1-1 që Borussia Mouncengladbach arriti ndaj Celtic. Në Grupin A, Arsenali ktheu disavantazhin e dy golave duke u imponuar me rezultatin 3-2 ndaj Ludogorets. Ishin Xhaka, Giroud dhe Ozil ata që i siguruan suksesin skuadrës londineze që siguron matematikisht kualifikimin për në fazën tjetër. Në përballjen e Baselit mes vendasve dhe Paris Saint Germain, francezët triumfuan në sekondat shtesë me rezultatin final 2-1.
Edhe kampionët e Francës sigurojnë kualifikimin dhe tashmë do të ndeshen me Arsenalin për të vendosur fatin e vendit të parë. Në Grupin C, skuadra më e fituar doli Benfica që mundi 1-0 Dinamon e Kievit dhe përfitoi nga barazimi 1-1 mes Beshiktashit dhe Napolit. Portugezët ngjiten në vendin e dytë me 7 pikë, po aq sa Napoli kryesues, ndërsa skuadra turke zbret në vendin e tretë me një pikë më pak. Në Grupin D, Atletico Madrid fitoi në sekondat e fundit 2-1 ndaj Rostov duke siguruar kualifikimin me 12 pikë. 3 pikë rrëmbeu edhe Bayerni i Mynihut në Eindhoven ndaj PSV. Bavarezët fituan 2-1 dhe ngjiten në kuotën e 9 pikëve, duke arritur të shkojnë për më tej në këtë kompeticion.