Prokuroria greke: Jo vetëvrasje, por krim vdekja e Marnikollajt

Prokuroria greke ka bërë një kthesë të papritur në hetimet për vdekjen e shqiptarit Pëllumb Marnikollaj në një nga rajonet e policisë në Athinë. Jo vetëvrasje, por krim, është konsideruar tani aktakuza e Prokurorisë, e cila ia ka kthyer dosjen policisë për hetim të çështjes.
Ky ndryshim dramatik erdhi pas presionit të fuqishëm të familjes Marnikollaj nga Lezha dhe opinionit në Shqipëri për të verifikuar në detaje faktet lidhur me vdekjen e të riut dhe tentativën për varrosjen e tij pa zhurmë dhe pa dijeninë e familjes nga ana e autoriteteve policore greke.
Më 21 tetor 2016 doli ekspertiza e shqiptarit Pëllumb Marnikollaj, i cili gjeti vdekjen në rrethana të dyshimta në një rajon policie në Athinë. Sipas ekspertizës në trupin e viktimës u konstatuan shumë shenja në pjesë të ndryshme të trupit. Megjithëse nuk përcaktohet saktësisht se nga se i janë shkaktuar plagët dhe shenjat në trup, dyshimet të çojnë se mund të jetë edhe keqtrajtuar. Veç nxjerjes së ekspertizës, të enjten dosja e të riut Pëllumb Marnikollaj i ka kaluar Prokurorisë.
Policia hedh versionin se 28-vjeçari shqiptar u vetëhodh nga kati i dytë i rajonit, pasi ai kuptoi se kishte një tjetër urdhër arresti për të. Ndërkohë familjarët dhe të afërmit e tij hedhin dyshimin se djali i tyre është keqtrajtuar dhe dhunuar deri në vdekje duke fajësuar dhe ngarkuar me përgjegjësi punonjësit e policisë.
Pëllumb Marnikollaj gjeti vdekjen më 3 gusht në rajonin e policisë të Patisjas në Athinë, pasi ishte paraqitur si zakonisht për të dhënë firmën, pasi kishte një urdhër detyrim paraqitje një herë në muaj lëshuar nga Gjykata e Athinës. Çështja tashmë i ka kaluar Prokurorisë dhe po ndiqet edhe nga avokatët Thanasis Kambajanis dhe Mimoza Caca. Mësohet se më në fund edhe dosja iu dorëzua Prokurorisë nga ana e policisë, pasi Prokuroria ia kishte rikthyer më parë asaj për plotësim dhe në pritje të ekspertizës mjeko-ligjore.