Shkëndija, emra të njohur për stolin

Ecuria e shkëlqyeshme e Shkëndijës në kualifikimet e sivjetshme në Europa League, por edhe investimet dhe projekti që po ndërton në këtë skuadër prej tre vitesh kompania “Ecolog” përfundimisht kanë ngritur lart klubin tetovar. Fakt për këtë së fundmi është interesimi i madh nga trajnerë të njohur e me famë për t’u ulur në pankinën e skuadrës kuqezi. Që në momentin e publikimit të lajmit për shkarkimin e trajnerit boshnjak Bruno Akrapoviç, kanë vërshuar ofertat e menaxherëve të ndryshëm për të sjellë teknikë në pankinën e Shkëndijës. Nga burime të ndryshme mësojmë se Aljosha Hasanoviç, Zlatko Krajnçar dhe Zoran Vuliç që të tre nga Kroacia dhe me një të kaluar të pasur në futbollin e këtij vendi kërkojnë t’u jepet shansi për të drejtuar Shkëndijën, duke besuar në projektin që po ndërtohet te kjo skuadër.
Një tjetër emër interesant që përmendet është ai i gjermanit, Jörg Heinrich, ish-futbollist i disa skuadrave me emër si Borusia Dortmund, Fiorentina, Frajburg, Keln e të tjera, si dhe ish-lojtar i kombëtares së Gjermanisë. Ai ka punuar si drejtor sportiv te Union Berlini, ndërsa kërkon të fillojë një përvojë serioze si trajner. Nuk mungojnë emrat e shumtë edhe nga Shqipëria, si ish-trajneri i Kukësit, Klodian Duro që pretendon se mund të ngrejë Shkëndijën në nivelet edhe më të larta. Nga trajnerët nga vendi sigurisht se të gjithë duan stolin e Shkëndijës, por pa ofenduar asnjërin është shumë evidente se për momentin objektivat sportive të KF Shkëndija është mbi nivelin e kapacitetit që ofron vendi.
Ndërkohë, për të zënë vendin e tanimë ish-trajnerit Bruno Akrapoviç është shumë i madh dhe ashtu si përmendëm më lart emra të njohur e me famë haptazi po shprehin dëshirën për të marrë drejtimin e Shkëndijës, por duket se bordi i klubit po analizon mirë situatën. Që në momentin e shkarkimit të Akrapoviçit u vendos që pankina t’i besohet ndihmëstrajnerit Jeton Beqiri, ndërsa me vëmendje analizohet situata para marrjes së vendimit të radhës pa u vënë nën presion të kohës me shpresën për të marrë vendimin e duhur se cili do të udhëheqë në të ardhmen klubin kuqezi.