Rroshi në Prokurori: Nuk mbaj mend si përdhunova

Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi është thirrur dje në Prokurori. Rroshi është paraqitur para hetuesve, pak javë pasi Gjykata e Lartë ndryshoi masën e sigurisë për të duke e lënë të lirë nga arresti shtëpiak. Bëhet e ditur se, për më shumë se 30 minuta nën shoqërinë e avokatit mbrojtës, Elvis Rroshi ka pohuar para prokurorit Enkild Gjini se vijon t’u qëndrojë të gjitha deklaratave publike të dhëna menjëherë sapo nisën hetimet për shkelje të ligjit të dekriminalizimit. Bëhet e ditur se, Rroshi ka këmbëngulur para prokurorëve se, nuk mban mend se për çfarë është proceduar nga shteti italian. Ai ju ka kërkuar prokurorëve t’i paraqesin dokumentet e dërguara nga vendet ku thuhet se ai ka pasur probleme me drejtësinë. Të njëjtën gjë përsëriti edhe avokati i tij.
“Është një marrje në pyetje pas 5 muajve e Rroshit. Është situata që ka qenë në fillim dhe jemi në pritje të letër-porosisë që do të vijnë nga të tjera”, deklaroi avokati Theodhori Sollaku. Prokuroria ka ngritur akuza se kryebashkiaku i Kavajës nuk ka deklaruar dënimin e dhënë nga autoritetet italiane të 1995 në Campobasso, nuk ka deklaruar dëbimin nga Italia dhe Zvicra, si edhe nuk ka deklaruar se është arrestuar më 1997 me urdhër të Gjykatës së Zyrihut.
Elvis Rroshi akuzohet se ka përdorur 5 emra të rremë në vende të ndryshme të BE-së, të cilat nuk ishin deklaruar në formularët e dekriminalizimit. Rroshi figuron i dënuar në Itali në vitet ’90 për përdhunim në grup. Sipas Prokurorisë ai ka përdorur të paktën 5 emra të ndryshëm gjatë kohës kur ka qenë emigrant. Në përgjigje të 8 qershorit Zvicra njofton Shqipërinë se, ky shtetas njihet me emrat Ervin Rroshi, Elvis Rroshi, Bashkim Hallulli, Enver Rroshi, Enver Proshi.
Zvicra shton se në prill 1993 Rroshi ka hyrë në mënyrë të paligjshme dhe ka kërkuar azil. Në datën 14 maj ai është ndaluar nga policia e Zyrihut për një rast të dyshuar droge. Akuza janë ngritur nga Prokuroria pas shkresave të EUROPOL-it që tregojnë të kaluarën kriminale të Elvis Roshit ndër vite në Itali, Gjermani e Zvicër.
Prokuroria e Tiranës, e cila po heton Elvis Rroshin, deklaroi se ky i fundit nuk ka deklaruar dënimin e dhënë nga autoritetet italiane të drejtësisë për veprën penale të përdhunimit të kryer në vitit 1995 në Campobasso, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 1 të formularit të vetëdeklarimit.
Rroshi nuk ka deklaruar se është dëbuar nga shteti italian dhe ai zviceran, respektivisht në vitin 1995 dhe 1993, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 7 të formularit të vetëdeklarimit.
“Gjithashtu, Elvis Rroshi nuk ka deklaruar se është arrestuar në gusht të vitit 1997 në Zvicër me urdhër të Gjykatës së Shtetit të Zyrihut dhe është dëbuar sërish, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikat 5 dhe 7 të formularit të vetëdeklarimit”, deklaroi Prokuroria.

R.POLISI