Rebelohet Roben

Arjen Roben përballej me ish-klubin e tij, PSV-në, me të cilët ka luajtur për dy sezone. Ndërkohë që për holandezin kjo ndeshje ishte speciale, trajneri e zëvendësoi në minutën e 64-t, duke futur brazilianin Kosta në vendin e tij.
“Jam i mërzitur që u zëvendësova. Doja të luaja deri në fund, pasi ishte një sfidë e veçantë për mua. Kisha kohë që prisja të përballesha me PSV-në në transfertë, aty ku kam luajtur edhe më parë. Por, unë dhe trajneri kemi mendime të ndryshme. Mbase ai shqetësohet për shëndetin tim, por fakti që jam riaftësuar dhe luaj si titullar, është një tregues që jam i gatshëm të jem në fushë deri në fund. Mbase mund të jepja edhe më tepër”, deklaroi Roben pas ndeshjes, e cila përfundoi me rezultatin 1-2.
Ai ka kritikuar edhe paraqitjen e Bajernit në pjesën e parë: “Ne jemi stërvitur shumë dhe i kemi të qarta detyrat tona në fushën e lojës, por më duket se këtë herë nuk i zbatuam si duhet. Skuadra ishte me të vërtetë dobët, pasi gaboi shpesh në organizim, por edhe në ritëm.
Nëse përsëritet kjo paraqitje, atëherë do të kemi probleme. Fatmirësisht arritëm të merrnim tri pikë dhe të kualifikohemi për në raundin tjetër”, shtoi 32-vjeçari. Gjermanët siguruan një “biletë” për në 1/8-at, por janë ende të dytët, pas Atletikos së Madridit. “Do të kërkojmë të fitojmë edhe dy takimet e mbetura, pasi ne nuk mjaftohemi thjesht me kualifikimin, por duam vendin e parë”, përfundoi deklaratën e tij Roben.
Kurse Karlo Ançeloti, ka pranuar që skuadra nuk luajti me ritmin e duhur gjatë pjesës së parë, por vlerëson si lëvizjen fituese, futjen në fushë të brazilianit Duglas Kosta. Në fakt, ai zuri vendin e Arjen Robenit, që u largua i mërzitur nga fusha dhe duket se trajneri i Bajernit i është kundërpërgjigjur pikërisht holandezit me këtë deklaratë.
“Në pjesën e parë ne patëm disa vështirësi dhe nuk arritëm të dilnim në lojën tonë. Skuadra e qarkulloi topin në mënyrë të ngadaltë, patëm një ritëm nën mesataren dhe aksionet sulmuese ishin deri diku të parashikueshme. Gjithsesi, në pjesën e dytë ishim më të shpejtë dhe për këtë ndihmoi futja e Kostës. Mendoj, se ai ndikoi ndjeshëm në lojën tonë, duke krijuar raste për shënim, por edhe hapësira për shokët e tjerë të repartit, falë lëvizjeve individuale”, u shpreh Ançeloti.
Më pas, ai komentoi edhe për golin e kundërshtarit: “Të them të drejtën, unë nuk merrem me vendimet e arbitrave. Por, anësori më shokoi te goli i PSV-së, pasi dukej qartë që ishte pozicion jashtë loje. Nuk gjej dot një arsye se si nuk arriti ta shikojë”.